FOTO REPORTAZH/ Një masakër nën sytë e të gjithëve
Nga Bledar Lumani
Dom Gjoni është një fshat i Mirditës që ndodhet vetëm pak kilometra larg Rrugës së Kombit, pranë tunelit të Kalimashit. Ka qenë një fshat relativisht i madh, me rreth dy mijë banorë. Tashmë është mpakur në disa dhjetra-qindra banorë.
Është një fshat 100% katolik, me njerëz miqësor dhe të afrueshëm. Pak a shumë si gjithë fshatrat shqiptarë. Në qendër të tij, ashtu si thuajse gjithë fshatrat me një farë madhësie, ka një lokal, që është ngjitur me një dyqan ku mund të gjesh nga çorapet, tek çokollatat, coca-cola, orizi e vaji. Nuk mund të mungonte sigurisht edhe një bilardo, karakteristike për fshatrat, ku pjesa mashkullore kalon pasditet dhe darkat.
Kishte edhe gjurmë moderniteti në fakt, duke qenë se në lokalin e vetëm të fshatit, që ishte shndërruar edhe në lloto, kishte dhe internet. Veçse ndodhej vetëm një kompjuter dhe djelmoshat domgjonas ngjeshnin kokat me njëri-tjetrin për të parë me kërshëri personin që lundronte jo pa vështirësi në internet.
Përballë lokalit ndodhet një shkollë 9-vjeçare, ndërkohë që ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, varrezat e Dom Gjonit ndodhen pikërisht në qendër të fshatit, mu pranë shkollës.
Panorama e qendrës së fshatit plotësohet me një kishë. Nuk kishte shumë kohë që ishte ndërtuar, diku tek 2-3 vite. Dhe, kishte një arsye në fakt, që ishte ndërtuar kaq vonë.
Vite më parë, disa prej djemve të fshatit, kush e di përse, kishin gjuajtur me gurë priftin e fshatit, duke bërë që ky i fundit ti mallkonte, ndërsa fshati të mbetej pa prift dhe kishë. Por, edhe tani që e kanë kishën, nuk është se u shërben shumë. Ajo ri mbyllur shumicën e kohës, ndërkohë që prifti i caktuar në të vjen në fshat dy apo tre herë në muaj, në mos më rrallë.
Çuditërisht, në fshat shihje shumë pak bagëti. Edhe në arra nuk është se kishte shumë të mbjella. Në bisedën e bërë në lokalin e vetëm të fshatit, mësova se pjesa më e madhe e domgjonasve, përveçse kishin nga një shtëpi të rregulluar në fshat, kishin edhe një apo dy shtëpi në Tiranë. Më vonë do e kuptoja arsyen.
Dom Gjoni shtrihet poshtë malit të Munellës, motivit të vizitës sonë. Së bashku me disa miq, kishim vendosur të ngjiteshim sipër në mal. Munella është diku tek 2400 metra i lartë dhe në majën e tij mund të gjesh borë gjithë verën.
Natën e kaluam në fshat, në çadra. Edhe pse fillim maji, nata ishte ende e ftohtë, ndërsa për të fjetur ishte paksa e vështirë. Jo më shumë nga i ftohti, por nga muzika e dasmës së një vajze shumë të re, 18 vjeç, që bëhej atë natë.
Vite më pare, sipas disa prej banorëve vendas që na bënë shoqëri, do ishte absurde të mendohej që të festohej martesa e një vajze. Në veri, martesa e një vajze shihej si një ngjarje e hidhur, pasi po largohej nga shtëpia një pjesëtar i familjes. Për këtë arsye nuk festohej. Por, kohët kanë ndryshuar. Tashmë jo që festohet, por në dasmën tonë kërcehej që nga ritmet e Makarenës së famshme, deri tek Gangnam Style.
Sapo zbardhi mblodhëm çadrat dhe u nisëm për tiu ngjitur Munellës. Nuk ishte shumë e vështirë në fakt, pasi për fatin e keq të tij, kishte një rrugë makine, që mund të ngjitëshe me lehtësi. Por, nuk zgjodhëm rrugën e lehtë. Vendosëm të ngjiteshim përmes një shpati të thikët të malit, të mbushur më shumë me shkurre se me pemë.
Ngjitja në mal do të na shfaqte një pamje dramatike. Dora e njeriut nuk kishte lënë pemë në këmbë. Një masakër e frikshme, e ngjashme me një apokalips. Tani po e kuptoja se si kishin arritur të blinin nga një apo dy shtëpi në Tiranë këta fshatarë miqësorë me ne, por jo me pyllin, që nuk merreshin me asnjë veprimtari bujqësore apo blegtorale.
Për 20 vite me radhë, në këtë mal është prerë çdo pemë e mundshme, duke shkatërruar kështu krejt ekosistemin. Në të nuk gjendet asnjë kafshë pylli apo shpend. Të vetmet gjallesa që hasëm rrugës dhe në mal ishin disa nepërka dhe gjarpërinj, që nxitimthi fshiheshin, dhe një buf që këndonte trishtueshëm, ndoshta gjendjen e këtij mali. Asnjë tingull gjallese tjetër. Madje as cicërimat e zogjve. Asgjë. Vetëm heshtje trishtuese.
I vetmi ngushëllim ishin disa livadhe mahnitëse për syrin, dhe dy-tre ujëvara jo shumë të mëdha, në të cilat çuditërisht gjetëm disa turistë. Ishte një ekspeditë me kosovarë, të cilët kishin vendosur të ngjiteshin deri në majën e malit.
Vallë nuk iu bën përshtypje kjo masakër mjedisore që kanë bërë? Po shteti përse nuk ka ndërhyrë gjithë këto kohë, pyeta jo pa irritim udhëheqësin e grupit tonë, Petritin, që është larguar nga Dom Gjoni shumë vite më parë.
Ka qenë e vetmja mundësi që ata të jetojnë dhe fitojnë, mu kthye me qetësi ai, ndërsa duke psherëtirë, mungesën e ndërhyrjes së shtetit e justifikoi me pragmatizëm, me faktin se Munella është shumë larg për tu shtrirë dora e ligjit.
Kthimi për në fshat, përveçse i trishtueshëm dhe i ngarkuar emocionalisht nga pamja e masakrës së kryer, ishte i bezdisshëm edhe prej tatëpjetës së pafundme që duhej të përshkronim, por dhe lodhjes që bënte punën e vet, dhe vapës. Gjithë entuziasmi i fillimit të udhëtimit ishte zhdukur dhe tashmë çprisnim që të mbërrinim në fshat, për tu kthyer në Tiranë.
Duke u kthyer në Tiranë, rrugës për në Kamëz rivura re mobilieritë e shumta që shtriheshin njëra pas tjetrës. Shumë prej pemëve të prera barbarisht në Munellë, me siguri që kishin përfunduar aty. Këtë fat duhet të kenë pasur apo do të kenë edhe pemët e shumë pyjeve të tjerë. Ndërkohë, ne nuk na ngelët gjë tjetër veçse mllefi dhe irritimi. Ndenja që do të na shoqërojnë deri në sensibilizimin e mundshëm të shtetit dhe vetë shoqërisë. Me shpresën që deri atëherë të mos jetë shumë vonë.




