Sektori publik në grevë mbarëkombëtare. BE gati spirancën e shpëtimit
Paralizohet Greqia
Ndërsa vendi u përball dje me protesta të shumta kundër planit të qeverisë “Papandreu” për reduktimin e deficitit buxhetor, BE diskuton sot për një plan shpëtimi financiar që do të ndihmojë Athinën
Punonjësit e sektorit publik në Greqi u përleshën dje me policinë gjatë grevës mbarëkombëtare njëditore, në protestë kundër masave të ashpra që po implementohen kundër krizës së rëndë financiare në të cilën ndodhet vendi. Siç raportoi BBC, policët përdorën gaz lotsjellës kundër protestuesve në Athinë, pasi disa kolektorë mbeturinash iu bashkuan grevistëve të tjerë, duke drejtuar kamionët përmes kordonit të policisë. Mijëra vetë u mblodhën në sheshin kryesor në qendër të kryeqytetit grek, disa duke valëvitur flamuj e të tjerë me daulle për të ngritur zërin kundër planit të qeverisë për ulur deficitin e lartë buxhetor. “Kjo është një luftë kundër punëtorëve dhe ne do t’i përgjigjemi me luftë, me përpjekje të vazhdueshme, derisa këto politika të përmbysen”, - tha Kristos Katsiotis, një përfaqësues i sindikatave. Një tjetër demonstratë u mbajt më vonë jashtë parlamentit grek. Kryeministri i vendit, Jorgos Papandreu, i cili ndodhet në Paris për të diskutuar mbi krizën ekonomike me presidentin francez, Nikola Sarkozi, është përballur edhe më parë me protestat e fermerëve që kërkojnë subvencione më të larta, të cilët bllokuan autostradat greke me traktorët e tyre për gati tri javë. Spitalet kanë funksionuar vetëm me shërbimin e urgjencës, shkollat janë mbyllur dhe janë pezulluar fluturimet. Qeveria greke parashikon të bëjë shkurtime të pagave dhe pensioneve, si dhe të rishikojë sistemin e taksave. Edhe anëtarët e stafit të kontrollit ajror morën pjesë në këtë grevë, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të shumta në trafikun ajror të vendit. Kompania më e madhe ajrore greke “Aegean” ka pezulluar të gjitha shërbimet e saj, ndërsa edhe kompanitë e huaja kanë anuluar disa fluturime.
BE gati të shpëtojë Greqinë
Pikërisht dje, ndërsa greva paralizoi gjithë vendin, mediat ndërkombëtare njoftuan se partnerët europianë të Greqisë mund të jenë shumë pranë arritjes së një plani shpëtimi financiar, pasi zyrtarët gjermanë kanë deklaruar se është rënë dakord parimisht mbi këtë marrëveshje. Gjithsesi, një samit i Bashkimit Europian që mbahet sot në Bruksel pritet të diskutojë për krizën në Greqi, me shpresën për të kufizuar rrezikun që i kanoset Eurozonës. Korrespondenti i BBC-së për çështjet ekonomike thotë se në radhët e Bashkimit Europian ekziston shqetësimi se problemet e Greqisë mund të ndikojnë negativisht në vendet e tjera që përdorin euron. Tregjet financiare dhe politikanët në mbarë Europën janë duke e ndjekur me vëmendje situatën në Greqi. Greqia është vënë nën presion për të caktuar kuota për uljen e shpenzimeve në buxhet, pasi deficiti i lartë mund të kërcënojë kredibilitetin e euros. Arsye është fakti që paketa e masave, kundër të cilave protestohet, është pjesë kritike e planeve të qeverisë për të reduktuar deficitin buxhetor. çdo shenjë që tregon dobësi të qeverisë në vendosmërinë e saj, mund të sjellë një shitje masive të bonove dhe aksioneve në ato tregje të shqetësuara se mund të mbeten të varura nga vendet europiane që janë të zhytura në borxhe.
Amerika ka nostalgji për Bushin?!
Shfaqen billbordera misteriozë të ish-presidentit amerikan
Që nga dita e djeshme, shumë automobilistë amerikanë janë duke pyetur veten lidhur me shfaqjen misterioze të disa billborderave nëpër autostradë, ku ndodhet ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush. Një gazetar jo fort i bindur për atë çka po ndodhte, kreu një hetim, falë të cilit arriti të rindërtojë pjesërisht qëllimin e asaj që në pamje të parë dukej si një fushatë publicitare. Ndonjëherë rikthehen. Këtë mbase kanë menduar banorët e shtetit Uajoming, kur panë tabelat gjigande në të cilat shfaqet Bush dhe fjalia “Ju mungoj që tani??”. Gazetat lokale raportuan lajmin me ironi, por pa hetuar më thellë, gjë të cilën vendosi ta bënte Bob Kollins, gazetar i radios publike “Minesota”. Ai arriti të lidhet me agjencinë që menaxhon hapësirën publicitare të billborderave në rrugë, duke i pyetur drejtuesit lidhur me vendosjen e tabelës së Bushit. Sipas Mary Teske, menaxhere e përgjithshme e agjencisë publicitare “Schubert & Hoey Outdoor Advertising”, billborderi është blerë nga një grup sipërmarrësish të vegjël lokal që dëshiron të mbetet anonimë dhe që ndjen se nuk hyn në preferencat politike të Uashingtonit. Pavarësisht faktit se Kollins u përpoq shumë që të gjente promovuesit e kësaj iniciative kurioze dhe qesharake, nuk arriti të ketë suksesin e shpresuar. Por ajo çka është e sigurt, gjithnjë sipas agjencisë, është se grupi i sipërmarrësve ka njoftuar se do të blejë edhe hapësira të tjera publicitare. Kushedi se kush tjetër do të përfundojë nëpër billborderat e tyre.
Afganistan, 157 viktima nga ortekët e borës
SHBA-të goditen nga stuhia e dytë
Numri i të vdekurve, si pasojë e ortekut masiv të borës, i cili ka bllokuar një kalim malor në veri të Kabulit, ka arritur në 157, ndërsa qindra persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemeri Bashary, theksoi se ekipet shpëtimtare kanë zbuluar 157 kufoma në kalimin Salang, rruga kryesore që lidh kryeqytetin e Afganistanit me veriun e vendit. Gjatë konferencës për shtyp në Kabul, Bashari theksoi se një pjesë e rrugës së bllokuar është pastruar, për të mundësuar kalimin e autoambulancave dhe shtoi se ekipet shpëtimtare deri më tani kanë arritur të nxjerrin nga rajoni 2600 banorë, të cilët kishin mbetur të ngujuar. Ortekët e borës kishin bllokuar rrugën të hënën, ku me qindra njerëz kishin mbetur të ngujuar në automjetet e tyre. Disa viktima ishin ngrirë në automjetet e tyre, ndërsa kufomat e shumë viktimave të tjera u gjetën përgjatë rrugës. Gjatë 24 orëve të fundit, rreth 400 policë dhe 100 vullnetarë u angazhuan në përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit nga bora, theksoi Bashari. Ndërkohë, moti i keq ka goditur sërish bregdetin lindor të SHBA-ve. Stuhia e dytë e madhe e borës brenda më pak se një jave ka paralizuar kryeqytetin amerikan, duke e provokuar mbylljen e qeverisë federative dhe të shkollave, duke filluar që nga Virxhinia, e deri në Nju Jork. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar ka parashikuar se stuhia do të shoqërohet me reshje bore në rajonin e Atlantikut. Me mijëra shtëpi në rajonin Uashington-Baltimore ende janë pa furnizim me energji, pas stuhisë së borës, e cila goditi rajonin të premten dhe të shtunën e kaluar. është parashikuar se edhe stuhia e dytë do të shoqërohet me erëra të fuqishme, të cilat mund të pengojnë sërish furnizimin e vendbanimeve me energji. Pjesa më e madhe e 230 mijë të punësuarve në institucionet federative nuk dolën në punë në Uashington. Megjithatë, disa zyra të qeverisë, përfshirë këtu Shtëpinë e Bardhë, pjesë të Kongresit dhe disa agjenci mbetën operacionale. Uashingtoni, Virxhinia dhe Merilendi kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që këtyre shteteve iu mundëson që të mobilizojnë Gardën Kombëtare, me qëllim që ajo të ndihmojë në përballjen me motin e keq.