Berisha, Ramës: Kurrë mos i njih zgjedhjet!
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se nuk i vinte aspak keq që opozita nuk i njeh zgjedhjet e 28 qershorit, përkundrazi. Gjatë një takimi që zhvilloi me militantë të Partisë Demokratike të Lezhës, kreu i mazhorancës deklaroi se "mosnjohja e zgjedhjeve nga Edi Rama, më nderon. Unë i them Edi Ramës kurrë mos i njih zgjedhjet. I them Edi Ramës, ti ke lustruar bustet e Enver Hoxhës tërë fëmijërinë tënde dhe ke të rrënjosur mendësinë e bllokmenit". Duke rimarrë argumentin e zgjedhjeve parlamentare, Kryeministri tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë të bekuara dhe theksoi se ato u certifikuan nga opozita. "Rezultati i këtyre zgjedhjeve u firmos nga 20 mijë komisionerë të Partisë Socialiste. Arritja më e madhe në karrierën time janë padyshim këto zgjedhje. Ne ia dolëm të votonim me dinjitetin më të madh. Tani, u lëmë shqiptarëve një trashëgimi të shkëlqyer. Prandaj janë zgjedhjet më të bekuara", theksoi në vazhdim Berisha. Kryeministri për të parën herë bëri të ditur se nuk i interesonte kontestimi i opozitës, pasi, sipas tij, ligjërisht çështja e votimeve të 28 qershorit janë të përfunduara. Edhe të enjten e shkuar, kur përshkallëzoi gjuhën ndaj opozitës dhe veçanërisht kreut të saj, Edi Rama, Kryeministri u shpreh i gatshëm për një takim me socialistët për çështjet e zgjedhjeve. Por, nga deklarata e djeshme, kemi edhe një precipitim cilësor dhe sasior të qëndrimit të kreut të mazhorancës. Berisha nuk bën më fjalë për zgjidhje, duke përjashtuar çështjen e hapjes së kutive, por për një mbyllje përfundimtare të problemit "28 qershor". Madje, sipas tij, ai ndihet i nderuar që këto zgjedhje nuk i njihte opozita. Dy ditë më parë, gjatë një konference për shtyp në selinë e qeverisë, Kryeministri doli sërish për përplasjen e Ramës, duke rihedhur tezën e përmendur për të parën herë nga kryeparlamentarja, për një zëvendësim të deputetëve të Partisë Socialiste me të tjerë, nëse ata nuk hyjnë në Kuvend. Kreu i qeverisë theksoi tekstualisht se "Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojnë Kushtetutën. Unë uroj që të vijnë të gjithë në Parlament, por nëse ka ndonjë që do të qëndrojë me liderët sterilë për sa u përket votave, le të qëndrojë me ta. Është zgjidhja e tij, jo e imja. Por Kushtetuta dhe ligji, në mënyrë absolute, do të zbatohen. Ata janë të mirëpritur ashtu siç janë".
Pas Berishës, gjatë ditës së djeshme një grup tjetër deputetësh të Partisë Demokratike kanë ndjekur liderin e tyre me akuza ndaj kreut të opozitës shqiptare. Radha dje u ka takuar deputetëve: Adriana Gjoni, Fatbardh Kadilli dhe Luciano Boçi. "Zhveshja e bashkëshortes në plazhet e botës, akuzat monstruoze që bën për atësinë e fëmijës së tij, rrahja dhe gjakosja në publik e bashkëshortes së tij, nxjerrja e nënës nga shtëpia, e të tjera si këto për cilindo prej nesh bëjnë të qartë karakterin agresiv dhe mentalitetin arkaik e primitiv të zotit Rama. Deklarimet e deputetëve socialistë dhe qetësia e zotit Rama nuk mund t‘i zhbëjnë të gjitha këto të vërteta", theksuan deputetët demokratë.