Berluskoni-Berishës: Lejoji skafet që sjellin femra të bukura

Deklarata e kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe e atij italian, Silvio Berluskoni, kthehet në një “shou komik”. Berluskoni: “Dihet që jam beqar...”
Kreshnik KUçAJ
Dalja e djeshme para mediave e kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe i atij italian, Silvio Berluskoni, u shndërrua në një “shou televiziv”, që kapërceu terminologjinë ekonomike, e cila ishte në qendër të vizitës, duke u kthyer në një takim të mbushur me batuta dhe të qeshura. Zgjedhja e kryeministrit Sali Berisha për të folur në italisht para mediave, artikulimi i pasaktë i disa fjalëve nga ana e tij dhe batutat për të cilat është i famshëm kryeministri Berluskoni, kanë krijuar mjaft të qeshura në sallë. Pavarësisht rëndësisë ekonomike dhe politike të vizitës, mediat italiane e përqendruan temën e artikujve informues pikërisht tek të papriturat e takimit, më shumë sesa te realizimi i marrëveshjeve apo te rëndësia e deklaratave. Ka qenë fillimisht artikulimi i gabuar i kryeministrit Berisha për fjalën “moratorium”, e cila ka ndezur “makinerinë” e batutave të “Kavalierit”. Në deklaratën e tij para mediave, Berisha foli për një sërë arritjesh të qeverisë shqiptare, duke i premtuar kryeministrit italian se, sa të jetë ai në pushtet, nuk do të lejojë asnjë skaf apo gomone që të mbërrijë në brigjet italiane për të sjellë flukse kriminelësh apo që rrezikojnë jetën e shqiptarëve. Entuziazmi dhe rëndësia që kryeministri shqiptar po i jepte këtij vendimi, ka sjellë ndërhyrjen e Berluskonit, i cili, përveçse për batutat, është i njohur edhe për marrëdhëniet e tij me femrat, për të cilat mediat italiane publikuan edhe një sërë fotosh e artikujsh skandalozë. “Për ata që sjellin vajza të bukura, mendoj se duhet të bësh ndonjë përjashtim”, ndërhyn Berluskoni duke qeshur. Po ashtu, e folura në italisht e kryeministrit shqiptar, i cili njihet më shumë si frëngjishtfolës, ka shkaktuar disa herë të qeshura, që është korrigjuar nga mikpritësi italian, i cili e komplimentoi kryeministrin Berisha për “vullnetin” e tij. “E flisni italishten në mënyrë perfekte, pa asnjë diksion të huaj”, tha Berluskoni, sërish duke qeshur. Në fund të deklaratës, dy homologët i dhanë dorën njëri-tjetrit, moment i cili shërben edhe për të bërë foto nga mediat e pranishme. Ashtu si aparatet fotografike, edhe kamerat fiksuan momentin e shtrëngimit të duarve, ku kryeministri Berluskoni po mundohej të shkëpuste dorën e tij nga ajo e kryeministrit shqiptar, që ai mbante të shtrënguar. “Kjo ishte fotoja më e bukur e ditës”, tha Berisha. Ky konstatim i kryeministrit shqiptar duket se nuk i pëlqeu edhe aq shumë kryeministrit italian, i cili do të dëshironte që të bëhej edhe një foto tjetër, në të cilën të ishin të pranishme edhe gazetaret shqiptare, për të cilat shprehu edhe vlerësime. “Sikur të ishte edhe ndonjëra prej tyre...”, tha Berluskoni, duke përmendur faktin se tashmë është i pamartuar.
Batutat
Berisha-Berluskoni
Kryeministri Sali Berisha e mban fjalimin e tij në italisht dhe artikulimi i fjalëve shkaktoi vazhdimisht ilaritet në sallën e konferencës. Kryeministri Berluskoni e inkurajon kryeministrin shqiptar për pasaktësitë gjuhësore duke thënë: “Komplimente. E flisni italishten në mënyrë perfekte, pa asnjë diksion të huaj, edhe pse e keni mësuar nga televizioni”.
Berisha flet për moratoriumin e skafeve, duke ngatërruar fjalën “moratorium”, e cila në italisht thuhet “moratoria”. Kryeministri shqiptar e shqipton “moratorio” dhe kjo sjell ndërhyrjen e Berluskonit, i cili thotë: Ne në italisht e kemi “moratoria”, se është në gjininë femërore kjo fjalë. Por ti ke të drejtë që e thua në gjininë mashkullore, se je mashkullor”.
“Të premtoj se, sa të jem unë në qeveri, do të ketë moratorium për mjetet lundruese. Nuk dua që fluksi i kriminelëve të zbarkojë në Itali, ashtu sikurse nuk dua që shqiptarët të vdesin në det”, thotë Berisha. Berluskoni e ndërpret duke qeshur: “Po, por për ata që sjellin vajza të bukura mendoj se duhet të bësh ndonjë përjashtim”.
Pasi dy liderët, Berisha e Berluskoni, bëjnë foton, në të cilën vërehet kryeministri shqiptar që nuk ia lëshon dorën homologut italian, Berisha thotë: “Kjo është fotoja më e bukur e ditës”. Berluskoni përgjigjet duke iu drejtuar gazetareve: “Beh, sikur të ishte edhe ndonjëra prej tyre...”. Menjëherë kryeministri Berisha nuk ngurron të plotësojë dëshirën e mikpritësit italian dhe iu bën me shenjë gazetareve që të afrohen. Në këtë mënyrë, për kryeministrin shqiptar vjen mundësia e realizimit të një fotoje tjetër të përbashkët, ku sërish batuta e Berluskonit nuk mungon: “Dihet që jam beqar...”
Në momentin e firmosjes së marrëveshjes mes dy vendeve, Berluskoni ironizon faktin e moshës së tij. “Nuk e di nëse do të arrij të firmos. Kam shkuar të fle që në orën 5 e gjysmë. Më është dashur të shkruaj disa shënime programatike për kandidatët rajonalë, të cilat kisha premtuar se do t’i dorëzoja sot në orën 10:00. Duket se jam duke u plakur, jam bërë i ngadaltë në të shkruar. Por akoma i respektoj impenjimet”, thotë Berluskoni. Menjëherë ndërhyn kryeministri Berisha, i cili i bën kompliment. “Shumë të rinj do të dëshironin ta kishin një energji të tillë”, thotë Berisha.
Opozita italiane:
Berluskoni i cilëson femrat shqiptare si mish për konsum
Komunistët italianë kanë reaguar shumë ashpër ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit Silvio Berluskoni, i cili ironizoi për emigrantët e paligjshëm, duke thënë se moratoriumi i qeverisë shqiptare duhet të lejojë vetëm femrat e bukura që të kalojnë. “Zbarkimi vetëm për vajzat e bukura? Berluskoni nuk e përgënjeshtron asnjëherë shpirtin e tij të kazermës. Edhe përballë një tragjedie si emigrimi i njerëzve të varfër në vendin tonë, në këtë rast nga Shqipëria, kryeministri nxjerr në pah fiksimin e tij për femrat, që i cilëson si mish të freskët për t’i konsumuar. është një i moshuar i pashërueshëm, që pretendon se udhëheq një vend të mbushur me propagandën e televizioneve dhe gazetave të tij”, deklaroi Paola Pelegrini e Partisë Komuniste Italiane, sipas gazetës “Corriere della Sera”. E ashpër në reagimin e saj u shfaq edhe Partia Italia e Vlerave (Italia dei Valori) e drejtuar nga Antonio di Pietro, që njihet për opozitarizmin e fortë që i bën Berluskonit. Në emër të kësaj force, përfaqësuesi Paolo Bruti theksoi se Berluskoni dhe Berisha “kanë vendosur t’ia ridorëzojnë Shqipërinë Italisë, sikurse para dy dekadash”. “Ideja e bukur është ajo e kthimit të Shqipërisë në një vend ku Italia mund të bëjë aty atë që nuk mund të bëjë në territorin e saj. Të ndërtojë impiante të rrezikshme gazi, të ndërtojë centrale bërthamore dhe madje të shkarkojë mbetjet radioaktive të Palermos”, tha përfaqësuesi i opozitës italiane.