Berisha: Rama do ia lërë Bashkinë Veliajt
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, inauguroi dje disa projekte me financime nga donatorë të huaj
TIRANË- Inaugurimi i projekteve, që po nisin apo që kanë përfunduar dhe premtime se të tjera do të vihen në zbatim, janë kryefjala e takimeve të Kryeministrit Berisha në çdo zonë elektorale ku ai merr pjesë.
Fillimi i punimeve në autostradën Shkodër -Hani i Hotit është cilësuar nga Kryeministri, si një vepër madhore dhe me rëndësi të madhe për bashkëpunimin tregtar e turistik, që lidh vendin tonë me Malin e Zi.
Zakonisht inaugurimet dhe prerjet e shiritave ruhen për fushatë, për t'i treguar popullit, që qeveria ka punuar dhe po punon për interesat e qytetarëve, por shumica e projekteve financohen nga donatorët e huaj apo vendet fqinje.
Rasti konkret i një financimi të huaj, ku meritat i merr qeveria jonë është ai i autostradës Shkodër-Hani i Hotit, ku 30 mln euro financohen nga qeveria Italiane dhe vetëm 10 mln euro nga qeveria jonë.
Megjithatë, Kryeministri Berisha nuk ka hezituar ta quajë këtë një ngjarje me rëndësi të madhe për vendin në tërësi dhe Shkodrën në veçanti. Më pas ai është drejtuar drejt qendrës doganore të Murriqanit, ku është takuar me Kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviç, për të inauguruar një pikë të re kufitare, atë të Murriqan-Sukobinës.
Edhe ky një projekt i mbështetur nga Komisioni Evropian, ndaj Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për KE-në dhe vendet anëtare të BE-së për realizimin e këtij projekti.
Ndërkohë, pasditja e djeshme ka vijuar me takimet e radhës me elektoratin e njësive bashkiake nr. 3, 4, 5 dhe 7 të Tiranës, në Laprakë, Vorë e Kashar ku kryetari i PD-së rikujtoi të pranishmit se tashmë Shqipëria është vend anëtarë i NATO-s, por duhet të bëhet edhe i BE-së.
Thuajse në të gjitha takimet e pasdites, Kryetari i PD-së, i është drejtuar liderit të opozitës, Edi Rama, me të njëjtën frazë: "E keni dëgjuar atë për dy vjet rresht, duke ju thënë juve dhe gjithë shqiptarëve; "ejani përtej të majtës dhe të djathtës". Por çfarë na del tani "përtej të majtës dhe të djathtës"?
Dalin 99-shat, me të cilët ai ndan lejet e ndërtimit. Deri dje u thoshte qytetarëve të Tiranës se nuk jap dorëheqjen, se do të jem kryetar bashkie dhe kryetar qeverie, si Enveri në vitet 50. Pastaj, kur i thanë se me këtë që po shpreh nuk të mbetet gjë tjetër vetëm se të deklarosh se do të jesh edhe ministër i Brendshëm dhe ministër i Jashtëm dhe të riprodhosh modelin e 50-ës, tashmë u thotë qytetarëve të Tiranës se do të jap dorëheqjen dhe në kopshtin tim do të lë jo Shalsin, por Veliajn".