Berisha: Rama po përdor komisionerët në KQZ
TIRANE- Pas përplasjes gjithnjë e më të thelluar me Partinë Socialiste dhe Komision Qendror të Zgjedhjeve lidhur me numërimin e votave në disa qarqe në vend, ndërhyn për herë të parë kryeministri Berisha. Berisha akuzon kreun e PS-së Rama se po përdor komisionerët e tij në KQZ për të justifikuar humbjen që kreu i PS-së sipas Berishës pësoi në 28 qershor.
“Nëse zoti Rama, përpiqet që me deklarata të tilla të maskoj përgjegjësinë që ka për humbjen, ajo është zgjedhja e tij. Nëse Rama njëherë nxjerr kutinë e Beratit, më pas të Fierit e me radhë për tu mbrojtur nga rezultati që nuk arriti, ky është problemi i tij”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Sali Berisha, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës ka mohuar çdo ndërhyrje të tij në KQZ, sikundër akuzon opozita.
“Po të analizohet veprimtaria e tyre, mendoj se komisionerët socialist i kanë lejuar vetes të përdorin dy standarde dhe në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë komisionerët përfaqësues të shumicës nuk kanë përdorur dy standarde, nuk kanë bërë dy interpretime të ligjit. Kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur nga komisionerët e Partisë Socialiste, por unë kam treguar mirëkuptim. E rëndësishme është një gjë, se unë që ditën e parë e deri më sot kam kërkuar të zbatohet ligji. Institucionet e vlerësimit të rezultateve duhet të punojnë jashtë presioneve”- theksoi Berisha.
Për herë të parë kryeministri Berisha ka pohuar se Partia Socialiste mund të ishte aleate e tij në koalicion, në rast se nuk do të ekzistonte Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryeministri është shprehur se mund të krijonte qeveri të përbashkët me socialistët.
“Në rast se LSI-ja nuk do të ishte një forcë me këto përmasa që vjen, unë gjënë e parë që do të bëja do ti kërkojë PS-së koalicionin. Dhe në rast se unë do të isha koalicioni i dytë dhe jo i pari, pas dorëheqjes sime do të rekomandoja koalicionin tim për të bërë koalicion me Partinë Socialiste”- tha Berisha.
Njeriu që drejton aktualisht qeverinë shqiptare kanë shpjeguar se deri në këto momente nuk ka bërë asnjë ndarje postesh me aleatët e tij përfshirë edhe LSI-në. Përsa i përket qeverisë së re, kreu i qeverisë ka shpjeguar se gjithçka do të nisë pas 28 gushtit duke e argumentuar këtë me ndikimin negativ që çdo lëvizje mund të ketë në administartën aktuale.
(a.r/news24/balkanweb)