Rama: Do të zgjidhim çështjen e pronës, kthime pronarëve dhe legalizime
Durrës- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot paradite një takim me banorët e fshatit Rrashbull në Durrës, ku ka premtuar zgjidhjen e çështjes së legalizimeve me ardhjen e socialistëve në pushtet.
Kryesocialisti u shpreh se qeveria dështoi me procesin e legalizimeve, duke premtuar se çertifikatat e para të pronësisë do t’i dorëzojëpas 23 qershorit vetë shefi i PS-së, Edi Rama.
Kanë 20 vjet duke ju thënë ndërtoni pa lejë. Demokratë kanë 20 vjet duke ju thënë fshatarëve punoni se ne ju japim çertifikatën. Pas 20 vitesh as pronarët nuk kanë kompesim prone e ata që kanë ndërtuar me gjak sakrifice nuk kanë një copë letër që bën pasurine e patundshme. As të tjerët nuk kanë një copë letër që u njeh tokën si tokën e tyre. Pa zgjidhur këtë nyje Shqipëria nuk shkon përpara. Ka kohë për vëmendje vetëm kur duhen votat. Ne do të kemi tek ju vëmendje çdo ditë. Ne në mandatin tonë që do të marrim nga vota e 23 qershorit do të zgjidhim çështjen e pronës. Trasparencë për atë grabitje që u është bërë pronave të shqiptarëve, pronave të përbashkëta dhe pronave private. Ata që kanë dalë pronarë me dhjetra hektarë në bregdet ndërkohë gjyshërit kanë parë vetëm malin, ato prona do t’i kthejmë. Ato prona do ti marrin pronarët që e provojnë se janë pronarë me dokumenta,- tha ai.
Më tej ai premtoi se Partia Socialiste do të zgjidhë problemin e legalizimeve menjëherë pas 23 qershorit, duke thënë se në këtë zonë do të jetë ai që do ti dorëzojë vetë çertifikatat e legalizimit me dorën e tij.
Po sot ai ju ka bërë thirrje banorëve që të mos i jenë besnikë vetëm një partie, pasi sipas tij Partia Demokratike po sjell vetëm rrënimin e vendit.
Votën shikojeni si një armë për të qëlluar në shenjë. Për ta ndëshkuar këtë pushtet. Demokratët nuk do bëhen socialitë. Duke mos votuar PD-në do të kenë një PD-që të jetë në xhepin e tyre. E cila flet në emër të tyre dhe flet në emër të një personi dhe të tjerëve që punojnë për të. Qytetarët jetojnë keq e më keq dhe mbajnë ato besnikëritë që janë për futbollin dhe jo për politikën. Tifozlliku me një parti është katastrofë. Kur një parti nuk të përfaqëson përse të duhet. E votove një herë, dy herë, përse voton prap. E ke mendjen në vend dhe të shofësh çfarë ndodh, përse e voton? Që të mbash peng veten? Pas asaj karrocës së Dylit?- vijoi ai.
Rama në vijim ka thënë se Partia Socialiste bazohet në punë konkrete dhe jo në deklarat boshe. Ai shtoi se duke votuar PS-në, do të votoni një shërbëtor që nuk ju le në baltë.
Nuk do ju themi hani BE-në, punë e madhe që nuk keni ujë. Hani fotografitë e kryeministrit dhe hani deklaratat e progresit, nga ata që e shohin Shqipërinë nga larg. Ndërkohë që nuk keni me çfarë punoni tokën. Çdo ditë do bëjnmë diçka për ju, jo llafe por punë,- tha ai.