Problematika, dhjetëra qendra votimi në lokale të PD-së
KQZ nuk merr vendim për qendrat e votimit. Kërkohet verifikim për vendndodhjen. Qendra votimi, edhe në thertore kafshësh e shtëpi banimi
TIRANË- Kur ka mbetur edhe një javë kohë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përcaktuar ende vendndodhjen e qendrave të votimit, ç'ka për vetë problematikën që mbart, rrezikon të sjellë një hallakatje të zgjedhësve ditën e votimit.
Shkak për vonesën janë bërë njësitë e qeverisjes vendore të cilat përveçse kanë shtuar apo bashkuar qendra votimi në kundërshtim me ligjin, një pjesë të mirë të tyre i kanë kaluar në ambiente private, si lokale, zyra, por ku nuk kanë munguar dhe vende të tilla si thertore kafshësh, SMT, shtëpi banimi etje, pa dhënë me saktësi një adresë të tyre dhe pa paraqitur të dhëna të plota për gjendjen e ambientit dhe përshtatjen e tij në funksion të zgjedhjeve, apo për pronarët që i zotërojnë.
Pikërisht kjo problematikë prej tre ditësh ka angazhuar KQZ-në për të gjetur një zgjidhje për zhbllokimin e situatës, çka deri më tani ka qenë pothuajse e pamundur. Nyje gordiane janë bërë QV-të e vendosura në ambientet private, për të cilat palët në KQZ kanë dyshime për hile politike nga ana e krerëve të qeverisjes vendore. Situata më e rëndë duket se ekziston në Tiranë, dhe veçanërisht në Kamëz ku 22 qendra votimi janë propozuar prej kryebashkiakut të saj Xhelal Mziu në lokale apo dyqane private, pavarësisht se në zonë ekzistojnë ambiente të konsiderueshme publike si shkolla, çerdhe, kopshte etj.
Kanë qenë dy përfaqësuesit e PS-së ata që gjatë mbledhjes së djeshme kanë parashtruar në KQZ një sërë pretendimesh për këtë fenomen, i cili ka qenë i shtrirë thuajse në të gjithë vendin, por që arrin kulmin në Kamëz.
Duke iu referuar rastit të Kamzës, ata kanë akuzuar kreun e bashkisë së saj se në mënyrë të qëllimshme ka vendosur që 22 qendra votimi t'i kalojë në ambiente private, pronarët e të cilave sipas tyre në shumicën e rasteve janë militantë demokratë.
Një pretendim ky që duket se nuk ka qenë fare pa baza, pasi ata i kanë vënë në dispozicion komisionit qendror të zgjedhjeve dhe fotografitë e bëra këtyre ambienteve, ku dukeshin qartë që në hyrjet apo tarracat e të cilëve valëvitej flamuri i PD-së, apo qenë vendosur postera elektorale të kësaj force.
Gjithashtu, ata kanë paraqitur fakte se në disa raste ambientet private që janë propozuar për qendra votimi janë në pronësi edhe të drejtuesve lokalë të PD-së. Një fakt i tillë sipas socialistit Gjonçaj është e papranueshëm dhe antiligjor, pasi pritet të ndikojë negativisht tek zgjedhësit jo demokratë.
"Jemi kundra të 22 qendrave të votimit që janë vendosur në ambiente private në ZAZ të Kamzës. Ne s'mund t'i çojmë zgjedhësit në këto ambiente, ku duken qartë flamujt e PD-së, pasi do të intimidohen.
Madje njëra prej qendrave të votimit, që është vënë në dispozicion prej kryetarit të bashkisë është shtëpia e sekretarit të degës së PD-së për këtë zonë", - tha përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj. Por duket se ky nuk është një shqetësim vetëm i përfaqësuesve socialistë në KQZ, pasi edhe KZAZ-ja e Kamzës ka dalë kundra kryetarit të bashkisë dhe me anë të një letre të firmosur jo vetëm nga anëtarët e majtë por edhe përfaqësuesi i PR-së, dërguar KQZ-së dhe OSBE/ODIHR-it, kërkon që këto QV të vendosen në ambiente publike, që ekzistojnë me shumicë në këtë zonë.
Por, sipas përfaqësuesit demokrat, Niazi Kosovrasti, në rast se do të bëhej një ndryshim tani një javë para zgjedhjeve, atëherë procesi në këtë zonë do të hidhej në erë, pasi do të ngatërronin zgjedhësit qendrën e votimit. "Në rast se anulojmë ato atje, atëherë do të krijojmë një hamulli totale për zgjedhësit ditën e votimit, pasi ata tashmë janë njohur me qendrën e tyre të votimit", - tha Kosovrasti.
E njëjta situatë është evidentuar edhe në disa ZAZ të tjera ku nuk kanë munguar rastet ku lokalet e përcaktuara për QV-të kanë qenë të krerëve demokratë të zonave përkatëse. E gjendur përpara një situate të tillë, KQZ ka vendosur të shtyjë vendimmarrjen për këtë KZAZ ashtu si në shumë të tjera ku është hasur një problematikë e tillë, me qëllim që t'i lërë kohë administratës që të bëjë verifikimet e duhura.