E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall: Koalicioni i PD ka marrë 71 deputetëNga Tema Institucioni kryesor që pretendohet se menaxhon procesin zgjedhor në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shpalli dje rezultatet paraprake duke i dhënë fitoren koalicionit të dja

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

KQZ shpall: Koalicioni i PD ka marrë 71 deputetëNga Tema

Institucioni kryesor që pretendohet se menaxhon procesin zgjedhor në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shpalli dje rezultatet paraprake duke i dhënë fitoren koalicionit të djathtë me 71 mandate. Në vend të dytë ndodhet koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste me 65 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim merr katër mandate.

Dhënia e këtij rezultati u quajt një skandal, për shkak se nuk janë përmbyllur të gjitha tabelat dhe duhen numëruar dhe kutitë e qarkut të Fierit. Madje, kur janë shpallur këto rezultate, KQZ ishte duke numëruar kutitë e qarkut të Lezhës.

Por zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli, ka nxituar të bëjë deklarimet, duke rrezikuar kështu dhe imazhin e këtij institucioni që duhet pranuar se nuk ishte shumë i kritikuar në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Megjithatë, politizimi i fortë i KQZ është një shqetësim i të huajve.

Nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, e propozuar në këtë detyrë nga e majta, tha se kjo është një deklaratë skandaloze dhe joligjore.

“Jam e shokuar nga kjo deklaratë, pasi Olli është institucion, jo person që bën të tilla deklarata. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, pasi KQZ nuk ka përmbyllur tabelat. KQZ nuk ka marrë asnjë vendim për asnjë zonë zgjedhore të Shqipërisë. Çështja e ndarjeve të mandateve është procedura e fundit e këtij institucioni. Deputetët e secilës forcë politike caktohen, vetëm pasi të jenë mbyllur të gjitha kutitë”, - deklaroi Subashi.

KQZ shpall këtë rezultat, ndërkohë që dihet tashmë problemi me kutitë e votimit të qarkut të Fierit. Kanë mbërritur në KQZ 3 kutitë e KZAZ nr. 20, ende të pahapura dhe të pa-numëruara. Po kështu, kanë mbërritur për verifikim edhe kutitë e KZAZ nr. 19 dhe nr. 22 të po këtij qarku, pas problemeve mes komisionerëve për plotësimin e tabelave.

Janë pikërisht këto kuti, ku PS shpreson të marrë mandatin e 9 në qarkun e Fierit, që do të ndryshonte shifrat, duke bërë që rezultati të ishte 70 me 66.

Ndërkohë, deri më tani kutitë e qarkut të Lezhës kanë treguar se asgjë nuk ndryshon duke bërë që sërish në këtë qark PS të marrë tre deputetë dhe PD të marrë katër.

Vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këto raste merren me shumicë të cilësuar. Meqë palët janë të ndara katër me tre, duket se është shumë e vështirë që ky institucion të arrijë në marrjen e vendimeve.

Do jetë Kolegji Zgjedhor që duket se do vulosë përfundimisht vendimin për disa zona të kontestuara. Mazhoranca aktuale ka nisur që tani presionet dhe hesapet për të ndikuar këtë instancë të rëndësishme zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›