E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama i quan nxënësit dele, ofendon mësuesit. Trojet e shkollave i bëri pallate

PESHKOPI- Kryeministri Sali Berisha ka përuruar sot në Peshkopi ambientet e gjimnazit Said Najdeni, të këtij qyteti. Pasi ka vizituar klasat e reja dhe kabinetet moderne, Berisha është shprehur se arsimi mbetet prioritet i qeverisë.

“Arsimi përbën një nga përparësitë absolute e më madhore të programit të saj. Shqiptarët do kenë të ardhmen që meritojnë”, tha Berisha ndërsa premtoi për mësuesit rritjen e pagës së tyre deri në 700 dollarë në 4 vitet që vijnë.

Nga kjo shkollë, kryeministri i ka bërë thirrje liderit të opozitës Rama të mos ofendojë dhe kërcënojë më mësuesit me deklaratat e tij.

“Alternativa tjetër është e provuar, zotëria i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se 100 vite më parë. Iu thoshte qytetarëve të Tiranës nuk ndërtova shkolla se nuk kisha para, 21 milionë euro kredi të garantuar ka pasur nga qeveria për shkolla. Me gjysmën e këtyre parave bashkia Kamëz ka ndërtuar 13 shkolla, ndërsa ajo e Tiranës 7, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin pallatet e miqëve të klientelës. Të heqë dorë nga ofendimet kolektive. Ditën tjetër i thotë mësuesve do shihni hekurat. Dje i shkatërruar nervash ka marrë në telefon një drejtoreshë shkolle dhe e ka kërcënuar”, tha Berisha.

Ndërsa duke iu drejtuar mësueve, kryeministri tha se ata janë të lirë të besojnë dhe mbështesin forcën politike që dëshirojnë.

“Mësues e mësuese, çfarëdo bindje që keni, jeni të lirë mbështesni partinë që ju besoni, ju nuk jeni qenie laboratorike. I kërkoj zotit Rama të marrë në telefon zonjën që ka kërcënuar dhe t'i kërkojë të falur. Ti je mësuar me disfata, ato meriton, trego respekt për shkollën e arsimin. Ka të meta e dobësi, por këto nuk zgjidhen me të shara e mallkime”, tha Berisha më tej.

Sipas kreut të qeverisë, një zot e di si ia nxë goja liderit të së majtës të deklarojnë se 54% e nxënësve shqiptarë janë analfabetë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›