E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/E majta greke shpik referendumin, si metodë për t’u pastruar nga falimentimi financiar

02-11-2011 / Gazeta 55

Referendumi i shpallur nga kryeministri Jorgos Papandreu mbi marrëveshjen e re evropiane të borxhit i kapi shumë nga deputetët e parlamentit në befasi. Ai nuk dha ndonjë datë apo hollësi të tjera mbi referendumin e propozuar, i cili do të ishte i pari në Greqi që nga viti 1974, kur u shfuqizua monarkia, pas rënies së diktaturës ushtarake. Por le të ndjekim reagimin e njerëzve në rrugët e Athinës. Grekët duket se janë të ndarë në mendime lidhur me referendumin e shpallur nga zoti Papandreu. Gazetat greke e quanin lëvizjen e kryeministrit një hap me rrezikshmëri të lartë. Banorja e Athinës, Adamantia thotë se referendumi është i vonuar. "Referendumi nuk duhet të ishte lënë për tani por duhet të ishte bërë kur zoti Papandreu mori vendimin për memorandumin. Tani është tepër vonë. Çfarë po përpiqet të na thotë ai me këtë?” Vendimi për referendum i lejon deputetët socialistë, të cilët janë kritikuar ashpër nga publiku gjatë grevave dhe protestave të dhunshme që kanë vazhduar me muaj, t’ia kalojnë përgjegjësinë për fatet e vendit vetë popullit grek. “Besoj se referendumi do të bëhet por do t’i bjerë mbi kokë vetë kryeministrit,” thotë Panajotis Kandilas. Ministri grek i Financave tha se referendumi u kërkua pasi partitë opozitare në mënyrë të përsëritur refuzuan të mbështesin qeverinë në negociatat ndërmjet Greqisë dhe vendeve të tjera të eurozonës. “Shikojmë shumë anarki dhe mungesë respekti. Sistemi duhet të transformohet,” thotë Keiti Legato nga Çigagoja. Shumica që Qeveria e zotit Papandreut ka në parlament është reduktuar në vetëm tre vende dhe miratimi për politikat e tij ka pësuar rënie në klimën e masave shtrënguese që pritet ta fusin vendin në vitin e katërt të recesionit. Vendet e eurozonës u përpoqën për muaj me radhë për të kapërcyer të çarat mes tyre para se të arrinin marrëveshje më 26 tetor për lehtësimin e borxhit evropian, prandaj vendimi grek pritet të shkaktojë shqetësime të mëdha për zyrtarët e BE-së.
Tregjet financiare reagojnë negativisht ndaj komenteve të kryeministrit grek/Tregjet financiare evropiane shënuan rënie të konsiderueshme sot, si reagim i një propozimi të kryeministrit grek Jorgos Papandreu për mbajtjen e një referendumi lidhur me planin, për të cilin udhëheqësit evropianë arritën marrëveshje javën e kaluar. Disa nga indekset kryesore të tregjeve evropiane ranë sot 2,5 për qind deri në 4 për qind gjatë transaksioneve të mëngjesit. Zoti Papandreu e ka mbështetur me forcë planin, i cili mund ta pakësojë me rreth 140 milionë miliardë dollarë borxhin e Greqisë, ndërkohë që vendi i tij duhet t’i nënshtrohet disa masa të ashpra shumëvjeçare. Por kryeministri grek i tha dje socialistëve në pushtet në parlamentin grek se plani do të zbatohet vetëm me miratimin e vullnetit të popullit. Udhëheqësit evropianë dhe ata botërorë e vlerësuan miratimin e planit, i cili synon pakësimin e borxhit grek dhe qetësimin e tregjeve financiare, të cilat kanë pasqyruar gjendjen e pasigurtë të krijuar nga rreziku i mospagimit të borxhit nga Athina. Por populli grek ka zhvilluar protesta, nganjëherë të dhunshme, për muaj me radhë, për të shprehur kundërshtimin ndaj masave të ashpra financiare të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, si rritja e taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve qeveritare.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›