E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po përplaset me ODIHR-in

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha akuzoi opozitën se po bllokon procesin e integrimit. Sipas tij, socialistët janë edhe kundër ODIHR-it.

“Nuk votoi asnjërën prej reformave të kërkuara nga Brukseli. Në zgjedhjet lokale, opozita mori 12% më pak vota se sa mazhoranca si dhe humbi Bashkinë e Tiranës. Pas kësaj, deklaroi se nuk do të bllokojë më votimet, por ata vazhdojnë të bllokojnë. Punojmë së bashku dhe në momente kyçe vazhdojnë të bllokojnë. Kërkuan që ata të propozojnë dhe ne të shqyrtojmë. Ne pranuam dhe prej 4 muajsh ata sjellin propozime dhe ne bashkë me ODIHR-in shqyrtojmë. Tani përplasen me ODIHR-in”, tha Berisha.

Sipas tij, në 2009, Rama akuzoi komisionerët e tij se ishin blerë dhe “tani vuan nga komisionero-fobia”. “Absolutisht nuk ka paraqitur asnjë fakt se komisionerët janë korruptuar. Tani kërkon që i gjithë numërimi të jetë elektronik. ODIHR thotë se kjo duhet të zbatohet në mënyrë graduale. Një praktikë e tillë-thotë ODIHR-i kërkon dy vite e gjysmë sepse në numërimin e fundit në Londër u konstatuan dy gjëra: temperaturat e larta që ndikojnë mbi makineritë. Po të bllokohen makineritë këtu, ai kundërshton gjithë zgjedhjet. Ndaj, ODIHR kërkon që të niset me një studim pilot. Nuk e pranon dhe bllokon. Kërkoi të shtyjë afatin e komisionit, ne e pranuam, përsëri dje bojkotoi komisionit. Nuk është antievropian, por mendon se duke bllokuar fiton kapital politik. Ne nuk heqim dorë nga konsensusi. Por ky zotëri, konsensusin e kupton bllokim”, shtoi.

Duke folur për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, kryeministri Berisha u shpreh se opozita nuk pranoi asnjë prej kandidatëve, pavarësisht se ata ishin kandidatura të spikatura. “Ne kaluam në procesin e zgjedhjes së Presidentit, tre raundet e para kërkojnë 84 vota. Ne zgjodhëm një gjykatës me reputacion të shkëlqyer në Shqipëri, një akademik që kishte bërë doktoratën në Gjermani, një njeri që 20 vite i shërben kombit të tij. E refuzoi sepse tha se nuk ma thatë paraprakisht. Herën tjetër shkuam me 4 emra dhe përsëri nuk pranoi. Ne zgjodhëm President të Republikës një personalitet serioz, i cili ishte i vetmi nga mazhoranca që ishte lavdëruar nga kreu i opozitës dy muaj më parë”, tha Berisha.

 Ai u shpreh se Rama ka sjellë në Partinë Socialiste të gjithë bijtë e kupolës së diktaturës komuniste. “Ne jetën time asnjëherë nuk e kam përgjegjës të birin për të atin. Por, lideri i opozitës solli në Partinë Socialiste të gjithë bijtë e kupolës së sistemit komunist. Fakti është që ata nuk po bëjnë asgjë dhe ata vetëm po bllokojnë. Kjo është shumë e trishtë. Unë mbetem ende i vendosur se ky është problem që zgjidhet midis shqiptarëve dhe jam i hapur për dialog dhe konsensus me ta. Por, pa lëshuar fondamentet tona kryesore.  Projekti më i madh është integrimi i Shqipërisë. Ne do të bëjmë më të mirë për ta merituar. Jam shumë mirënjohës z. Berluskoni dhe Partisë së tij dhe të gjitha partive të qendrës së djathtë të Evropës për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë shqiptarëve. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj vlerave që ndajmë së bashku”, deklaroi Berisha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-23 12:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›