E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Davutoglu, njeriu që po i jep formë diplomacisë turke

Disa analistë perëndimorë i komentojnë këto lëvizje si një tentativë e Turqisë për t‘u orientuar drejt Lindjes në kurriz të Perëndimit. Por vetë ministri i Jashtëm, një njeri në përgjithësi i qetë dhe i kthjellët, revoltohet kur dëgjon të tilla komente. Kur erdhi në krye të diplomacisë, Davutoglu nuk ishte i panjohur në arenën politike të vendit të tij. Për disa kohë kishte shërbyer si këshilltar për politikën e jashtme në partinë që sot ka pushtetin. Megjithatë nuk ishte në listën e politikanëve të njohur, të atyre që kanë zotëruar skenën politike të këtyre dhjetë viteve. Por me të marrë në dorë "çelësat" e diplomacisë, ai vendosi që të ndryshojë mënyrën e të parit të marrëdhënieve të jashtme të Turqisë, veçanërisht marrëdhënieve me fqinjët dhe vendet e rajonit, duke filluar me Lindjen e Mesme, Ballkanin dhe Kaukazin.
"Thellësia strategjike: Pozicioni Ndërkombëtar i Turqisë" është libri që e ka bërë të famshëm në të gjithë botën, në të cilin ai parashtron të gjitha konceptet dhe linjat e politikës së jashtme. Është një njeri që i pëlqen veprimi dhe diplomacia dhe aspak të qenit një politikan tradicional. Për këtë arsye, në vitin 2002 kur partia e tij AKP fitoi zgjedhjet, ai u tërhoq nga politika për të vazhduar studimet dhe mësimdhënien në universitet. E vetmja lidhje që pati me politikën ishin konsultat e herëpashershme që bënte me Kryeministrin Erdogan. Pesë vjet më pas ai ishte në prag të "përqafimit" të plotë të jetës akademike, kur rebelët e Kurdistanit sulmuan një postë turke, duke marrë jetën e 13 ushtarëve. Në këtë moment ai vendosi që të mos largohej nga politika përfundimisht dhe vendosi që të pranonte postin e ministrit të Jashtëm dhe të ndihmonte në lehtësimin dhe përfundimin e marrëveshjeve të fundit me kurdët, të cilat u kanë ofruar atyre më shumë të drejta për vetëvendosje, duke i dhënë fund edhe gjendjes së luftës 20-vjeçare. Një nga pikat e forta të diplomacisë së tij është takimi personal me krerët e diplomacisë së vendeve me të cilat ai kërkon përmirësim të marrëdhënieve. Vetëm gjatë muajit tetor, ministri vizitoi 13 vende, duke krijuar një profil shumë të lartë diplomatik për vendin e tij. Për mënyrën e shikimit dhe të parashtrimit të çështjeve të ndryshme, Davutoglu ka fituar simpatinë e mediave arabe dhe ka pasur kërkesa që ministri të merret edhe me zgjidhjen e çështjeve të Libanit. Sipas një editorialisti të një gazete të Lindjes së Mesme, ministri turk "mbart ide, zgjidhje, aspirata në valixhen e tij diplomatike. Ju jeni dritarja në të ardhmen"
Davutoglu njihet si një njeri me temperament të qetë, por shpesh e humbet durimin me elitën politike të vendit të tij dhe mënyrën se si ajo e ka konsideruar deri pak kohë më parë politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me fqinjët. "Elita nuk e ndërmerr kurrë nismën dhe nuk del kurrë në front në momentet vendimtare", ka shkruar ministri së fundi në shtyp. Sipas tij, elita mendon se politika e pasivitetit dhe e mosmarrjes së risqeve është më e sigurta. Nga ana tjetër, ministri njihet edhe për etikën e punës dhe vetëdisiplinën. Një mik i tij tha disa ditë më parë për një revistë turke se kur Davutoglu punonte për librin e tij, ai ishte aq i përqendruar në atë që po bënte, sa qëllonte shpesh që të kalonte dy ose tri ditë të tëra pa u çuar fare nga tryeza e punës. Ai e konsideron gjumin si një humbje kohe. Nuk kemi të drejtë që të flemë shumë, sepse kemi shumë për të bërë", u tha njëherë studentëve të tij. Davutoglu ka qenë një njeri me ide të qarta që hershëm, që në kohën kur studionte në një nga kolegjet më të famshëm e më të mirë të vendit. Ai lexonte shumë dhe mbi të gjitha vepra filozofike dhe shkencore. Këtë bagazh ai e mblidhte duke e ditur se një ditë në të ardhmen do t‘i kishte vlejtur shumë. Ndërsa shokët e tij luanin, apo dilnin me të dashurat, Davutoglu i kalonte orët e lira mes librave. Një nga pasionet e tij është futbolli, i vetmi sport të cilin e luan herë pas here për të mbajtur trupin dhe mendjen në formë. I pasionuar pas gjuhëve të huaja, pas gjermanishtes që mësoi në shkollë të mesme, bëri edhe shumë programe shkollimi në anglisht dhe studioi ekonomi. Teza e doktoraturës ishte një analizë krahasuese me teorive politike të Perëndimit dhe Islamizmit, e cila u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1993. Ndërkohë ai vazhdoi edhe me studime të tjera. Ai është shumë i aftë në të shkruar dhe po aq, edhe në të folur. Oratoria është një nga armët e forta me të cilat arrin të shtjellojë idetë e tij dhe të bëjë për vete audiencën. Megjithatë, edhe ai ka kritikët e tij, të cilët e kanë akuzuar për standarde të dyfishta në kritikat drejtuar Izraelit në lidhje me çështjen e luftës në Gaza, ndërkohë që ministri ka mënuar që të dënojë kriminelin që qeveris Sudanin, Presidentin e vendit Omar al-Bashir.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›