E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hjuxhs: Bashkëpunimi me Shqipërinë, shembull në rajon

Presidenti Bamir Topi priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë (SOCA) të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hjuxhs. Gjatë takimit, Hjuxhs vlerësoi arritjet e shënuara në Shqipëri përsa i përket luftës së suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformës në drejtësi, ndërtimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, duke theksuar "bashkëpunimin e frutshëm dhe serioz mes dy vendeve tona dhe institucioneve përkatëse të sigurisë dhe të rendit" duke e cilësuar atë "një shembull pozitiv për t'u përhapur në mbarë rajonin ballkanik". Në këtë drejtim u nënvizua rëndësia e projektit të binjakëzimit mes forcave homologe të policisë të dy vendeve "mike dhe aleate" siç e theksoi edhe Presidenti Topi.
Presidenti Topi vlerësoi me këtë rast përkrahjen e gjithanshme dhe bashkëpunimin shumë të mirë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, duke nënvizuar se "pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, në NATO", shkëmbimi i përvojës pozitive mes strukturave të policisë dhe atyre të sigurisë, marrja dhe administrimi i informacioneve, kontrolli i kufijve dhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme marrin një rëndësi të veçantë strategjike.
Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekiluam si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›