Berisha: Rama bllokon reformat për të sabotuar statusin
Kryeministri, Sali Berisha deklaroi sot se nuk është Partia Demokratike që ka bllokuar reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, por Partia Socialiste e cila sipas tij kërkon të sabotojë statusin e vendit kandidat. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë tha se Rama kërkon t`i kufizojë kohën e fjalës në Kuvend kryeministrit sepse e ka kuptuar që s’do bëhet kurrë kryeministër.
“Rama e di që shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, ndaj do t`i shkurtojë kohën kryeministrit. Ai nen në Kushtetutë është miratuar nga mazhoranca socialiste. Nuk është mëkat i Kushtetutës që i jep kryeministrit të drejtën e fjalës. Shqiptarët e kanë nxjerrë Ramën në pension politik për detyrën e kryeministrit”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha hodhi dyshime se kreu socialist është duke bllokuar reformat sepse ka frikë se mos marrim ndonjë vlerësim pozitiv për statusin. “E bëri në kujtim të busteve të gjalla dhe të vdekura të rrëzuara, apo në prag të shqyrtimit që BE i bën problemeve të zgjerimit, këtë e di vetëm ai. E vërteta është kjo: Me urdhër të tij direkt, reforma parlamentare u bllokua që në mbledhjen e parë. Në verë – vjeshtën 2011 në serialin e ultimatumeve figuronte se kusht ishte që rregulloren e parlamentare t`i kufizohej në 10 min fjala në Kuvend kryeministrit. Në çdo rregullore europiane, kryeministri ka të drejtë të flasë në çdo kohë” shtoi Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, kryesocialisti urdhëron bllokimin e ligjeve dhe reformave sepse nuk do që vendi të vlerësohet pozitivisht. "Ti zotëri detyrimin për votimin e ligjeve se ke ndaj meje, por ndaj atyre që të kanë votuar. Ata ta faktuan në 8 maj dhe do ta faktojnë prapë në 2013. Je i vetmi në Europë që kërkon kapital politik mbi bllokimin e reformave dhe fatkeqësitë natyrore. Janë fatlum shqiptarët që ky s’`mund të bllokojë dhe është i papeshë", iu drejtua Berisha kreut të PS-së.
Ai ka theksuar më tej se mazhoranca mbetet e hapur të bashkëpunojë me opozitën brenda parimeve dhe ligjeve dhe në interesin më të mirë. “Mbetemi të hapur, jemi të gatshëm të zbatojmë përcaktimet e ODIHR-it pa asnjë hezitim, të përshtasim rregullon e parlamentit me atë të Parlamentit Europian" ka theksuar më tej Berisha .
Kryeministri Berisha ka deklaruar gjithashtu se situata energjitike në vend mbetet e vështirë por garantoi se nuk do të ketë ndërprerje të saj. “Kaskada ndodhet në nivelet më të ulëta, vijon importi dhe mbetet në fuqi vendimi për sa kohë do kemi nevojë do ta gjejmë, duke konsideruar çmimin më të lartë mospasjen e energjisë”, theksoi Berisha.