E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmerret Tirana, Flamurtari në "tapet"

Tirana nuk i lejon vetes një tjetër hap fals në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj fiton 0-2 në fushën e Flamurtarit dhe ruan hapin e Besës dhe Apolonisë, rivaleve të drejtpërdrejta për vendin e dytë në Kategorinë Superiore. Dy gola të realizuar nga Sefa dhe Ahmataj u kanë dhënë tri pikët bardhebluve, që në një farë mënyre hakmerren ndaj vlonjatëve për humbjen në kryeqytet në javën e parë të kampionatit. "Kemi arritur të fitojmë një sfidë mjaft të vështirë. Tri pikët në Vlorë kanë shumë vlera, pasi ato na mbajnë në garën për të qenë mes kryesueseve. Ky është objektivi jonë, që të luftojmë deri në fund për një vend në zonën e lartë të klasifikimit", deklaroi Tafaj. "Me rezultatin, por mbi të gjitha me lojën përballë Flamurtarit, treguam se skuadra e Tiranës ka kualitet dhe mund të bëjë gjëra të mira. Morali i ekipit ishte lëkundur pas humbjes së përpara një jave në Laç, por sot (dje) luajtëm bukur, por edhe fort, duke mos u tërhequr asnjëherë në duelin për topin. Shënuam dy gola, krijuam shumë raste të tjera të rrezikshme, e nuk u lamë mundësi kundërshtarëve të na ndëshkonin". Dinamo duket e pakapshme në garën për titull, ndërkohë që diferenca me dy pikë me Besën e vendit të dytë është e rikuperueshme. Trajneri shtoi: "U bashkuam me Apoloninë në vendin e tretë, me kuotë të njëjtë pikësh, por kam besim se brenda një kohe të shkurtër do të ngjitemi edhe më shumë në klasifikim. Deri në fund, Tirana do ta luajë çdo ndeshje porsi një finale".
Bardheblutë kanë kërkuar me patjetër fitoren, madje duke luajtur me dy sulmues, ku Abilaliaj ka qenë partneri i Memellit në fazën ofensive. Megjithatë, sinjali i parë i rrezikshëm u dha nga Flamurtari me Roshin, vetëm pas shtatë minutave lojë. Loja e fortë në mesfushë ka bërë që gjatë 45 minutave të para të mungojnë rastet për shënim, ndërsa skuadrat shkojnë në pushimin mes pjesëve pas një gjuajtje të fortë të Abilaliajt nga distanca, e cila grushtohet nga portieri Halili. Vlonjatët e nisin në sulm edhe fraksionin e dytë të lojës, por Koronovski, i aktivizuar si titullar pas mungesës së Nallbanit (portieri veteran është dëmtuar në dorë), reagon mirë pas tentativës së Zeqirit. Në të 54-ën Tirana zhbllokon rezultatin me Sefën, i cili përfiton nga një gabim foshnjarak i mbrojtjes kundërshtare. I gjithë reparti difensiv i kuqezinjve nuk ka arritur ta largojë topin pas harkimit të Lilës, duke i dhënë mundësi mesfushorit të Kombëtares që të përshëndesë rrjetën. Flamurtari vuan psikologjikisht disavantazhin dhe nuk arrin të krijojë lojë. Kjo pavarësisht lëvizjeve taktike të trajnerit Magani. Rrjedha e lojës mund të kishte ndryshuar në të 85-ën, kur Mema përfiton nga një gafë e Koronovskit, por shpërdoron në mënyrë të pabesueshme. Sulmuesi korçar nuk kërkon portën nga pozicioni i prirët dhe u jep mundësi lojtarëve bardheblu që të kthehen në mbrojtje të rezultatit. Shansi i pashfrytëzuar sjell edhe rregullin e pashkruar të futbollit: gol i humbur, gol i pësuar. Vetëm një minutë përpara mbylljes së kohës së rregullt, Tirana dyfishon shifrat me Ahmatajn dhe mbyll takimin. Tashmë bardheblutë i pret një tjetër ndeshje e vështirë, ku do të luajnë në Korçë në javën e 13-të (sfida e tretë radhazi jashtë fushe), ndërkohë Flamurtari është në krizë të plotë rezultatesh dhe nuk arrin t‘i shkëputet vendit të fundit në tabelë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›