E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2009, ku do të shkojnë 5 miliardë dollarë



Investime në rrugë, dyfishim pagash, rritje pensionesh

Fondi për investime llogaritet në 100 miliardë lekë

Buxheti i shtetit për vitin 2009, që u miratua dy ditë më parë nga qeveria me një vlerë prej 5 miliardë dollarësh, rrit ndjeshëm mundësinë e investimeve. Pjesën e luanit pa dyshim që do ta thithin rrugët, ku për vitin 2009 parashikohet që një pjesë e mirë e tyre të përfundojnë tërësisht. Po kështu parashikohet dyfishim pagash për një kategori të punonjësve të administratës, rritje e pensioneve në masën 10 për qind dhe 20 për qind për pensionistët e fshatit. Buxheti 2009 që shkon në rreth 5 miliardë dollarë, me rreth 1 miliard dollarë është buxheti më i lartë i miratuar ndonjëherë nga qeveritë shqiptare.

Fondi për investime llogaritet në 100 miliardë lekë. Grantet konkurruese në vitin 2009 llogariten 8.7 miliardë lekë, 4 miliardë për rrugët dhe pjesa tjetër për ujësjellës, shkolla e shërbime të tjera lokale. Ky buxhet bën të mundur rritjen me 37 për qind të financimit të qeverive vendore nga qeveria qendrore. Në vitin 2009 ritmi i rritjes së të ardhurave llogaritet 10-11%. Buxheti i vitit 2009 realizon të gjitha premtimet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm, të 44 mijë arsimtarët shqiptarë do të ndiejnë dyfishimin e rrogave. Po ashtu, me shtesën që do t’i bëhet vitin e ardhshëm, 14 mijë infermierët shqiptarë do të kenë dyfishim të pagave. Rritje të ndjeshme të pensionit me 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje me 20 për qind, rritje kjo që garanton dyfishimin e pensioneve të tyre. Përfundimisht, pësojnë rritje të gjitha pensionet e natyrave të ndryshme, si dhe ndihma ekonomike. Rritja e pagave gjatë vitit të ardhshëm, e cila bëhet e mundur sërish në sajë të miradministrimit, administrata shtetërore do t’u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej 6. 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm të vendit.

Buxheti për vitin 2009 përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore. Të ardhurat në buxhet parashikohen 332 586 milionë lekë, shpenzimet parashikohen 382 596 milionë lekë, ndërsa deficiti parashikohen 50 010 milionë lekë. Buxheti vendor për vitin 2009 parashikon të ardhura 36 835 milionë lekë; nga të cilat: granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 18 42milionë lekë dhe shpenzimet 36 835 milionë lekë.

Shpenzimet e buxhetit të shtetit

Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë: shpenzimet korrente 202 281 milionë lekë; shpenzimet kapitale 89 512 milionë lekë; Fondi Rezervë 2 000 milionë lekë; Fondi i Kontingjencës 6 000 milionë lekë dhe fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve 8 200 milionë lekë. Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2009, sipas të cilit është përgatitur buxheti i shtetit i vitit 2009, është 107 000 veta. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavarura, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Paga e Presidentit të Republikës është 250 000 lekë në muaj.

Fondi Rezervë prej 2 000 milionë lekësh përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i Kontingjencës prej 6 000 milionë lekësh dhe fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve përdoret me vendime të Këshillit të Ministrave.

Në krahasim me vitet e kaluara, institucionet kanë përfituar më shumë fonde. Shtesat për vitin e ardhshëm janë të konsiderueshme, edhe duke pasur parasysh faktin se do të përdoren për rritje pagash, si dhe blerje materialesh për të rritur efektivitetin e këtyre institucioneve. Prokuroria do të përfitojë vitin e ardhshëm 120 milionë lekë të reja shtesë. Nga këto para, 40 milionë lekë do të përdoren nga prokuroria për shpenzime të tilla, si shërbime kompjuterike, karburant, përkthime, trajnime, ndërsa 80 milionë lekë do të përdoren për ndërtimin e godinës së re në qytetin e Korçës. Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 i shtohen 21 milionë lekë për mirëmbajtjen e programit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe 39 milionë lekë për projektin e ndërtimit të gjykatës në Korçë. Gjykata Kushtetuese për vitin 2009 do të përfitojë shtesë 2 milionë lekë për blerje pajisjesh. Këshilli i Lartë të Drejtësisë për vitin 2009 do të përfitojë 4 milionë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për transport dhe dieta. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, të citit do t’i shtohen 1 milion lekë të reja për kancelari dhe 1 milion lekë të tjera për blerje pajisjesh kompjuterike për zyrat. Fonde shtesë për dieta dhe shërbime transporti do të përfitojnë edhe Avokati i Prokurimeve me 1 milion lekë dhe Avokati i Popullit me 2 milionë lekë të reja. Jashtë kësaj liste nuk ka mbetur as Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili do të përfitojë 30 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit ARIES. KLSH-ja do të ketë 4 milionë lekë shtesë për shërbime dhe mirëmbajtje të zyrave. Shtesë fondesh do të ketë edhe Ministria e Drejtësisë, së cilës i shtohen 200 milionë lekë për të investuar në shërbimin e zyrës së pasurive të paluajtshme. Ministrisë së Brendshme i shtohen përkatësisht në programin “Policia e Shtetit”, shërbimet mbështetëse për vitin 2009, 1 miliard lekë. Një shtesë prej 300 milionë lekësh do të përdoren për shpenzimet e tjera nga kjo ministri. Njëkohësisht, është parashikuar një fond për trajtimin e familjeve të policëve të plagosur apo të vrarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›