Krimi në familje, dhëndri vret vjehrrën dhe vjehrrin, djalin dhe vetenNga Bledar LumaniMasakër tragjike në Tiranë. Në kushtet e depresionit nga ndarja me bashkëshorten, një 40-vjeçar ka vrarë vjehrrin dhe vjehrrën, djalin 16-vjeçar dhe për t’i dhënë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Krimi në familje, dhëndri vret vjehrrën dhe vjehrrin, djalin dhe vetenNga Bledar LumaniMasakër tragjike në Tiranë. Në kushtet e depresionit nga ndarja me bashkëshorten, një 40-vjeçar ka vrarë vjehrrin dhe vjehrrën, djalin 16-vjeçar dhe për t’i dhënë fund ka qëlluar veten. Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është Petrit Zaimi, i cili në mënyrë makabre ekzekutoi bashkëshortët Hazbi dhe Nadire Gjoni, ndërsa plumbat e dala nga pistoleta e tij kanë zënë aksidentalisht edhe të birin, që ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Tragjedia
Krimi në familje ka shënuar katër viktima gjatë ditës së djeshme në kryeqytet. Petrit Zaimi, dhëndër në familjen Gjoni, ka ekzekutuar vjehrrën dhe vjehrrin, Nadire dhe Hazbi Gjoni, ndërsa në mënyrë tragjike plumbat e dala nga pistoleta kanë qëlluar aksidentalisht edhe të birin 16-vjeçar, i cili ka gjetur vdekjen. Pas kësaj, 40-vjeçari Zaimi ka qëlluar edhe në drejtim të vetes, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, rreth orës 12:30, në rrugën “Selaudin Zorba” të lagjes Allias, pranë Fakultetit të Mjekësisë. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 40-vjeçari Petrit Zaimi kishte shkuar i qetë në banesën e familjes së bashkëshortes, me të cilën gjatë kohëve të fundit kishte pasur disa probleme dhe për këtë arsye prej disa kohësh ishin ndarë. Fillimisht ai është përballur me vjehrrin, Hazbi Gjonin, me të cilin ka diskutuar për problemet që kishte me të shoqen. Ka qenë pikërisht kjo pika, në të cilën situata është acaruar, pasi tonet mes bashkëbiseduesve janë ngritur, duke qenë se 40-vjeçari Zaimi bënte pikërisht të vjehrrin përgjegjës për problemet që kishte me bashkëshorten. Pas kësaj, nervat e Zaimit nuk kanë mbajtur më, teksa ky i fundit ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të vjehrrit 79-vjeçar, duke e vrarë në vend atë. Të terrorizuar nga kjo ngjarje, vjehrra e Zaimit së bashku me të birin janë përpjekur që të largohen duke ikur me vrap. Por 40-vjeçari i ka ndjekur, duke qëlluar mbi ta. Plumbat e dala nga pistoleta e Zaimit kanë qëlluar mbi 65-vjeçaren Nadire Gjoni, e cila ka mbetur e plagosur rëndë. Ajo është dërguar menjëherë në spital, po pavarësisht kësaj nuk ka mundur dot që të mbijetojë, duke gjetur kështu vdekjen. Në kohën që Petrit Zaimi ka qëlluar në drejtim të vjehrrës, plumbat e dala nga pistoleta e tij kanë zënë aksidentalisht edhe të birin 16-vjeçar, me inicialet K. Zaimi, i cili si pasojë e plumbave ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në përfundim të gjithë kësaj, ndoshta i penduar nga krimi i rëndë, Petrit Zaimi ka qëlluar në drejtim të vetes duke gjetur vdekjen e menjëhershme. “Rreth orës 12.30, në rrugën “Selaudin Zorba” në Tiranë, ka ndodhur një krim i rëndë brenda familjes. Autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Petrit Zaimi, 40 vjeç. Ai ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit, në Allias pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe pasi ka debatuar ashpër me të vjehrrin, Hazbi Gjoni, 79 vjeç, e ka vrarë me pistoletën që mbante në brez. Pas kësaj, ai ka qëlluar edhe në drejtim të vjehrrës, Nadire Gjoni, 65 vjeç, ndërsa plumbat kanë zënë aksidentalisht edhe të birin me inicialet K. Zaimi, 16 vjeç”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp policia e kryeqytetit.
Hetimet
Nga hetimet paraprake të policisë së kryeqytetit, mësohet se motivi i kësaj tragjedie ka qenë divorci i Petrit Zaimit me të shoqen, fakt të cilin ai nuk ka mundur dot që ta kapërdijë. “Paraprakisht dyshohet se motiv i këtij krimi të jetë divorci i autorit nga bashkëshortja, i cili në momente depresioni ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të shtetasve Hazbi dhe Nadire Gjoni, të cilët gjetën vdekjen”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp policia e kryeqytetit. Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është arritur në motivin përfundimtar të kësaj ngjarjeje, ndërsa policia bëri me dije se është duke vijuar hetimet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Kjo e fundit, menjëherë pas krimit të rëndë, mbërriti në vendin e ngjarjes së rëndë. “Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, sapo morën njoftim, shkuan në vendin e ngjarjes, nga ku u formua grupi i posaçëm hetimor, me synim për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe sqarimin e rrethanave të këtij krimi, të ndodhur brenda në ambientet familjare”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Sipas mekanizmit të ndërtuar nga ana e oficerëve dhe hetuesve të policisë, “autori Petrit Zaimi nga pakujdesia ka qëlluar edhe djalin e tij, 16-vjeçarin K. Zaimi, i cili ndodhej prezent në momentin e ngjarjes. Si pasojë e të shtënave, kanë gjendur vdekjen e menjëhershme Hazbi Gjoni dhe K. Zaimi, ndërsa Nadire Gjoni ka gjetur vdekjen në spitalin “Nënë Tereza”. Menjëherë pas këtij krimi, autori ka qëlluar edhe mbi veten e tij, duke gjetur si pasojë vdekjen”. Burime pranë policisë thanë se tashmë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor i Policisë së Tiranës, nën drejtimin e prokurorëve të prokurorisë së rrethit gjyqësor, Tiranë, të cilët po punojnë intensivisht për zbardhjen tërësisht të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Këta të fundit mësohet se janë duke marrë në pyetje familjarët e viktimave, për të sqaruar marrëdhëniet që kanë ekzistuar mes autorit të tragjedisë, Petrit Zaimi, dhe vjehrrës e vjehrrit të tij, por dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së bashkëshortes. Familja Gjoni jetonte prej disa kohësh me qira në katin e katërt të një ndërtese në lagjen Allias, ndërsa banorë të kësaj lagjeje thonë se nuk dinin shumë gjëra rreth kësaj familjeje.
Krimi në familje
Krimi në familje është një nga problemet më shqetësuese për policinë, pasi, sipas statistikave, numri i tyre është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Vetëm gjatë një viti, statistikat e policisë tregojnë që si pasojë e dhunës në familje kanë gjetur vdekjen 76 persona. Për këtë arsye, oficerët e policisë kanë filluar që të lëshojnë urdhra mbrojtjeje për personat e dhunuar në familje, kur vetëm gjatë vitit të kaluar, vetëm në kryeqytet janë lëshuar mbi 200 urdhra të tillë. Ai që quhet urdhër mbrojtjeje përfshin një sërë ndalesash për dhunuesin, si për shembull të mos i afrohet banesës, të mos e takojë viktimën apo të mos e telefonojë, pasi në rast të kundërt për të nis procedimi penal. Sipas ekspertëve pranë policisë, krimi në familje paraprihet nga dhuna në familje, fenomen ky që në fakt, sipas statistikave, është mjaft i përhapur, por që denoncohet shumë pak nga ana e personave të dhunuar. Dhuna në familje në vendin tonë u evidentua vetëm pak kohë më parë edhe nga ana e Amnesty International. Në një raport të kësaj të fundit thuhet se në Shqipëri dhuna në familje është e kudogjendur dhe një në tri femra dhunohet. “Dhuna në familje është shumë e përhapur dhe besohet se prek një në tri femra. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, policia regjistroi 612 incidente të dhunës në familje, ndërkohë që mendohet se shumë të tjera nuk raportohen. Autoritetet kanë marrë masa për të rritur mbrojtjen për viktimat, shumica e të cilave janë femra. Shumë pak raste që përfshijnë dhunën në familje janë proceduar penalisht, vetëm në rast se përfshijnë kërcënime me jetë ose rezultojnë me plagosje serioze ose me vdekje”, - thuhet në këtë raport. Sipas statistikave të policisë, për 6 muajt e parë të këtij viti, dhuna në familje gjatë kësaj kohe ka shkaktuar 7 viktima, 6 të plagosur rëndë, teksa në total 258 persona kanë rënë pre e dhunës në familje. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, bëri të ditur se për këtë vepër janë marrë një sërë masash parandaluese. Kështu, gjatë këtyre 6 muajve policia ka përgatitur dhe ndjekur praktikat për 70 urdhra mbrojtjeje për të dëmtuarat nga dhuna në ambientet familjare. “Gjithsesi, dhuna në familja vazhdon të mbetet shqetësim, për vetë faktin se edhe gjatë kësaj periudhe, ndërmjet të tjerave janë evidentuar 7 vrasje, 6 plagosje të rënda, si dhe mjaft tendenca të tjera kriminale, të cilat kanë dëmtuar gjithsej 258 persona”, - bëri të ditur Prençi.