E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti paralajmëron tryezën Berisha-Rama

05/02/2010  Kriza politike, kreu i shtetit shqiptar mirëpret gatishmërinë e palëve për dialog
Këto ditë Topi do të kontaktojë me palët për të përgatitur termat e bisedimeve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mirëpret dy liderët e partive kryesore në vend, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të negociuar për nxjerrjen e vendit nga kriza politike që e ka mbërthyer. Përmes drejtorisë së Informimit Publik të Institucionit, Presidenti Topi njofton se në ditët në vijim do të kontaktojë me dy protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për të diskutuar mbi temat që do të diskutohen me ndërhyrjen e tij. “Presidenti i Republikës, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama. Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare. Në këtë mënyrë numri një i shtetit shqiptar, pasi mori garancinë e palëve, për të negociuar mes tyre për zgjidhjen e krizës politike, paralajmëroi thirrjen së shpejti të tryezës politike. Lëvizjet më të fundit politike për vendosjen e Presidentit Topi si negociator të takimit mes dy liderëve, u nxitën nga rekomandimet e ndërkombëtarëve. Fillimisht përmes një projekti dhe më pas një rezolute të miratuar nga Këshilli i Evropës, kreut të shtetit shqiptar iu la si detyrë të bënte rolin e negociatorit, rol të cilin deri para dy javësh, Presidenti Topi nuk kishte “guxuar” ta merrte përsipër me iniciativë personale. Ndoshta për shkak të pozicionit të tij të dikurshëm, si ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, që kryesohej nga lideri aktual, Berisha, ndoshta për shkak të pozicionit të tij kushtetues dhe garant i saj, numri një i shtetit shqiptar ishte treguar “indiferent” ndaj ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në këtë konflikt politik PD-PS. Ai disa herë u kishte drejtuar apele palëve politike dhe vetëm kaq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›