E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI shtyn Konventën për në tetor, priten bisedime me PD

Gazeta Shqip

Emri i Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe anëtarit të KQZ-së qëndrojnë pezull mes palëve

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur të shtyjë për në fund të muajit tetor, mbajtjen e Konventës së saj, forumit më të lartë që do të zgjedhë drejtuesit më të lartë të kësaj partie. E parashikuar për tu mbajtur në fund të muajit shtator, shtyrja e konventës duket se ka ardhur për ti lënë më shumë kohë drejtuesve kryesorë të LSI-së për veprimin politik të shtatorit. Lajmin e shtyrjes së Konventës e bëri dje të ditur, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një takim që zhvilloi me të rinjtë e LRI-së që po pushojnë në Jal. Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vendimi i marrë nga LSI është bërë për shkak të një kërkesë të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe Lëvizjes së Gruas për Integrim, të cilat kërkuan më shumë kohë në dispozicion për ta organizuar në mënyrë sa më të plotë përfaqësimin e tyre. Ju e dini që ka një vendim të rëndësishëm të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbajtjen e Konventës Kombëtare të saj në fund të shtatorit. Por, ju e dini që për herë të parë, dhe kjo është një risi në politikën shqiptare, ne kemi aplikuar një skemë përfaqësimi politik të Lëvizjes Rinore për Integrim, por edhe të Lëvizjes së Gruas për Integrim më të gjerë që ka aplikuar ndonjëherë politika shqiptare në 20 vitet e saj të pluralizmit. Kjo risi është e rëndësishme por njëkohësisht kërkon edhe një punë shumë të madhe dhe organizim të përsosur të të gjitha elementeve të saj, argumentoi Vasili në lidhje me shtyrjen e mbajtjes së këtij forumi të rëndësishëm. Duket se në thelb, shtyrja e kësaj Konvente ka lidhje me një sërë aksionesh politike që LSI do të ndërmarrë. E para ka lidhje me betejën që kjo forcë politike do të kryejë në kuadër të zgjedhjes së prokurorit të ri të vendit. Në mënyrë të hapur, eksponentë të LSI-së kanë theksuar se kreu i ri i organit të akuzës duhet të vijë nga radhët e kësaj partie, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet e duhura për ta përmbushur këtë detyrë me profesionalizëm të lartë. Por duket se kjo kërkesë nuk është shumë e mirëpritur në gjirin e demokratëve, pasi forca më e madhe e mazhorancës kërkon që numri një i hetimit në vend të vijë nga radhët e saj. Zgjidhja e kësaj çështjeje, sigurisht që do të kërkojë kohën e saj mes drejtuesve të dy partive kryesore në mazhorancë. Nga ana tjetër, një çështje me rëndësi të veçantë që pritet të diskutohet në muajin shtator mes LSI-së dhe PD-së është dhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kjo parti kërkon. Përfaqësimi i LSI-së me një anëtar në KQZ pritet të jetë një kërkesë, nga e cila drejtuesit e kësaj partie nuk kanë ndërmendë të heqin dorë.

Shtyrja duket se ka lidhje me betejën që kjo forcë politike do të kryejë, në kuadër të zgjedhjes së prokurorit të ri të vendit

Detaje

Referendumi - LSI ka kundërshtuar qëndrimin e fundit të Kryeministrit për të mbajtur një referendum në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit. Kjo parti mendon se çështja duhet të shqyrtohet në Kuvend.

Integrimi - Në fillim të muajit tetor, Shqipëria do të përballet me vlerësimin e radhës së Bashkimit Europian, sa i përket çështjes së statusit të vendit kandidat.

Koalicioni - Ende nuk dihet nëse LSI do të jetë pjesë e një koalicioni të përbashkët me PD-në për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por gjasat janë të mëdha.

LSI shtyn Konventën për në tetor, priten bisedime me PD burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›