Flamuri, letër dorëheqjeje gazetës “TemA”Nga Antena brenda familjesDje patëm një surprizë. Personazhi më i njohur i gazetës, Flamuri, na dërgoi një letër, ku kërkonte dorëheqjen e tij si personazh kryesor i rubrikës “Antena brenda Familjes”, dhe kërk
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Flamuri, letër dorëheqjeje gazetës “TemA”Nga Antena brenda familjesDje patëm një surprizë. Personazhi më i njohur i gazetës, Flamuri, na dërgoi një letër, ku kërkonte dorëheqjen e tij si personazh kryesor i rubrikës “Antena brenda Familjes”, dhe kërkonte zëvendësimin e tij me Sandrin. Arsyet që paraqiste ishin përgjithësisht bindëse. Ne si redaksi vendosëm ta botojmë të plotë letrën e Flamurit, dhe të respektojmë kërkesën e tij.
“E nderuar redaksi.
U bë plot një vit që ju më keni bërë personazhin më të njohur në Shqipëri. Një vit më parë mua nuk më njihte askush, dhe isha thjesht një nëpunës i zakonshëm i partisë. Përveç rojës së parkingut dhe ndonjë militanti nga rrethet, nuk më përfillte njeri. Rubrika juaj më bëri të njohur, autoritar dhe njeri shumë të rëndësishëm. Përmes meje njerëzit njohën të fshehtat e politikës dhe qeverisë dhe mënyrën se si ai burri merr vendime.
Por çdo e mirë ka dhe një të keqe. Pas kësaj unë u bëra deputet dhe tani jam njeri shumë i rëndësishëm. Sikundër e dini dhe ju, kur bëhesh deputet, dhe kandidat për ministër, siç jam unë tani, ai burri nuk të mban më afër, pasi nuk të konsideron bashkëpunëtor, por vartës. Për këtë arsye unë nuk e ndihmoj dot më rubrikën tuaj. I vetmi personazh që unë njoh deri tani, dhe që përmbush këto kritere është Sandri.
Sandri tani është njeriu i vetëm që flet natë e ditë me atë burrin, që marrin vendime të rëndësishme për privatizime, koncesione, fshatra turistike, poste ministrash, pazare hipotekash, pazare reklamash, emërime të rëndomta e çdo gjë tjetër. Ai është po ashtu njeri pa asnjë post në qeveri dhe ai burri njerëz të tillë i dëgjon shumë. Duke qenë se puna po shkon që ne do të jemi në qeveri me Ilir Metën, dhe Sandri i plotëson të dy kushtet, dhe si mik i Metës, dhe i atij burrit, unë them se ai është personazh i denjë për të më zëvendësuar këtë vit.
Vetëm veprimet e tij të ditëve të fundit tregojnë qartë që ai është njeriu i duhur. Ju e patë si e nxori Fevziun dy ditë më parë në ekran që urdhëroi Sali Berishën dhe Edi Ramën që për pesë minuta të tërhiqnin militantët dhe të vendosnin qetësinë, ndryshe ai do të bënte namin. Dhe ende pa mbaruar Fevziu, pas urdhrit të Sandrit, doli Majlinda dhe iu bëri thirrje qytetarëve në emër të doktorit të pushonin festimet. Dhe pushuan. Kjo tregon se Sandri është tani njeriu i duhur që merr vendime. Mua më ka rënë rëndësia, se u bëra i madh, dhe i madhi të madhin nuk e duron dot.
Ju po ashtu do ta keni parë Sandrin si bërtet kafeneve dhe pritjeve këto ditë duke thënë: “Do t’i bëj 78 deputetë. Do shkrij pasuritë e mia dhe të Zamirit për t’i bërë 78. Do t’i shkrij fare këta që shajnë doktorin. Do t’u q… robt të gjithëve kush më del para!”
Për të gjitha këto arsye unë mendoj që të më kurseni nga ky post që kam mbajtur për një vit dhe të më zëvendësoni me Sandrin.
Së fundmi dua t’ju falënderoj për kujdesin që po tregoni për të m’i botuar në një libër “Antenat” më të zgjedhura të 365 ditëve. Unë ju siguroj se, megjithëse shumë prej tyre kanë qenë shumë të bukura dhe unë kam qeshur me lot, ato që do të bëni për Sandrin, do të jenë dhe më të bukura.
Kjo letër është vetëm për ju. Gjithçka e kam konsultuar dhe me Aldon.
Me respekt, Flamuri.”
Redaksia, pasi i lexoi me kujdes arsyet përse Flamuri kërkon të jap dorëheqjen, vendosi ta pranojë atë. Po ashtu, te personazhi i Sandrit shikon prototipin e njeriut që mund të nxjerrë në pazar gjithë pisllëqet e Familjes në pushtet. Për këtë arsye vendosëm me unanimitet që kërkesën e Flamurit ta marrim parasysh. Ai mund të jetë herëpashere prezent në rubrikën tonë vetëm si personazh i dorës së dytë, por kurrë si personazh kryesor. Ne e falënderojmë për bashkëpunimin njëvjeçar dhe i urojmë suksese në punën si deputet.
Redaksia ndërkohë falënderon dhe sugjerimet e Flamurit rreth personazhit të Sandrit, dhe prej sot kemi ngarkuar shkrimtarin që do të merret me këtë fejton njëvjeçar. Pas një viti sërish do t’i botojmë “Rrëfimet e Sandrit” si libër dhe do të kemi kohë t’i krahasojmë ato me të Flamurit.