E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama mori peng statusin, duke na privuar nga fondet e BE, gabim historik

BERAT- Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të qendrës së Komunës Lumas, në Berat, shprehu angazhimin se 4 vitet që vijnë se Partia Demokratike angazhohet të bëjë gjithçka për mirëqenien e fermerëve të Lumasit, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.

“Vij tek ju për t’iu garantuar se 4 vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në komunën e Lumasit. Garantoj fermerët e Lumasit se 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermat tuaja dhe projektet tuaja. Vij për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë do të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve në komunën tuaj dhe mbarë Shqipërinë. Vij këtu për t’ju garatuar se 4 vitet që vijnë ju do të keni zero taksa, do të rimbursojmë me para në dorë çdo import që bëni për fermat tuaja, për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe imputet e tjera që përdorni. 4 vitet që vijnë do të rimbursojmë taksën e vlerës së shtuar (TVSH-në) për çdo gjë që përdorni ju, për ullishtet, vreshtat, serat, gjedhët, të imtat, bletët dhe çdo gjë tjetër të ekonomive tuaja”, theksoi Berisha.

Kryeministri i vendit Sali Berisha nuk kurseu kritikat ndaj kreut të opozitës Edi Rama, duke e akuzuar se me bllokimin e statusit i mohoi shqiptarëve mijëra fonde nga BE.

“Unë vij këtu për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë mbështetja jonë për ju do shumëfishohet edhe nëpërmjet mbështetjes së Komisionit Evropian. Me përpjekjet më të ndershme, më të mëdha, të përbashkëta ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave dhe ju sot lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ia dolëm që në tetorin e vitit të shkuar KE të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votojë 3 ligjet. Rama ishte ai që mori peng statusin e vendit kandidat për Lumasin, Beratin dhe Shqipërinë. Ai që duke marrë peng statusin e vendit kandidat privoi fermerët shqiptarë nga një shumëfishim i mbështetjes së tyre financiare. Privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellësa. Nga krijimi i qindra mijëra vendeve të punës. Ai bëri një gabim që do mbetet në histori. 23 qershori po vjen. Së bashku me ne do të votojnë të gjithë qytetarët e Lumasit, Beratit dhe mbarë Shqipërisë që duan ta shohin vendin e tyre kandidat për anëtar në BE. Që duan që Shqipëria të hapë negociatat për në BE. Që duan që fermerët shqiptarë të përfitojnë më shumë për fermat e tyre, që të rinjtë të studiojnë në vendet europiane”, tha Berisha.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›