E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegatët e Kongresit: Të hapen kutitë

09-11-2011 / Gazeta 55

Edhe pas 3 ditësh, Edi Rama s’ka arritur të fabrikojë Asamblenë e re të partisë së tij private, prandaj edhe ka ngrirë procesin e numërimit të votave. Me një komision numërimi të pamandatuar nga Kongresi, s’po arrihet të zbutet protesta e delegatëve “Të hapen kutitë”. Shpurës edviniste s’po i dalin 72 orë për manipulimin e 1500 fletë-votimeve, prandaj edhe duket se kongresi, në vend që të vërë vetullat, po degjeneron se po nxjerr sytë e uzurpatorëve të rinj të opozitës
Reagimi i PD/Rezultatet s’po dalin se fabrika e manipulimit s’ka marrë versionin final të kryetarit

Ndërsa deri në orët e vona të natës së kaluar ende nuk kishte asnjë sinjal për ndonjë shpallje të mundshme të rezultateve të votimit, për kandidatët për në Asamblenë e PS-së, mësohet se një revoltë, në pritje për t’u rritur, po kërkon “të hapen kutitë”.
Delegatë të kongresit të PS-së, por edhe anëtarë të kësaj partie në bazë, mësohet se nuk e kanë fshehur pakënaqësinë e tyre, jo vetëm për vonesën e përfundimit të numërimit, duke e parë si një mundësi manipulimi, por edhe për faktin, se Edi Rama, dikur ka qenë partizan, deri në kufijtë e shtatanikut, kur çirrej e bërtiste, për numërim votash, për zgjedhjet në rang kombëtar. “Ai që çirrej e bërtiste, për numërimin e më se 1.5 milionë votave, tashmë, me pengmarrjen e tij, nuk është në gjendje të numërojë 1500 vota”, ironizonin dje, delegatë të ndryshëm të PS-së, që kishin “rrethuar” godinën e partisë, në pritje të shpalljes së ndonjë rezultati të mundshëm.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me Kongresin e Partisë Socialiste dhe publikimin e rezultateve për delegatët.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Partia Demokratike shprehet se, sapo u mbushën 72 orë nga përfundimi i votimit të 1500 delegatëve të klonuar të Partisë Socialiste, dhe akoma rezultati nuk është bërë i njohur, pasi po përpunohet në fabrikën e falsifikimit të Edi Ramës. “Asnjëherë më parë, në historinë e këtij vendi nuk ka ndodhur që numërimi i votave të 1500 delegatëve të vijojë për 72 orë rresht siç po ndodh në kongresin e Edi Ramës.
Kjo dëshmon qartë se ky është një proces falsifikimi dhe manipulimi dhe jo një proces numërimi”, thuhet në qëndrimin e demokratëve.
Duke iu referuar kryesocialistit Edi Rama, PD shprehet se, njeriu që disa kohë më parë bërtiste 3 herë në ditë, për zgjatjen e procesit të numërimit të 1 milion e 600 mijë votuesve shqiptarë për zgjedhjet e 8 majit, vijon të zgjasë me 72 orë, numërimin e votave të 1500 delegatëve të klonuar të kongresit të tij, dhe kjo vetëm e vetëm që të arrijë klonimin në funksion të karriges së tij, të Asamblesë së ardhshme të kësaj partie.
Të shtunën në 5 nëntor, delegatët e kongresit të ri të PS-së votuan një listë me 186 kandidatë për të zgjedhur 121 prej tyre, ku 80 do të jenë burra dhe 41 gra.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›