Berisha: Qytetarët më kanë përgëzuar me mesazheNga TemaEdhe pse qytetarët shqiptarë e kanë dhënë mesazhin e tyre për kryeministrin, Sali Berisha, përmes votës, ai u shfaq dje në ambientet e selisë qeveritare për të falënderuar qytetarët që i kanë dër
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Qytetarët më kanë përgëzuar me mesazheNga TemaEdhe pse qytetarët shqiptarë e kanë dhënë mesazhin e tyre për kryeministrin, Sali Berisha, përmes votës, ai u shfaq dje në ambientet e selisë qeveritare për të falënderuar qytetarët që i kanë dërguar sms në numrin e tij për ta uruar për rezultatin. Tashmë, nuk ka një fitues të mazhorancës së deputetëve, por Berisha nënkupton në të gjitha daljet se ai është fitues.
Berisha tha se nuk kishte mundësi t’u kthente përgjigje të gjithëve, ndaj po përdorte mediet për ta bërë këtë gjë.
Berisha, i cili nuk bëri transparencë për sms-të e dërguara për miliona shqiptarë, kësaj radhe u tregua i kursyer duke thënë se nuk mund t’iu përgjigjej të gjithëve.
“Jam këtu për të shprehur mirënjohjen time më të thellë, urimet e mia më të përzemërta për dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë, të të gjitha moshave, burra, gra, fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar, nga të katër anët e Shqipërisë, nga Kosova e të gjitha trevat shqiptare, nga diaspora dhe emigracioni shqiptar në të gjitha vendet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja dhe vendet e tjera për mesazhet që më kanë dërguar dhe urimet që kanë formuluar, nga data 29 qershor e deri më sot.
Pasi kam lexuar një për një dhe me shumë mirënjohje e respekt çdo mesazh, në pamundësi për t’iu përgjigjur me mesazh e sms gjithsecilit, edhe një herë i shpreh atyre falënderimin më të përzemërt dhe i uroj gëzime, suksese dhe mbarësi atyre dhe familjeve të tyre! Urimi që ata kanë formuluar për mua është një inkurajim dhe obligim i madh, por edhe një energji e vërtetë në projektet e ardhshme për këtë vend. Faleminderit!
Meqenëse sot kam dalë këtu për të përshëndetur ato dhjetëra e mijëra shqiptarë që më kanë dërguar mesazhe urime, nuk kam ndërmend të marr asnjë pyetje tjetër, por kërkoj njerëzisht nga ju që në valët e ekranet tuaja të përcillni këtë falënderimin miqësor timin ndaj tyre”, - tha Berisha.
Berisha i shkruan Obamës: Bëra zgjedhjet më të mira që janë bërë ndonjëherë
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA, ku i ka deklaruar se Shqipëria ka mbajtur zgjedhje me standarde, më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë.
“Kjo ditë e shënuar është një jubile i veçantë për të gjithë miqtë e SHBA në botë, për ne shqiptarët dhe për mua, si Kryeministër i Shqipërisë, që pata rastin të përfaqësoj vendin tim në Samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Kehl, si anëtar i denjë në Aleancën më të madhe të familjes së kombeve të lira. Takimi me Ju dhe dorëzimi nga Ju i Traktatit të Uashingtonit do të mbeten për mua dhe të gjithë shqiptarët një çast historik i paharrueshëm. Ndaj, në emër të të gjithë shqiptarëve, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin t’Ju shpreh mirënjohjen më të thellë për përkrahjen e mbështetjen e çmuar, që ju, administrata juaj dhe kombi i madh amerikan, miku më i madh e më i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të vendit tim, për të qenë anëtar i NATO-s, si edhe për mbështetjen që vazhdoni të na jepni për përparimin e begatinë e mëtejshme të vendit dhe popullit tonë. Gjithashtu, gjej rastin t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë për kontributin vendimtar e të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e pavarësimin e Kosovës”, - thuhet në mesazhin e Berishës.
“Sot, qeveritë e të dyja vendeve tona bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha. Shqipëria sapo përfundoi me sukses zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat qenë më të mirat të realizuara ndonjëherë për sa u përket standardeve. Ato u zhvilluan në një klimë tërësisht të qetë e konstruktive duke dëshmuar edhe një herë se shqiptarët i përkasin denjësisht familjes euroatlantike të vendeve e popujve të lirë. Shfrytëzoj rastin të ritheksoj vendosmërinë dhe angazhimin tim të plotë dhe të qeverisë që unë kryesoj se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe me administratën tuaj, si në kuadrin dypalësh, edhe në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të mirëqenies e të begatisë së të dy popujve tanë miq. Më lejoni edhe një herë që në përvjetorin e dyqind e tridhjetë e tretë të Ditës së Pavarësisë, të shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju personalisht, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për lumturinë e begatinë e popullit mik amerikan, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të përshtatshme për Ju”, - përfundon mesazhi.