E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e Lumës, themel për pavarësinë

17-11-2012 / Nga Isa Halilaj

Meqenëse për 100 vjet për herë të parë një udhëheqës shqiptar e përmendi dhe i dha vendin e duhur Luftës së Lumës në histori, unë do ta nis duke cituar kryeministrin Sali Berisha, me 4 nëntor, në Lapaj të Bushtricës së Lumës i cili u shpreh : “Në nëntor të vitit 1912 burrat dhe gratë e Lumës do t’u jepnin këtu barbarëve Vaterlonë e vërtetë, do të shndërronin në kocka hordhitë e pushtuesve të rinj, të cilët menduan se erdhi koha të eksterminonin kombin më të vjetër të rajonit. Ato beteja mbetën themel i pavarësisë së shqiptarëve”.
Koha fiksoi në historinë e atyre ditëve të nëntorit 1912 Lumën me flamur e pushkë në duar dhe Vlorën me flamur në dore.  Në Lumë me një përbashkim ndërkrahinor Lumë – Malzi - Pukë e Dibër, u arrit shpartallimi i agresionit serb, fitore kjo në prag të momentit historik të shpalljes së pavarësisë, i dha zemër, kohe e mbështetje Kuvendit Historik të atdhetarëve shqiptar që të mblidhen në Vlorë me të njëjtin guxim e trimëri në ngritjen e flamurit të Pavarësisë Kombëtare me 28 nëntor 1912. “Momenti historik e ngarkoi popullsinë e këtyre trevave me një mision shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, të cilin ajo e kreu me nder jo vetëm në muajt e fundit të vitit 1912, por edhe gjatë viteve pasardhëse...” Fitorja e Lumës që shpartalloi dy divizione të ushtrisë serbe në Betejën e luftimeve me 14-18 nëntor, nga Qafa e Kolesjanit - Kullë Lumë - Qaf Zhuri, meriton aktivitet të madh mbarkombëtar sepse ka qenë dhe është e përmasave madhore kombëtare. Ky qëndrim nënvleftësues, për fat të keq është mbajtur dhe nga historiografia zyrtare shqiptare jo vetëm në Tiranë por edhe në Prishtinë e Shkup. Pse? – Përgjigjia është e qartë: konjuktura politike të pushtetmbajtësve, për fat të keq kanë filluar, që me ish-Kryeministrin e Qeveris së Durrësit 1918 Turhan Pash Përmetin e Esat Pash Toptanin që ndaluan në atë kohë të mos flitej e shkruhej për atë që kishte bërë e po bënte regjimi serbo- malazez  kundër shqiptarëve e trojeve të tyre, Kosovës përfshi rajonet verilindore mbi Dri si Tropojë, Has, Lumë e Dibër.
Këta pushtetmbajtës, për hir të privilegjeve e joshjes për pushtet, braktisën interesat kombëtare, trojet e resurset kombëtare e për fat të keq braktisën edhe historinë e qëndresës e të përpjekjeve për një shtet unik kombëtar të entitetit shqiptar.
Historiografia serbo-jugusllave, ajo bullgare, greke e më tej ajo ruse, frënge apo turke e kanë trajtuar luftën ballkanike kundër Perandorisë Osmane si luftë çlirimtare nga serbët, kur ajo ishte thellësisht pushtuese e tokave shqiptare, ndërsa kryengritjet e luftën e vazhdueshme shqiptare, përfshi rajonin verilindor ku bënë pjesë Luma, e injoruan me të gjitha mënyrat, duke i etiketuar shqiptarët si turkoman dhe me pa të drejtën e tyre  e të pa aftë për shtetformimin e vetëqeverisje kombëtare shqiptare. Kjo ka qenë vija e hija e zezë politike serbo sllave, ushtarake, diplomatike e akademike e saj që pengoi e pengon edhe sot e kësaj dite çështjen kombëtare shqiptare në mirë zhvillimin ekonomiko-kulturor të saj në krah e nivel të kombeve të tjera, duke mohuar historinë dhe identitetin etnik kombëtar.
Zhvillimet historike, pas shpalljes së Pavarësisë të cilën u përpoqën që ta sabotonin me çdo kusht, e kanë penguar, sabotuar hap pas hapi në të gjitha qeverisjet shqiptare, duke futur pykën e përçarjes, intrigat e vllavrasjen, denigrimin, shpërnguljen e asimilimin deri ne gjenocid të hapur kriminal. Të gjitha këto me një platformë të sofistikuar që me “Naçartanjen” e famshme, teoritë politike të qeveritarëve, studiuesve të tipit, Ilia Garashanin, Vlladan Gjergjoviç, Stojan Protiç, Jovan Cvijiç, Nikolla Pashiç, Bogdanoviç, Çubrolloviç e duke vazhduar me ekspertët ushtarak Radkoviç, Gurishiq, Skoka e tjerë. Të gjithë falsifikatorë agresiv ndaj çështjes shqiptare që historia objektive e Tiranës dhe e Prishtinës e ajo botërore i ka hedhur poshtë me kohë.
Vija politike dhe ajo e historishkruarjes në Serbi humbjet që me Betejën e Kosovës më 1389, ku serbët, me kualicionin e tyre, u mundën nga turqit, edhe Betejën e Lumës, të humbur me turp prej tyre, janë përpjekur të numërojnë si fitore të tyre. Ndërsa pa vecuar Betejën e Lumës, me objektivitet kanë vlerësuar luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman dhe pushtuesve të rinj ballkanik si E. Durhan, J. Svire, A. Simorad, Zh. Godard, E. K. Helmuraihu amerikan, L. Frendlih, Gjenerali Herr, E. Guardiana e L. S. Stavianos etj. duke vlerësuar edhe rolin negativ ose pozitiv të Fuqive të Mëdha  të ndikuar thellësisht nga politika serbe e ruse ndaj çështjes shqiptare.
Luma e shkroi historinë e vet me armë e jo me laps në ato vite të stuhishme. Lufta dhe kryengritjet e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në Ballkan e tronditën pushtetin e sulltanëve që me Lidhjen e Prizërenit 1878, atë të Pejës 1899 e në luftimet në Kaçanik e Shtimje, në Duhël e Qaf Zhuri, në Lumë e në Kalanë e Dodës. E më 9-12 Gusht 1912 marshuan nga Ferizajt 30.000 vetë shqiptarë të veri-lindjes, 600 prej tyre lumjan e çliruan Shkupin, fitore e shqiptarëve kundër turqve që u sabotua nga marrëveshja e fshehtë midis Turqve e Serbëve të cilët nuk vonuan t’u binin prapa krahëve trojeve shqiptare. E njohur është rezistenca e shqiptarëve kundër invazionit Serb – Malazez në Prishtinë, në Llap e Gallop, në Pejë e Gjakovë edhe Duhël, Shtimje, Prizren e Lumë. Po Beteja e Lumës në këtë luftë është kulmore se e theu e shpartalloi karrocatën luftarake pushtuese serbe prej dy divizionesh, prej 16-18.000 ushtarësh. (kujto vazon e dheut ne Muzeun e Beogradit)
     Në ato vite Lumjanët, Hasjanët e Dibranët nuk patën kohë të shkruanin historine e tyre, se hakmarrja mizore serbe e 1913 qe e pashembullt në histori, po kënga e fitores jehoi breg më breg e mal më mal sa e dëgjoi edhe Europa e Bota. Siç dihet historiografia zyrtare shqiptare filloi të shkruhej vonë. Model i kësaj historishkruarje qenë rilindësit V. Pasha, S. Frashëri, J. Vreto e për të vazhduar me N. Nikaj, F. Noli, M. Gramenon, Sh. Gjeçovin, M. Frashërin e më vonë Abaz  Ermeni, T. Zavalani, N. Kolecin etj, të cilët Betejën e Lumës të 1912, ndryshe me periudhën e  Lidhjes Prizërenit, e kanë anashkaluar. Pas çlirimit më 1947, për herë të parë u themelua Instituti i Shkencave, që botoi në disa numra Buletinin për Shkencat Shoqërore, me shkrimet për historinë, të autorëve shkencor si A. Buda, K. Frashëri, A. Puto, Sh. Rrahimi, S. Rizaj, G. Shpuza e tjerë. Edhe këtë për arsye të fobisë e konjukturës politike e kanë anashkaluar këtë Betejë të Lumës. Kjo situatë anashkalimi e theksuar ishte edhe ne tekstet akademike e shkollore.  Përjashtim bëjne vetem historianët Zekiria Cana, Thoma Murzaku e Gjeladin Shala.
Kjo heshtje, për fat të keq, për të njëjtat arsye, në këtë linjë ka vazhduar edhe pas vitit 1991 e vitet 1994 e 1999 kur pati rishkruarje të teksteve të historisë së popullit shqiptar. Kjo situatë e zymtë ka qenë në rangun kombëtar. Në rangun lokal, Beteja e Lumës gjallonte nëpërmjet plagëve e dëshmorëve të luftës, këngëve epike dhe tregimeve e shkrimeve të pakta të mbetur gjallë në kujtesën e historisë. Dorëshkrimet e para i kemi nga Sheh Ali Bogdani, Rifat Spahiu, Tahir Kolgjini e më vonë nga Qemal Mataj, Shaban Braha, Shefqet Hoxha, Esat Bilali, Lutfi Çejku, Refik Shehu, Haziz Bulica etj. Kjo Betejë është trajtuar në sesione shkencore jubilare në Kukës, në kuadrin e 60, 70, 82, 90 e 95 vjetorit të saj e të shpalljes së pavarësisë në tryezat shkencore Kukës, Prizren, Shkodër, Rrëshen, Tiranë e Bruksel. Veç librave, skicimeve e portreteve të udhëheqësve popullor të kësaj treve si për I. Spahiun, R. Zaskocin, R. Çejkun, M. Litën, S. Elezin, R. Zapodin, Q. Likën etj, kjo betejë është pasqyruar edhe në shkrime letrare, poezi e prozë, në piktura e skulpturë, në artin muzikor e këngët historike, si p.sh Poema Simfonike: “Luma për Liri” e Binak Elezit apo te tekstet, kompozimet e këngët e H. Gjanës, P. Sinamati, B. Herenit, E. Allaraj, S. Ferizit, Qemal Miftarit, Osman Shehut, Ymer Halilaj e tjerë të kënduara me mjeshtri e pathos kombëtar nga Kovaçi, Dida, Çela; N. Elezi, K. Hasa, R. Peposhi, A. Vladi, S. Karaxha, Rr. Dani, K. Muçmataj etj. Për shkrime letrare të kësaj periudhe u aktivizuan: L. Matmuja, P. Palushi, Helena Halilaj; poetët A. Spahiu, I. Duraku, M. Gjana, H. Bulica etj, e në skulpturë e pikturë: Hylmi Hoxha, Hasan Nallbani, Alajdin Tabaku, Muhamet Kerpaçi, Kujtim Bilali, etj.
     E gjithë kjo punë, pothuaj se ka ngelur në kuadrin e studimeve e veprimtarie lokale. Problemi i hapur ky për tu zgjidh në të ardhmen. Le të na lejohet të kujtojmë diçka të hidhur po jo pa domethënie: Në luftën kundër Lumës, serbët me 1912-1913, deklaruan me cinizëm se “Luma u bë shkrum e hi... Luma nuk ekziston më”. Po në sajë të vitalitetit e heroizmit popullor lumjan, Luma jetoi e jeton, po me një mungesë të ecurit të saj, edhe kjo kërkon sqarimin e saj administrativ. Regjimi i diktaturës pas vitit 1954 rrethit të Lumës, dhunshëm ja hoqi emrin Luma, Luma me famë të madhe historike, dhe u emërua Rrethi i Kukësit. Po pse ndodhi kjo? Fobia e konjukturave politike te pushtetmbajtësit tonë ndaj politikes serbe përbën shkakun kryesor për në atë kohë. Po, pas 1990, kur diktatura u shemb, pse nuk i kthehet emri administrativ i Lumës ashtu siç e ruajn rrethet e krahinat tjera si Hasi, Tropoja, Puka, Mati, Dibra e deri Librazhdi, Korça, Përmeti, Mallakastra e tjerë? Mos vallë kjo fobi e konjuktures politike me politikën serbe ekziston ende në Parlamentin pluralist demokratik Shqiptar, e qeverimbajtësit tonë kanë harruar atë që, siç thoshte Aleks Buda “politikanët serb edhe buzëqeshjen e kthejnë në kafshim?”  Ashtu siç na kafshoi Millosheviçi me mina e predha në zonën  Tropojë - Has - Kukës duke lënë me dhjetra të vrarë e qindra të plagosur, pa iu përgjigjur dëmeve të luftës pa kërkuar ndjesë për gjithë ate gjakderdhje në Kosovë e viset tona.
Vlerësim i madh është fjala e kryeministrit Berisha në Lapaj të Bushtricës me 4 Nëntor 2012, si i pari udhëheqes shqiptar qe e vlerëson luften e Lumes, kur tha: “Në nëntor të vitit 1912 burrat dhe gratë e Lumës do t’u jepnin këtu barbarëve Vaterlonë e vërtetë, do të shndërronin në kocka hordhitë e pushtuesve të rinj, të cilët menduan se erdhi koha të eksterminonin kombin më të vjetër të rajonit. Ato beteja mbetën themel i pavarësisë së shqiptarëve”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›