Berisha: Rama të më japë votat për votimin e emigrantëve
Kreu i PS: Paniku vjen nga vera e vetmisë së madhe, propozimi në hava
Politika shqiptare duket se do përfshihet në këto ditë parazgjedhore nga një debat i ri. Kryeministri Berisha, në mënyrë të papritur, dje, i kërkoi Partisë Socialiste që të votojë në Parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor për tu dhënë mundësinë emigrantëve shqiptarë nëpër botë të votojnë. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri nga Komuna Hotolisht e Librazhdit, ku ishte për të përuruar një rrugë që e lidhte këtë zonë me rrugën nacionale. E menjëhershme ishte përgjigjja e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes rrjeteve sociale. Sipas tij, propozimi i Berishës vjen nga paniku dhe se ai është në hava në një kohë kur vetë mazhoranca e ka kundërshtuar këtë nismë.
Berisha
Nga Librazhdi, Berisha e akuzoi Ramën se po abuzonte me emigrantët shqiptarë, duke u thënë që ishte Berisha ai që nuk lejonte votimin e tyre. Nisur nga ky konstatim, kreu i qeverisë në mënyrë të papritur e ftoi Ramën të ndihmonte në bërjen realitet të këtij premtimi, në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ja ku i them miq para jush. Nëse ke kthyer mendje, urdhëro të hënën të biem dakord që çdo emigrant në Itali, Greqi kudo ndodhet, të votojë për zgjedhjet. Mos ki frikë nga vota e tyre, theksoi Berisha. Ai nuk harroi të theksojë se ishte Rama ai që po mbante peng mundësitë e emigrantëve shqiptarë për të përfituar të mira dhe shërbime në vendet ku jetojnë. Janë me dhjetëra mijë emigrantë shqiptarë, që vetëm për shkak të mosmarrjes së statusit, nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë, theksoi Berisha, duke shtuar se Rama bën vetëm propagandë, por realisht është penguesi kryesor për qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
PS
Kryetari i PS-së, Edi Rama, e quajti këtë deklaratë të Berishës, tregues të panikut që kishte kapur kreun e qeverisë në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Çfarë paniku prej verës së vetmisë së madhe! Propozim në hava për votën e emigrantëve kur e kundërshtoi tetë vjet rresht, theksoi Rama në rrjetet sociale, pak pasi Berisha e kishte bërë këtë deklaratë. Socialistët kanë theksuar se me ardhjen në pushtet do ti mundësojnë emigrantëve shqiptarë të drejtën e votës. Ata kanë qenë mjaft aktivë edhe me takimet që kanë zhvilluar me emigrantë jashtë vendit, duke i ftuar ata të vijnë të votojnë në Shqipëri më 23 qershor. Socialistët kanë premtuar me ardhjen në pushtet politika të reja ndaj emigrantëve.
Precedenti
16-vjeçarët
Pak javë më parë, kreu i qeverisë hodhi propozimin e përfshirjes në votime të personave që kishin mbushur 16 vjeç. Ky propozim nuk u pranua nga PS-ja
Akuzat për aleancën
PD: Rama me aleancën e ngjalave, harroi 21 janarin
Partia Demokratike nisi zyrtarisht sulmin ndaj asaj që e quajti aleanca e ngjalave. Nga selia blu, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, deklaroi dje se nga bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Edi Rama tashmë e ka harruar 21 janarin. Rama tha se aleancën e ngjalave e ka bërë pikërisht si aleancë shpëtimi për 21 janarin. Hapur dhe troç, z. Rama manifestoi publikisht të enjten se 21 janari atë e tmerron dhe se nuk ka qenë asnjëherë për të një çështje parimi e drejtësie, por mirëfilltas një pjesë e strategjisë se tij për të marrë pushtetin me dhunë dhe më pas për nekrofili elektorale, deklaroi Vorpsi. Sipas saj, PD do të zbardhë dhe do të bëjë të mundur dhënien e drejtësisë për këtë çështje pas fitores që do marrë më 23 qershor.
Berisha: Rama të më japë votat për votimin e emigrantëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email