Berisha: Rama dhe kupola e bllokut e ka vendin në kuti

Nga qyteti i Pogradecit, kryeministri Sali Berisha ka lëshuar të tjera akuza ndaj kreut të opozitës duke i cilësuar nihiliste përpjekjet e saj për të penguar projektin europian të Shqipërisë. Këtë deklaratë shefi i qeverisë e bëri gjatë inagurimit të shkollës së mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, në Udenisht, ku e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek arritjet dhe përmbushja e reformave të maxhorancës që bënë të mundur anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave për statusin e vendit kandidat dhe së fundmi vendimi për liberalizimin e vizave me vendet e bllokut. “Qëkur Partinë Socialiste, kupolën e saj e pushtuan pinjollët e bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’ju nxjerrin juve për të ardhmen, të shkuarën e tuaj të hidhur. Me propagandën e tyre nihiliste, ara përpiqen të zerojnë çdo gjë. Pasi dështuan njëri pas tjetri në të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e integrimit, mos harroni kurrë se vetëm natën që Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, përfaqësuesit e tyre do t’u deklaronin shqiptarëve se ftesa nuk do t’i jepej Shqipërisë. Për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti. Bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën që shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam. Bojkotuan parlamentin vetëm e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit. Dhe tani së fundi, si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja fëmijëve shqiptarë është e mira e bllokmenëve të rinj. Ndaj ju bëj thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve, le të bashkohemi së bashku në projektin e Shqipërisë europiane, integrimin europian. Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ase po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma. Le të ndërtojmë idealet tona europiane, të ndërtojmë Pogradecin europian, të ndërtojmë Shqipërinë europiane”- u shpreh kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij, shefi i ekzekutivit u ndal tek investimi më i ri i realizuar në këtë rreth në sektorin arsimor, ndërtimi i shkollës së mesme “Dëshmorët e Pojskës”, në Udenisht , që kap një vlerë 26 milion lekë të reja. Sipas kryeminsitrit Berisha, të 567 nxënësit e kësaj shkolle tashmë kanë një ambient të parametrave më të lartë bashkëkohor, 21 klasa, laboratorë modernë informatike, bibliotekë, si dhe mjedise komode për ta.
...