Berisha: Rama propagandë me politika marksiste, pasi rrënoi bashkinë kërkon të rrënojë edhe vendin

Kreu i qeverisë Sali Berisha e ka cilësuar programin e ri të PS-së për taksimin e të pasurve më shumë se të varfërit, si politikë marksiste të cilat kërkojnë rrënimin e ekonomisë së vendit. Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, shefi i ekzekutivit Berisha theksoi se Rama me këto taksa progresive kërkon të rrënojë ekonominë siç falimentoi edhe bashkinë e Tiranës.
“E kanë provuar shqiptarët më shumë se kurrë marksizmin dhe t’i kërkon që të vendos taksën progresive në një kohë kur bashkinë e falimentove duke rritur taskat dhe e dorëzove si një institucion fiskal të falimentuar atëherë më thoni mua çfarë mund t’i bëjnë Shqipërisë politikat marksiste përveç rrënimit”- u shpreh Berisha. Ai ka garantuar sipërmarrësit dhe investitorët se nuk do të ketë asnjë rrënim të pasurimit të tyre, duke siguruar se taksa marksiste ndaj të pasurve nuk do të kthehet më kurrë. “Garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Se ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar të pasurit dhe luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do begatojnë vendin duke bllokuar privatizimin, koncensionet, partneritetin publik privat, shpalosin alternativën e etërve të tyre që nuk kthehet kurrë më në këtë vend”- tha kryeministri. Sipas tij, sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme, pasi ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal që bazohet në rrënimin e të pasurve. “Garantoj sipërmarrësit dhe investitorët, që jo vetëm që s`mund të ketë ndonjë mendim për të rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë cdo hap për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, do të ndërmarrë një përpjekjë të re të madhe për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes me besimin se kjo është rruga më e sigurtë”- shtoi Berisha.
Berisha prezanton në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dokumentin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2012-2014
Duke paraqitur kuadrin makroekonomik e fiskal 2012-2014, kryeministri Berisha bëri një prezantim të përmbledhur të performancës ekonomike të vendit për periudhën 9 mujore, të këtij viti. Kryeministri tha se ekonomia shqiptare ka “një dinamizëm të admirueshëm” dhe “të dhënat janë inkurajuese”, një vlerësim ky i bazuar në rritjen e disa treguesve ekonomikë. Rritja e eksporteve me 320 milionë dollarë në 9 muaj, veçanërisht e eksportet e mallrave “Made in Albania” me 27 për qind, rritja e investimeve, rritja e lirisë ekonomike me 16 për qind, sipas raporteve serioze ndërkombëtare, përmirësimi i përvitshëm i konkurrueshmërisë, qëndrueshmëria e monedhës shqiptare, rritja e lëvizshmërisë së mallrave brenda vendit dhe rregullave lehtësuese jashtë tij janë disa nga treguesit themelorë që, theksoi Kryeministrit, dëshmojnë se ekonomia shqiptare funksionon. “Të gjithë, - tha Kryeministri - kur lëvizin sot nëpër këto rrugë, shohin makina e njerëz që qarkullojnë, por harrojnë se ato janë arteriet e qarkullimit të energjisë më të fuqishme të kësaj toke, që është energjia e tregut”.
Kryeministri Berisha riafirmojë bindjen se mekanizmi më i mirë për t’i rezistuar krizës më të thellë financiare dhe të borxheve në Europë e në botë është inkurajimi i biznesit. Ai garantoi se qeveria do të ndërmarrë përpjekje të reja, për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes, “me besimin më të madh se kjo është rruga më e sigurt në këtë kohë tepër të vështirë”.