E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama, kriza shqyrtohet në tryezën e Topit

Mazhoranca dhe opozita përballin sot kërkesat për zgjidhjen e krizës politike. Berisha thotë nga Italia se është njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve Kreshnik KUçAJ Mazhoranca dhe opozita do t’i drejtohen paraditen e sotme tryezës së presidentit Bamir Topi, me qëndrime krejtësisht të kundërta, që paralajmërojnë edhe mungesën e realizimit të një marrëveshjeje që në raundin e parë të bisedimeve. Në orën 11:00 të ditës së sotme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, do të ulen përballë kryeministrit Sali Berisha, që shoqërohet nga kryetari i deputetëve demokratë, Astrit Patozi. Në krye të tryezës do të jetë pikërisht organizatori Bamir Topi, në cilësinë e kreut të shtetit, që është një pozicion juridikisht mbipartiak. Referuar të dhënave paraprake që mësohen në rrugë jozyrtare, tryeza që do të bashkojë Berishën dhe Ramën për të negociuar do të jetë në sallën ku zakonisht zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Takimi në fjalë pritet që të jetë vetëm për pak minuta në syrin e publikut përmes kamerave, të cilat në momentin e nisjes së diskutimeve konkrete do t’iu duhet që të largohen. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shkon në këtë tryezë pas një konsultimi të gjerë me faktorin ndërkombëtar, me krerët e partive të koalicionit opozitar dhe me bazën e Partisë Socialiste. Qëndrimi që do të mbajë kreu i opozitës gjatë diskutimeve tashmë është qartësuar për opinionin publik dhe do të jetë kushti i pengociueshëm i garantimit të transparencës së plotë zgjedhore, në mënyrë që deputetët socialistë t’i kthejnë normalitetin parlamentit përmes ndërprerjes së bojkotit. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha paraqitet në diskutime me qëndrimin e palëkundur për të mos lëshuar në pikën e hapjes së kutive të votimit, për të cilën është shprehur në mënyrë kategorike se nuk do të pranohet se është antikushtetuese. Megjithatë, kryeministri Berisha dje nga Italia dha një mesazh, i cili mund të sinjalizojë se gjatë këtyre negociatave mund të ketë një produkt real, pra një marrëveshje politike që kërkohet për zgjidhjen e krizës. “Unë jam njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve”, tha Berisha, ndërsa ndodhej në krah të kryeministrit italian Silvio Berluskoni. Kryeministri shqiptar premtoi njëkohësisht, se do të bërë të mirën e mundshme që situata e tanishme politike në Shqipëri të marrë fund. Ndërkohë, tryeza e sotme në Presidencë duket se në mënyrë të pashmangshme do të pasohet nga tryeza të tjera deri në arritjen e zgjidhjes së krizës politike, që “detyroi” Këshillin e Europës të miratojë një rezolutë dhe një delegacion i lartë i tij të vizitojë Tiranën më 22 shkurt. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar një sërë takimesh informale mes ekspertit demokrat Oert Bylykbashi dhe atij socialist, Fatmir Xhafaj, por që nuk është arritur të realizohet një konsensus paraprak. Opozita: Kërkesa jonë, kutitë e votimit ose në zgjedhje Rama konsultohet me faktorin ndërkombëtar dhe opozitar në vend për qëndrimin që do të mbajë paraditen e sotme. Vendosmëri për hapjen e kutive Kreshnik KUçAJ Të gjithë faktorët opozitarë të bashkuar rreth Partisë Socialiste i konfirmuan kryenegociatorit Edi Rama mbështetjen dhe vendosmërinë për të mos pranuar përveç zgjedhjeve të parakohshme, asnjë zgjidhje tjetër për transparencën zgjedhore. Pasditen e djeshme, krerët e partive opozitare u mblodhën për një orë, ku diskutuan për qëndrimit që do të paraqitet në tryezën e presidentit Bamir Topi, ku do të diskutohet me mazhorancën për zgjidhjen e krizës. Pas takimit, kreu socialist nuk dha një deklarim për mediat, megjithatë aleatët e majtë e të djathtë që ishin në takim, konfirmuan se cili do të jetë qëndrimi zyrtar që do të paraqitet sot. “Ne shkojmë për kutitë fizike. Ndaj të kërkosh të kesh tryezë pa kuti është si të kërkosh një sofër pa bukë. E vetmja arsye që na bën që të mbështesim tryezën, është që kutitë ekzistojnë. Kërkesa për kutitë është e panegociueshme dhe është fillimi i një hetimi”, tha Erion Veliaj i G99-së pas takimit. Aleati opozitar tha se do të kërkohet rinumërimi i çdo kutie, për të cilën ka pretendime se janë manipuluar votat, edhe pse theksoi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një lotari. “Nuk themi që duhet të hapet çdo kuti, ama duhet të hapen parimisht kutitë, çdo kuti që dyshohet”, tha Veliaj, duke shtuar se negociatat do të jenë një pjesë e strategjisë, pasi opozita është e përgatitur që, në rast të dështimit të tyre, të rikthehet me protesta popullore. Edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha pas takimit, se qëndrimi i opozitës së majtë e të djathtë është i unifikuar. Kreu demokristian përmendi faktin se forca e tij politike është e vetmja që ka faktuar vjedhjen e votave në Qarkun e Shkodrës, prandaj sipas tij, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç hapjes së kutive të votimit që do të kërkohet sot në tryezën me Berishën. “Ne jemi të vendosur të kërkojmë transparencë, sepse e kemi vërtetuar që në Shkodër janë bërë vjedhje të mëdha dhe kjo gjë mund të ketë ndodhur në mbarë vendin. Nëse nuk do të ketë një transparencë për procesin zgjedhor, nuk ka shpresë për qytetarët. Nuk besoj që ka vend për një rrugë të mesme: ose do të ketë transparencë të hapjes së kutive, ose nuk ka zgjidhje të krizës”, tha Ndoka. Edhe aleati tjetër, Paskal Milo, i Partisë Demokracia Sociale, theksoi domosdoshmërinë e hapjes së kutive të votimit. Sipas tij, në rast se mazhoranca nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Milo parashikon se negociatat që nisin sot, nuk do të jenë të lehta dhe mund të prodhojnë një krizë tjetër. “Nuk do të jetë e lehtë që të ketë një fillim të mbarë, nëse mazhoranca do të shkojë me mendimin e vjetër që kutitë i ka në dorë ajo, por t’i drejtohet gjykatës. Nëse do të ndodhë kjo, Shqipëria rrezikon të rrëshqasë në krizë. Kjo do të sjellë në rrjedhë logjike, zgjedhjet e parakohshme. Opozita është shumë e vendosur, nuk ka asnjë mëdyshje për të ecur përpara deri në realizimin e asaj kërkese legjitime që ka bërë”, tha Milo. Ndërkohë, kreu socialist ka zhvilluar edhe një sërë takimesh të tjera paraditen e djeshme, kur ka mbledhur strukturën qendrore të Partisë Socialiste, ku u konsultua për bisedimet që do të bëhen sot. Më herët, Rama zhvilloi takime me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs, me ambasadorin spanjoll Manuel Montobio dhe me ambasadorin e Komisionit Europian, Helmut Lohan. Takimet u zhvilluan jashtë syrit të medias, megjithatë ajo që dihet është se diskutimet ishin të përqendruara te kriza politike në vend dhe tek tryeza e sotme. KE dhe PE: Presim lajme të mira nga Shqipëria Kryetari i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, inkurajoi dje liderët politikë shqiptarë, Sali Berishën dhe Edi Ramën, që përmes dialogut të zgjidhin krizën politike në vend. Pak orë para tryezës në presidencë, Buzek përshëndeti tryezën e sotme të organizuar nga presidenti Topi, duke vendosur theksin te prioriteti madhor i vendit, që është integrimi në Bashkimin Europian. “Mirëpres iniciativën e Presidentit Topi për organizimin e tryezës së negociatave me liderin e qeverisë dhe opozitës shqiptare nesër (sot) në Tiranë. Shpresoj që këto bisedime do të sjellin zgjidhjen e krizës politike, e cila lindi që nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit”, tha Buzek në deklaratën zyrtare të tij. Kreu i PE-së uroi që në bisedimet e sotme të realizohet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike, duke shprehur edhe urimet e tij për këtë. Ai tha se është në pritje të lajmeve inkurajuese nga Shqipëria për këtë çështje. “Iu uroj liderëve politikë shqiptarë fat të mbarë dhe pres që nesër nga Tirana të marr lajme inkurajuese”, ka shtuar Buzek. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Këshilli i Europës përmes sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, i cili përshëndeti iniciativën e presidentit Bamir Topi për organizimin e tryezës së dialogut mes liderëve të politikës shqiptare. “Mirëpres këtë tryezë, që erdhi në përgjigje të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri”, tha Jagland. Sipas tij, kjo iniciativë e ndërmarrë nga kreu i shtetit shqiptar shërben si një mundësi për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri dhe përparimit në reformat për integrimin në Bashkimin Europian. Ndërkohë, ditën e djeshme ka reaguar edhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, i cili në një deklaratë televizive u shpreh i shqetësuar për krizën politike në Shqipëri. Fule tha se, nëse kriza nuk zgjidhet gjatë negociatave që nisin sot, atëherë do të ketë një sërë implikimesh. “Vlerësoj se është e rëndësishme që pas zgjedhjeve demokratike, të vazhdohet me këtë proces demokratik, që do të thotë të vijohet diskutimi politik në kuadër të parlamentit dhe jo në rrugë. Ndaj i mirëpres sinjalet e fundit politike që vijnë nga Shqipëria. E thashë shumë qartë se, nëse kjo situatë vazhdon, se nëse nuk do të ketë shtrirje të gjerë të përpjekjeve të mira për gjetjen e zgjidhjes, kjo gjë mund të sjellë implikim negativ. Por shpresoj shumë, meqë jemi në kohë, që do të bëhen të gjitha përpjekjet e duhura tani për gjetjen e zgjidhjes”, tha Fule. PPE: PS të pranojë rezultatin e zgjedhjeve Grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian deklaroi dje, se është shumë i shqetësuar nga situata e vështirë politike në Shqipëri, ku Partia Socialiste ka bojkotuar parlamentin pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. Duke dalë në mbështetje të simotrës së tyre, Partisë Demokratike Shqiptare, Partitë Popullore Europiane u shprehën se Partia Socialiste duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe t’i kthehet parlamentit. Kryetari i këtij grupimi, Jozef Daul, deklaroi dje, se në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk u faktuan parregullsi apo manipulime në rezultatin zgjedhor. “Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të respektojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atë të Kolegjit Zgjedhor në Tiranë, të cilët e refuzuan kërkesën e saj të rinumërimit të votave. Opozita shqiptare duhet të punojë së bashku me qeverinë në rrugën e reformave ekonomike dhe atyre sociale, për ta ndihmuar vendin të përmbushë kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Daul. Po ashtu, edhe kryeministri italian, Silvio Berluskoni, partia e të cilit është pjesë e Partive Popullore Europiane, tha dje se opozita shqiptare duhet të kthehet në parlament, për të dhënë kontributin e saj për proceset madhore që i nevojiten vendit. Berluskoni u shpreh kundër bojkotit të Partisë Socialiste, duke kërkuar futjen e deputetëve socialistë në parlament. Këto deklarata vijnë në mbështetje të Partisë Demokratike, ashtu si deklaratat e grupimit të Partive Socialiste Europiane, të cilat kanë dalë në mbështetje të kërkesave të Partisë Socialiste shqiptare për transparencën e plotë të zgjedhjeve. “Në një demokraci që pretendon se është e pjekur nuk duhet të bojkotohet parlamenti, nuk duhet të bojkotohen punimet e seancave parlamentare. Opozita duhet të bëhet brenda institucioneve, pra brenda parlamentit. Kjo është edhe ftesa që unë nga zemra i bëj opozitës shqiptare. I thashë edhe zotit Berisha se, nëse i dukej e udhës, nisur edhe nga eksperienca ime dhe cilësia ime, besoj e pranuar e një demokrati liberal, mund të më ftonte të vija të flisja në Parlamentin Shqiptar. Unë do të isha i nderuar të thosha një fjalë pajtuese, sjelljeje demokratike, respekti. Nëse nuk ka vërtet dialog mes dy palëve dhe nëse të dy palët nuk e legjitimojnë njëra-tjetrën, nuk do të ketë një demokraci funksionale”, tha Berluskoni në prani të kryeministrit shqiptar. Kodheli: Berisha dhe Topalli keqinformojnë ndërkombëtarët Socialistët opozitarë të kryetarit Edi Rama thanë dje, se janë të keqardhur për atë që e vlerësojnë si “keqinformim” prej qeverisë të ndërkombëtarëve mbi shkaqet e vërteta të krizës politike në Shqipëri. Deputetja Mimi Kodheli vërejti se shumica pushtetare që drejton në koalicion kryeministri Sali Berisha, ka nxitur qëndrime të pavërteta mbi çfarë kërkon opozita e së majtës progresiste për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të shkuar. Sipas Kodhelit, nuk ka shanse që ndokush të konfirmojë atë që kërkon vërtet e majta opozitare dhe që lidhet kryekëput me të ardhmen e proceseve zgjedhorë referuar qartësimit të procesit të shkuar. “Jemi të keqardhur që zoti Daul është i keqinformuar nga znj. Topalli, ashtu sikurse është i keqinformuar dhe kryeministri Berluskoni nga z. Berisha. Ne duam pikërisht transparencën që bën Europa në raste si i yni, atë që bëri edhe Berluskoni në Itali, duke hapur shumë kuti për të verifikuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, - tha Kodheli. Sipas deputetes socialiste, është qartësisht korrekte kërkesa për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Ndaj, gjithnjë sipas Mimi Kodhelit, “e drejta jonë për hetimin e zgjedhjeve është kushtetuese”, pasi kjo çon në përfundimin se “jemi gati t’i japim fund bojkotit sapo të na garantohet kjo e drejtë”. “Kërkesa jonë për transparencë nuk ka të bëjë me vendimin e gjykatës për mandatet. Ne nuk duam të marrim pushtetin në tavolinë, duke hetuar zgjedhjet e shkuara, por duam t’i japim fund grabitjes së votave nga pushteti, duke garantuar zgjedhjet e ardhshme”, - tha Kodehli. Ajo theksoi se Shqipëria europiane ndërtohet vetëm me zgjedhje europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›