E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Rama të largohet, këtë nëntor qytetarët do i japin vendin që meriton

Nga selia blu Sali Berisha ka kërkuar largimin e Edi Ramës, ndërsa tha se ky nëntor do të jetë fundi i regjimit të tij pasi ‘qytetarët do i tregojnë vendin’.

Duke hedhur akuza ndaj kryeministrit se “ka ngritur sipërmarrje personale me inceneratorët”, Berisha tha se Rama është armiku i votës së lire dhe njeriu i aferave më të mëdha në vend.

“Edi Rama është sot Kryeministri i vetëm në Evropë dhe botë që krijon sipërmarrje personale me 420 mln euro të grabitura taksapaguesve shqiptare, për djegësit. Sipërmarrja e Edi Ramës për djegësit në Tiranë, Fier dhe Elbasan është e vetmja në Evropë ku formalisht shpallen në kërkim menaxherët e këtyre ndërmarrjeve por nuk konfiskohen si objekte krimi por kalojnë qindra milionë euro në konto bankare. Drejtësia ndaj këtij akti madhor kriminal po shpërbëhet. Ajo është faktuar tërësisht si SKAP-i i partisë. Pasi doli me urdhër të qeverisë, Alqi Bllako, tani janë ushtarët e tjerë të kësaj sipërmarrje, Gugalja, Zoto dhe Mërtiri, ata të cilët i kërkojnë Edi Ramës në mënyrë ultimative, çlirimin nga akuzat. Edi Rama është një armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve. Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga zyra dhe të japë dorëheqjen edhe për aferën e madhe të Butrintit. Ai shpartalloi parkun e Butrintit vetëm për interesat e veta dhe të oligarkëve të tij. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen pasi e ka shndërruar policinë në një bandë. Njëri pas tjetrit vriten të rinjtë në Tiranë, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Për të gjitha këto, qytetarët janë të vendosur më shumë se kurrë që këtë nëntor t’i japin atij, vendin e merituar. Të përmbysin pushtetin e tij. Ndaj edhe njëherë kërkoj largimin e tij të menjëhershëm dhe dorëheqjen si kryeministër i vendit” tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›