E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja Nano: Retorika po zvarrit kriteret e integrimit

Sipas kësaj Lëvizjeje, qeveria po tregohet e paafte për të ndërtuar komunikim dhe bashkërendim politik normal e parimor, përfshirës dhe të frytshëm me të gjithë aktorët e tjerë politikë dhe institucionalë.

“Klima politike në Shqipëri mbetet ende e helmatisur nga retorika boshe dhe zgjidhjet politike që burojnë nga përllogaritje meskine dhe të ngushta të interesave partiake e të grupeve brenda partive apo koalicionit qeverisës. Prirjet për akaparimin e të gjitha pushteteve politike, institucionale dhe kushtetuese po e devijojnë vendin tonë nga rruga evropiane duke rrezikuar seriozisht demokracinë dhe integrimin evropian”, thekson reagimi. Më tej thuhet se reformat e integrimit janë sfidë e të gjithë shoqërisë shqiptare.

“Qeveria nuk mund ta patronizojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE duke e kthyer në rutinë të agjendës dhe lojërave të pushtetit. Procesi i integrimit evropian është një proces me rendësi madhore për shqiptaret dhe interesat tona kombëtare. Retorika pro integrim si mbulesë për veprime e mendësi jodemokratike nuk mund të zëvendësojë dhe mbulojë nevojën për reforma reale dhe ndryshime thelbësore të qeverisjes në 12 drejtimet prioritare të statusit të vendit kandidat për në BE”, vijon.

Deklarata nënvizon se Lëvizja Nano për Fitoren e Socialisteve ka një vizion dhe angazhim të fortë për të ndërtuar klimën dhe kulturën e duhur politike dhe institucionale që nxit dhe ndihmon përparimin e agjendës se integrimit evropian të Shqipërisë. “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialisteve synon te shndërrohet në një burim nismash dhe platformash politike të cilat do të kërkojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e gjithë shoqërisë shqiptare, të të gjithë aktoreve e faktorëve politike e civile, vendimmarrës apo ndikues ne vendimmarrje”, thuhet më tej. /Start/

                                                                                             2012-06-23 14:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›