Berisha: “Rama do humbasë në 2013-ën, më thellë se etërit e tij në 1992-in”
Kryeministri përshëndet në Elbasan procesin e anëtarësimeve të reja në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Deklarata: “Blloku s’do rilindë kurrë, shqiptarët e hodhën në kosh atë 20 vjet më parë”
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje procesin e anëtarësimeve të reja në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, në qytetin e Elbasanit, duke deklaruar se Partia Demokratike do shënojë fitore të thellë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kreu i ekzekutivit e lidhi optimizmin e tij me sjelljen e Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj, Edi Rama ndaj procesit të integrimit të vendit në BE, duke bllokuar në parlament 3 ligjet e Brukselit.
Sipas kryeministrit, nëse Rama vazhdon të bllokojë ëndrrën e shqiptarëve, atëherë prej tyre do marrë ndëshkimin me votë, më thellë se etërit e tij në 92-shin.
“Ka tre muaj që mban peng në parlament tre ligje, te cilat KE, në interesin më të mirë dhe më jetik të shqiptarëve kërkon që të votohen. Unë i bëj thirrje zotit Rama, në emër të interesit të të gjithë të rinjve shqiptarë, të atyre që sot masivisht mbështesin dhe anëtarësohen në forumin rinor të PD, por dhe te rinjve të tjerë të FRESH të forcave të tjera politike, të rinjve pa parti, në emër të qytetarëve shqiptare të votojnë tre ligjet, mos të dëshmojnë para Evropës se shqiptarët nuk pranojnë të votojmë ligjet që ju kërkoni për të votuar përfundimisht statusin e vendit anëtar në BE. Zoti Rama ka harruar zotimin e tij. Uroj që t’i kujtohet, të rikthehet dhe të votojë. Sikundër e siguroj se verdikti i shqiptarëve mbi të, në qoftë se u bllokon rrugën e integrimit do të jetë njëlloj me Vaterlonë e viteve ’91 që shqiptarët iu treguan etërve te Edi Ramës. Do të ketë një humbje më të thellën se 22 viteve të fundit, se humbjen e ka të sigurt në çdo variant”, u shpreh Berisha.
Thuajse 8 muaj para zgjedhjeve, kreu i mazhorancës e cilësoi të hapur fushatën elektorale, ndërsa kërkoi votën e qytetarëve shqiptarë, për vazhdimin, tha ai, të projektit Shqipëria vend i zhvilluar.
“Mekanizmi i shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar qëndron në programin e forcës sonë politike, në përkushtimin e forcës sonë politike, në vendosmërinë e forcës sonë politike. Është në detyrimin tonë të bëjmë një dialog me qytetarët shqiptarë, larg idesë se ne nuk kemi bërë gabime, larg idesë se ne nuk kemi të meta, larg idesë se ne nuk kemi gjera për të korrigjuar. Jo dhe jo! Ndaj dhe ne e duam dialogun. Ndaj dhe ne e duam debatin. Ndaj dhe ne duam të dëgjojmë zërin e qytetarëve. Le të vazhdojmë ne me këtë betejë çdo orë, çdo ditë, çdo javë, për të fituar çdo orë, çdo ditë e çdo javë besimin më të madh që kemi pasur ndonjëherë të shqiptarëve dhe për të shndërruar në realitet programin tonë ‘Shqipëria vend i zhvilluar’, ‘Shqipëria Evropiane’”. Ky është premtimi ynë madhor”, deklaroi Berisha.
Berisha iu përgjigj edhe platformës majtiste të Edi Ramës, duke e cilësuar atë si prirje për rrënimin e sistemit ekonomik.
Sipas kryeministrit, Rama premton platformën e dajës së tij, të cilën shqiptarët e hodhën në kosh 20 vjet më parë.
“Këta zotërinj që flasin çdo ditë dhe bërtasin për krizë ekonomike, këta nuk njohin a,b,c, e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Sepse rritja ekonomike është, para së gjithash, vepër e grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të Shqipërisë, të cilët djersinë çdo ditë dhe me iniciativën e tyre të lirë krijojnë shërbime, krijojnë të mira materiale. Të mohosh këto do të thotë të shkelmosh mbi arritjet e çdo qytetari shqiptar. Çfarë premton zoti Rama? Premton platformën e dajës së tij, Spiro Koleka. Më duhet t’ju them se në histori janë dy Spiro Koleka. Njëri, një burrë i shkëlqyer, i cili ka kontribute në qeverinë e Sulejman Delvinës, me një rol shumë të veçantë dhe tjetri është dajua, një mizor, persekutor, njeriu që sapo vuri këmbën në pushtet, eureka, gjeti taksën progresive për të shkatërruar të gjithë biznesmenët e Elbasanit dhe të Shqipërisë. Shoku Edi Rama, me “Rilindje” e tij nënkupton kryekëput rilindjen e bllokut. Por, në qofte se rilindja vjen me taksën progresive të Spiro Kolekës, në qoftë se rilindja vjen me mbylljen e dyerve të universiteteve, vjen me punësimin e Partisë Socialiste apo 99-ve dhe injorimin e Shqipërisë, në qoftë rilindja vjen me gjithçka në funksion të ëndrrës së tij që nuk do të realizohet kurrë, të kryeministrit të ardhshëm, pasi do të jetë kryeministër në bankinë, ajo është rilindja e bllokut, i cili në vitin 1990 u hodh në koshin e plehrave të historisë kombëtare. Nuk kthehet më kurrë!”, theksoi kryeministri Berisha.
...