Berisha: Rama, bllokatori i integrimit në Internacionalen Socialiste
Kryeministri Sali Berisha nuk ngurroi dje të sulmonte liderin e opozitës, Edi Rama, duke e akuzuar si një bllokues të procesit të integrimit. Duke folur për draftin për administratën publike, Berisha theksoi se shpreson që opozita të mos e bllokojë atë në Kuvend. Çështjet më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje janë një seri ligjesh dhe vendimesh, të cilat kanë të bëjnë me përmbushjen së pari të detyrimeve të qeverisë dhe të mazhorancës, të obligimeve për statusin e anëtarësimit dhe këtu janë dy ligje shumë të rëndësishme, me të cilat njëra nga kërkesat plotësohet dhe ky është ligji i nëpunësit civil dhe administratës shtetërore. Ndërkohë ligji për Gjykatën e Lartë, një nga kushtet, është dërguar në Parlament, por që është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit, zoti Rama, që sot merr pjesë në Internacionalen Socialiste, por që e vërteta është që ai sillet sikur merr pjesë në Kominternin apo në Internacionalen Komuniste. Sepse të shkosh atje si bllokator i proceseve integruese je i vetmi në këtë forum të nderuar. Shkon natyrisht duke pasur përgjegjësinë e rëndë, duke qenë i regjistruar në librin e zi europian dhe botëror të korrupsionit, sepse bllokove dhe imunitetin në datën 6 gusht, por dua të them këtu se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për kapërcimin, për përmbushjen e detyrimeve të saj në radhë të parë, të cilat janë këto ligje që ne i dërgojmë, ndonëse ligji i nëpunësit civil që ne dërgojmë, kërkon 3/5 dhe duhet të bëjë një koment lidhur me këtë ligj, tha Berisha.
Berisha: Rama, bllokatori i integrimit në Internacionalen Socialiste burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip