E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Rama kerkon te bllokoje per here te trete statusin kandidat

Kryeministri, Sali Berisha i bëri sërish sot thirrje lidershipit socialist që të votojë heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. Përmes zëdhënëses së Kryeministrit, Erla Mëhilli, shefi i ekzekutivit rikujtoi se jo më larg se dje trojka në Tiranë u shpreh se heqja e imunitetit është vendimtare për progresin e vendit. Në vlerësimin e tij, me qëndrimin e rradhës lidershipi socialist kërkon që të bllokojë për të tretën statusin e vendit kandidat. 
“Heqja e  imunitetit për qeveritarët, deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit është sot, kërkesa më themelore për Shqipërinë, klasën e saj politike dhe çdo shqiptar nga Komisioni Europian dhe 28 vendet anëtare, që të votojnë për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian.
Por heqja e imunitetit për ministrat, deputetet, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë ka rëndësi vendimtare në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, këtij kanceri të vërtetë social që çdo ditë, nëpërmjet sëmundjeve, papunësisë, mjerimit ekstrem që shkakton merr jetën, fëmijërinë dhe rininë e qindra dhe mijëra qytetarëve të pafajshëm”, u shpreh Mëhilli, gjatë prononcimit të saj për shtyp. 
Pasi solli në kujtesë përpjeket disa vjeçare të PD-së në funksion të realizimit të kërkesës për heqjen e imunitetit, Mëhilli bëri me dije për opinioni publik arsyen se përse lidershipi socialist refuzon të miratojë këtë kërkesë vendimtare për integrimin e vendit. 
“Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën evropiane. Zoti Rama, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike  dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian  të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi. Ai nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por diktatin e këshillit të miliarderëve me imunitet që e rrethojnë. Kryeministri i bën thirrje zotit Rama të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij dhe të votojë heqjen e imunitetit”, u shpreh zëdhënësja e Kryeministrit. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›