E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po pengon integrimin e Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kryetarin e Partisë Socialiste se po kërkon të prishë atë që e cilësoi ëndrra europiane e Shqipërisë. Berisha tha se Rama zgjedh të protestojë në një kohë kur BE, i ka hapur rrugë proceseve që do të garantojnë për Shqipërinë statusin e vendit kandidat si dhe në një kohë të forcimit të sinjaleve për liberalizim të vizave në gjysmën e parë të vitit 2010. Kryeministri ripërsëriti se këto zhvillime për vendin vijnë për shkak të reformave dhe vlerësimit të standarteve që shënuan zgjedhjet e 28 qershorit.
“Këto zgjedhje i kanë dhënë dinjitet të madh çdo shqiptari, por në vend të që festojmë bashkërisht këto vendime të mëdha për projektin ëndërr të çdo shqiptari, për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur rrugën e protestës. Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t’i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t’i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme. Përgjigjen nuk t’a dha Sali Berisha, por e more nga qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor. Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Përgjigjen t’a dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët.”
Kryeministri bëri këtë deklaratë gjatë ceremonisë së inaugurimit të ujësjellësit të fshatit Gjokaj në Vorë. Bëhet fjalë për një investim me vlerë 39 milionë lekë, shtuar këtu dhe ndërtimin e rrugës kryesore të këtij fshati, me gjatësi 3.5 kilometra dhe vlerë 40 milionë lekë.
Ndërtimi i ujësjellësit i jep përgjigje përfundimtare një problemi gati 20-vjeçar për banorët e kësaj zone. Kryeministri përfitoi nga rasti të theksojë angazhimin e qeverisë që drejton për të tjera projekte që përmirësojnë cilësisht jetën në zonat rurale. Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria që drejton do të rrisë çdo vit pagat dhe pensionet për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›