Tenton të hapë pus, vdes në 30 metra thellësi punëtori
ASFIKSIMI/ Sipas ekspertizës së kryer ka rezultuar se Luigj Pepa ka vdekur si pasojë e mungesës së oksigjenit
SHKODËR - Ka dashur të hapë një pus uji, por ka gjetur vdekjen në thellësinë rreth 30 metra si rezultat i mungesës së oksigjenit. Luigj Pepa, 44 vjeç, lindur e banues në fshatin Grudë e Re në Shkodër, ka gjetur vdekjen aksidentalisht, ndërsa për nxjerrjen e tij nga pusi i hapur është dashur ndërhyrja e forcave të RENEA-s.
Ka qenë ora 09:30 e së premtes kur Luigj Pepa ka zbritur në thellësi të pusit që kishte nisur të hapte, në oborrin e banesës së një fqinji të tij. Por mungesa e oksigjenit dhe temperaturat e larta kanë sjellë asfiksimin e tij në thellësi dhe ai ka mbetur pa jetë.
Mësohet se 44-vjeçari e bënte dhe herë të tjera këtë punë, për të mbijetuar, pasi zona ku ai jeton ka mungesë të ujit të pijshëm dhe e vetmja alternativë që banorët ta kenë atë, është hapja e puseve. Kanë qenë personat e tjerë që punonin bashkë me 44-vjeçarin, ata kanë dhënë alarmin dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e Luigj Pepës, në pus ka hyrë një kushëri i tij, 18-vjeçari Kristian Vata, i cili nuk ka mundur pasi është asfiksuar edhe vetë.
Personat e tjerë të mbledhur rreth pusit kanë mundur të tërheqin lart dhe të nxjerrin 18-vjeçarin, i cili është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në pamundësi për të nxjerrë trupin e pajetë të 44-vjeçarit, policia e Shkodrës ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të specializuara të RENEA-s, të cilët kanë hyrë në thellësi të pusit dhe vetëm rreth orës 14:50 kanë mundur ta nxjerrin.
Banorët e fshatit Grudë e Re dhe të afërm të viktimës janë shprehur se shteti është treguar neglizhent dhe nuk ka ndërhyrë në kohën e duhur, ndërsa shprehen dhe për mungesën e ujit të pijshëm që i detyron ata të hapin puse.
Sipas policisë, duke parë zhvillimet e ngjarjes ku në fund të pusit ndodhej një i vdekur, ndërsa një tjetër ishte dëmtuar rëndë pasi kishte tentuar të hynte e ta nxirrte, ajo ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe nuk ka lejuar persona të tjerë të tentonin të hynin në pus, pasi kjo mund të sillte pasoja të tjera më të rënda. Policia e Shkodrës nuk disponon mjete dhe efektiva të përgatitur për të ndërhyrë në situata të tilla, ndaj ka kërkuar ardhjen e forcave të RENEA-s, të cilat mundën ta nxirrnin kufomën nga pusi.