Berisha Rama te tjerre endrren per Kryeministrine ne autobusin mavi

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e rikostriksionit të rrugëve në qarkun Shkodër.
I ndalur fillimisht në Mnelë kreu i mazhorancës vlerësoi maksimalisht mbështetjen e kësaj zonë, duke garantuar trefishimin e investimeve dhe të subvencionimeve në mandatin e ardhshëm.
“Mirënjohje për mbështetjen e plotë totale 22 vjeçare që i keni dhënë PD, që është një kontribut i madh. Ndaj me ju gëzimin e rrugës që lidh tre fshatra të komunës. Lidh komunën me aksin kombëtar të vendit. Shkurton distancën me Shkodrën. Por investimet do të vijojnë dhe më tej. Ju garantoj se rruga do shkojë aty ku banoni. Kudo që banojnë shqiptarët do ketë rrugë, shkollë të re, ujësjellsa 24 orë, që ju të jetoni si qytetarë të vërtetë”, vuri në dukje Berisha.
Por premtimi për rritjen e investimeve ka dhe bazën e tij, nisur pikërisht në pritshmëritë pas marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.
“BE dhe KE sektorin që subvencionon më shumë është bujqësia. Për bujqësi ne kemi dhënë 55 mln, ata japin 15 mld. Këtë e di mirë, kryeministri i autobusit mavi, që ka zgjedhur një autobus luksoz për vete dhe ku vetë është shofer e vetë pasagjer, aty tjerrë ëndrrën dhe në çdo gropë sheh një votë për vetë. Por ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë çdo km”, deklaroi Kryeministri.
Në këtë 23 qershor, sipas tij, PD vjen para shqiptarëve si forca politike që ka bërë të mundur të firmosin ndryshimet më të mëdha.
“Vijmë në këto zgjedhje si forca politike që bashkë me ju realizuam ndryshimet që mundësuam heqjen e vizave, si forca politike që bashkë me ju ndërtuam autostrada e aeroporte ndër më moderne, ndërtuam sistem shkollor më modern, kemi mbështetur 45 mijë ferma. Por vijmë që 4 vitet që vijnë të bëjmë shumë më tepër për Shqipërinë e shqiptarët. Ne kemi fituar besim të madh se mund të realizojmë shumë më tepër. Nëse dikush shikon mandatin e parë e të dytë, do shohim se në të dytin realizimet janë dy herë më shumë se në mandatin e parë. Ai i treti do t’i ketë ndryshimet e përmirësimet 3 herë më shumë”, vlerësoi kreu i ekzekutivit, gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës Ura Gjadër-Mnelë.
Një përgjigje vjen dhe për deklaratat që paralajmëronin krizë në vend, pamundësi për të paguar paga e pensione nga qeveria.
“Kohërat ka qenë me tallaze. Anija jonë eci e sigurt. Çdo vit kollagjerët e zisë paralajmëronin krizë, se qeveria s'ka para, por ja që edhe këtë vit do të paguajmë rroga e pensione dhe do i rrisim ato”, u shpreh Berisha.
Kryeministri, pati dhe një kërkesë për banorët e kësaj zone.
“Ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e debatit më të fuqishëm, të ecim përpara për të konsoliduar vlerat që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, që hoqën vizat, që mundësuan që më 10 tetor 2012, KE të rekomandojë statusin me kusht 3 ligjet. Aleanca e 1 prillin është ajo e mashtrimit, trillimit dhe nihilizmit. Më 23 qershor do votojmë për më shumë mirëqenie”, nënvizoi Kryeministri.