Solis: Bojkoti i PS, alibia e Edi Ramës për humbjen e zgjedhjeve
Paralajmërimi për bojkot të Kuvendit nga ana e PS-së janë alibi të kreut të kësaj partie për fshehjen e së vërtetës për humbjen e zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i mbajtur nga ana e sekretarit të Përgjithshëm të PBDNJ-së, Leonard Solis, në lidhje me vendimin e pritshëm të PS-së për të mos marrë pjesë në Kuvendin e ri. “Përpara se Edi Rama të bërtasë për vjedhje nga koalicioni tjetër fitues i zgjedhjeve, duhet të sqarohen partitë brenda koalicionit me PS-në, për vjedhjen e votave të tyre, siç është dhe PBDNJ. Dy standarde nuk mund të ketë, kur e grabisin bërtet dhe kur grabit hesht. Siç i ndoqëm dhe zhvillimet e pjesshme të Kongresit me dyer të mbyllura, Rama vetëm për humbës nuk foli, por si gjithnjë gjatë këtyre dy muajve bërtiti për grabitje të votave. Pra kjo shihet si alibi e Ramës për të fshehur humbjen e zgjedhjeve”, deklaroi Solis. Për sa i përket dorëheqjes së Arben Malajt nga kandidimi, Solis thekson se “ai mbart vlera të mëdha në PS dhe ka kontribuar për të, por në momentin që aty nuk ka më demokraci, dorëheqja e njeriu si ai është më se e drejtë”. PS ka humbur me këtë kryetar në detyrë, siç dhe e cilësojnë vetë një pjesë e socialistëve, standardet si një nga partitë më demokratike në vend”, theksoi zyrtari i PBDNJ-së. PBDNJ-ja konkurroi në zgjedhjet e 28 qershorit në koalicionin me PS-në, duke marrë vetëm një mandat deputeti në Kuvendin e ardhshëm.