E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përmbyll ndryshimet në kabinet

Ajo që pritej me më shumë vëmendje ishte ministri i ri i Brendshëm, një nga ministritë më të rëndësishme dhe i lidhur direkt me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Enigma u zbulua sot, kur kryeministri Sali Berisha, ka vendosur të emërojë në këtë post, Flamur Nokën, sekretar organizativ i Partisë Demokratike si dhe deputet i Qarkut të Kukësit. Noka ka aderuar prej vitesh brenda PD-së dhe është i njohur për mbështetjen dhe besimin e vetë Berishës. Ai vjen në këtë detyrë pas dorëheqjes së Bujar Nishanit, i cili u zgjodha më shumë se një javë më parë në postin e Presidentit të vendit.

Ndërkohë, tre ministrat e tjerë të LSI-së në Kabinetin qeveritar, janë Edmond Haxhinasto, i cili përveç postit aktual të zv/kryeministrit, do të drejtojë edhe Ministrinë e Ekonomisë. Ai lë detyrën e ministrit të Jashtëm, detyrë të cilën do ta drejtojë, Edmond Panariti, deri më tani nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Në postin e ministrit të Shëndetësisë, do të jetë Vangjel Tavo, deri më tani nënkryetar i Parlamentit. Ai iku rreth një vit më parë nga Partia Socialiste, duke iu bashkuar Partisë së drejtuar nga Ilir Meta.

Petrit Vasili, deri më tani drejtues i Ministrisë së Shëndetësisë, do të mbetet pa një postë, por do të drejtojë punën për zhvillimin e zgjedhjeve brenda partisë së tij. Kryeministri i ka dërguar pranë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, listën e ndryshimeve në kabinet dhe pritet të bëhen dekretimet nga kreu i Shtetit.

Me këto ndryshime, duket se shuhen zërat për ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar dhe Berisha duket se ka vendosur që të shkojë me këtë kabinet në zgjedhjet e vitit 2013. “Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht zotin Nasip Naco dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë pasur gjatë qëndrimit në detyrat, respektivisht, si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe si Ministër i Shëndetësisë, për kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit”, thuhet në njoftim e qeverisë. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-06-23 15:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›