Fakti/S’pret as dy ditë, Bamir Topi takon personazhet e “Kurbanit” të Ramës
Si alternativë qeverisëse, në librin e Edi Ramës përmendet aftësia e socialistit Dhimo Kote për të mbjellë portokaj në Xarë. Aleati i tij jozyrtar, Bamir Topi s’ka pritur as dy ditë dhe dje ia ka behur në jug për të shijuar frytet e Aleancës së Kurbanit
Ende pa dalë në treg “Kurbani”, sprova më e fundit letrare e politikanit të dështuar Edi Rama, copëzat e librit të tij, të lexuara nga tribuna e kongresit të PS-së, kanë filluar të tërheqin më së pari Presidentin e Republikës. I ekzaltuar nga shpërthimi letrar i Edi Ramës, për më tepër edhe nga përshkrimi i personazheve, Bamir Topi ka vendosur ti vizitojë këta personazhe, ti prekë nga afër, pse jo edhe ti gëzohet (mbase si një fëmijë jo) edhe faktit që për disa momente ai ka qenë pranë një personazhi, të vetë-personazhit Edi Rama. Dhe për kundër kësaj, kur Bamir Topi të ketë gjithë kohën e domosdoshme në dispozicion (sikurse Edi Rama tani), në përsiatjet e tij të mundshme, do të ketë çfarë të shkruaj për impresionet e tij nga personazhi i vetë-personazhit Edi Rama.
Po kush është ky personazh..., të cilin Edi Rama e zbuloi në 5 nëntor të vitit 2011 dhe Bamir Topi në 8 nëntor të vitit 2011, pikërisht pas vërejtjes së kryesocialsitit për të gjithë ata që e shohin atë (Edi Ramën) si të çmendur dhe që nuk kanë marrë ende mundimin të shkojë e ta takojnë vetë personazhin e atij vetë-personazh?
Ai është Dhimo Kote, kryetar komune në Xarrë, i mandatuar që prej katër mandatesh. Me punën e tij ky kryekomunar, pavarësisht se Edi Rama u njoh disa ditë më parë e Bamir Topi, disa ditë pas Edi Ramës, të tjerët janë njohur shumë e shumë më herët. Jo vetëm kaq, por edhe inkurajimi, bashkë edhe me vlerësimin janë bërë shumë e shumë më herët, pa qenë nevoja të pritej kongresi i PS-së...
Përjashtim bënë Edi Rama, dhe ca më i vonuar edhe Bamir Topi.
“Shqiptari i mençur” Dhimo Kote, “mësuesi i admiruar” prej Edi Ramës aty ka qenë.
Por, ndërsa Edi Rama u desh të dilte në pension politik që të gjente kohë “të ngjyente penën” edhe në Xarrë të Sarandës, ajo që nuk kuptohet është pse Bamir Topi, i cili ka edhe pak kohë për të dalë në pension politik, nxitoi “të mbante frymën” në Xarrë.
Ai mund ta kishte shtyrë këtë vizitë, pavarësisht nga tonet urdhërese të Edi Ramës në kongres. Bamir Topi mund ta kishte shtyrë këtë vizitë, për një arsye sa të thjeshtë aq edhe banale..., që të mos lërë hije dyshimi, në një krahasim të mundshëm të “socializmit europian” të ndërtuar në Xarrë nga Dhimo Kote dhe “socializmit dreqi e merr vesh”, që ndërtoi Edi Rama në Tiranë..., për të njëjtën numër mandatesh...
Ndoshta ky “socializmi dreqi e merr vesh”, që ndërtoi Edi Rama në Tiranë, e ndëshkoi atë në 8 maj me gjithë votën e pakursyer të Bamir Topit..., ndërsa “socializmi europian”, vazhdon ta bëjë Dhimo Koten, personazhin e “Kurbanit” të Edi Ramës, më në fund të admirueshëm edhe për Bamir Topin.