Kryetarja e parlamentit Topalli Skam marre asnje leter nga PS

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar për të sqaruar median dhe opinonin publik se në zyrën e saj nuk ka mbërritur asnjë letër e kreut të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi, letër që media e publikoi të hënën si adresim të tij ndaj zonjës topalli dhe ambasadorëve.
Në sqarimin e kryetares së Kuvendit thuhet gjithashtu se ajo shpreson që letra, e publikuar në media prej gati 24 orësh, të mos jetë një qëndrim zyrtar i Partisë Socialiste, pasi nëpërmjet saj kërkohet shtyrja e diskutimit për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imuniteteve, në sesionin e ardhshëm.
Së treti kryetarja e Kuvendit tërheq vëmendjen se heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët është një nga 12 rekomandimet kyçe për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian dhe në këtë kontekst i bën thirrje Partisë Socialiste t'i bashkohet nismës së depozituar në Kuvend dhe në datën 6 gusht të votojnë unanimisht për heqjen e imuniteteve.
Kjo nismë vë në dukje kryetarja e Kuvendit për të disatën herë është një projekt i hartuar nga misioni Euralius i Komisionit Europian dhe i PACA, projekti Antikorrupsion për Shqipërinë pranë Këshillit të Europës.
Ajo thekson më tej në sqarimin e saj se Parlamenti i Shqipërisë ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të futur në axhendë këtë nismë për ndryshimin e Kushtetutës.
Ajo sjell në vëmendje se, në Konferencën e Kryetarëve të organizuar për këtë çështje, Partia Socialiste nuk ka shfaqur kundërshtime dhe ka kërkuar të njihet me projektin. Prej atij momenti, janë njoftuar deputetet dhe nisma është shpallur publikisht, duke respektuar të gjitha kërkesat e Rregullores për këtë çështje, e cila është miratuar me konsensusin e të dyja palëve në vitin 2008 për të shmangur veprimet e nxituara.
Në mbyllje zonja Topalli ripërsërit ftesën për bashkëpunim ndaj Partisë Socialiste, dhe thekson se shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me justifikime. Interesi i shqiptarëve është që heqja e imuniteteve të miratohet me datën 6 Gusht për t'i dhënë vendit shansin e merituar në ecjen përpara drejt integrimit europian me standardin e transparencës dhe barazisë para ligjit të politikanëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtareve. Më tej në një njftim të dytë Kuvendi bën me dije procedurën e ndërmarrë në mënyrë kronologjike që nga datat 6 korrik kur u paraqit nisma e deputetëve të mazhorancës. Vendimin e konferencës së kryetarëve për shqyrtimin e nismës në datat 20 dhe 21 korrik dhe ftesën e të gjitha grupeve të interesit, konstitucionalistëve, përfaqësuesve nga gjyqësori, shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve të pavarura, profesorë, akademikë për të marrë pjesë në seancat dëgjimore.