Berisha, Ramës: Pa rrugë s’ka zhvillim dhe shërbim cilësor, dil dhe shih Shqipërinë e vërtetë
Partia Demokratike prezanton kandidatët në Roskovec. Kryeministri u kundërpërgjigjet sloganeve elektorale të PS
Roskoveci ishte pikënisja e tubimeve elektorale dje për kryeministrin Sali Berisha. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Fierit, kreu i qeverisë radhiti arsyet se përse kjo forcë politike dhe aleanca që ajo kryeson, kërkon votën e qytetarëve shqiptarë për një mandat të tretë qeverisës. “Ne kërkojmë votën për 250 mijë vende pune dhe ne e kemi vërtetuar që i krijojmë sepse në vitet që shkuan me reformat tona bizneset u rritën dhe bashkë me to dhe bizneset e mëdha, duke rritur vendet e punës. Kjo falë reformave, duke hequr taksën ndaj kapitalit. Në do të financojmë bujqësinë, do rrisim me 30% vendet e punës në bujqësi. Ne krijuam Shqipërinë turistike së bashku. Ne jemi të sigurt që katër vitet që vijnë numri i turistëve do të rritet duke mundësuar dhe rritjen e vendeve të punës në këtë sektor. Shqipërinë dixhitale që nuk eksitonte ne e bëmë”, vuri në dukje Berisha. Përveç arsyeve për të cilat kërkohet mbështetja, jashtë vëmendjes nuk mbetën dhe sloganet e kundërshtarit politik. “Alternativa tjetër flet vetë. Padija nuk është kurrë argument. Nuk ke arrit akoma të kuptosh se rruga më shumë se çdo gjë tjetër është punë dhe punësim. Sepse me ndërtimin e 10 mijë km rrugë punësuam shumë. Aty ku shkon rruga shkon shpresa, ngihet biznesi, ndërtohet ferma. Se ndërtuam rrugë u dy dhe trefishuan bizneset, se ndërtuam rrugë u punësuan në fermat shqiptare mbi 100 mijë shqiptarë. I kërkon Berishës shërbim shëndetësor thotë rrugë. 400 qendra shëndetësore dhe spitale, mbi një mijë ambulanca. Rruga është kryesore për shërbim cilësor shëndetësor dil nga autobusi që ta kuptosh se pa rrugë të mira nuk ka shërbim cilësor të mirë. I kërkoni Berishës shkolla ai të thotë rrugë. Kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, po përsëri rruga është shkollë dhe pa rrugë nuk ka shkolla e cilësi mësimi dhe internet. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për infrastrukturën më moderne për ju banorët e Roskovecit, banorët e Fierit dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh kryeministri. Por dhe diçka për sistemin e taksave, kjo krahasuar mes asaj që premton Rama dhe sistemit aktual. “Vëllezër ato që duken larg njëra tjetrës në pamje të parë ekonomia dhe politika, janë më të lidhura njëra me tjetrën se çdo fushë tjetër. Lidhja më kryesore janë taksat dhe politika fiskale. Premton se do heqë TVSH për qumështin, grurin, mishin, vezën, miellin dhe kjo është falimentim i fermave tuaja. Kjo do të thotë që mishi i Brazilit, i Argjentinës, i cili prodhohet me kosto shumë të lirë të vijë këtu me çmime pa TVSH të zhdukë çdo interes tuaj për të rritur bagëti për mish. Ne zotohemi se do u mbrojmë ju dhe prodhimet tuaja se do subvencionojmë tre herë më shumë dhe se do u japim para në dorë për akcizën e naftës, TVSH e makinerive, inputeve, farave dhe fidanëve që do të blini për prodhimin bujqësor. Mbështetje më të plotë se kjo nuk ekziston”, nënvizoi kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij. Kreu i qeverisë garantoi se shumë shpejt Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat në BE, ndërsa do vazhdojnë reformat për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.