E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramës ti dalë frika nga koncesionet

KKT miraton 8 projekte për HEC-e dhe impiante të pastrimit të ujërave.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje 8 leje për sheshe ndërtimi të hidrocentraleve, impianteve të përpunimit të mbetjeve urbane dhe ujërave të ndotur në disa zona të vendit. KKT-ja i ka hapur rrugë dhe ndërtimit të dy HEC-eve të reja, njërin në lumin Valbonë, tjetri në kaskadën e Matit në komunën Martanesh, për të cilat Kryeministri Sali Berisha u shpreh i kënaqur për konkretizimin e projekteve në fushën e energjetikës. Kreu i maxhorancës ironizoi kreun e opozitës për qëndrimin kundër koncesioneve të qeverisë në fushën e energjisë së rinovueshme. Gjatë mbledhjes së KKT-së, kreu i qeverisë tha se kryetari i opozitës, Edi Rama, vuan nga fobia e HEC-eve, ndaj ka kërkuar nga krerët e pushtetit vendor të Martaneshit të punojnë për ti larguar frikën. Ajo që është specifike në depozitat e naftës, gazit dhe solarit, është se këto ndërtohen me konsensus të plotë të qeverisë dhe të opozitës. Për faktin se kryetari i opozitës vuan nga fobia e HEC-eve, ndaj dhe ju lutem shumë, sidomos atij të HEC-it të Martaneshit, të ma nxjerrë njëherë në Kaptinë të Martaneshit për ta inauguruar, që ti dalë pak nga pak frika nga koncesionet dhe HEC-et, pasi do të ketë një seri inaugurimesh tani, theksoi Kryeministri Berisha.
Lumi i Lanës
Qeveria japoneze do të investojë në Tiranë 90 milionë euro, për ndërtimin e një impianti të pastrimit të ujërave të ndoturave, që synojnë kryesisht pastrimin e lumit të Lanës. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar dje lejen e sheshit dhe ndërtimit të këtij impianti, që sipas Kryeministrit Berisha do të jetë i pesëmbëdhjeti në Shqipëri. Kreu i maxhorancës ka falënderuar dhe qytetarët e Tiranës, që sipas tij më 8 maj vendosën të zhbllokojnë Bashkinë e kryeqytetit nga kryesocialisti Edi Rama, që sipas Berishës ishte pengesa e konkretizimit të këtyre projekteve. Ky është investimi më i madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, është një investim prej 90 milionë eurosh, ndihmë bujare e qeverisë japoneze. Janë hapur procedurat e tenderit dhe fillon së shpejti. Kjo u bë e mundur pasi qytetarët e Tiranës mençurisht zhbllokuan veten e tyre nga bllokada të panevojshme, të dëmshme për ta. Ndërtimi i këtij impianti kompleton ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil, theksoi Berisha
Energjia
KRT-ja miratoi dhe zgjatjen e afatit të lejes ekzistuese të ndërtimit për terminalin bregdetar dhe infrastrukturën përkatëse portuale për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Gjirin e Vlorës për 60 muaj të tjerë. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, po konkretizohet çdo ditë e më tepër.

Berisha: Xhamia e re do nisë brenda vitit
Komuniteti Mysliman, sipas Kryeministrit Sali Berisha, do ta festojë përvjetorin e lindjes së profetit Muhamed me një dhuratë të veçantë, atë të inaugurimit të xhamisë së re të kryeqytetit. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në programin festiv Profeti Muhamed a.s. Krenaria e Njerëzimit, organizuar nën kujdesin e Komunitetit Mysliman për festën e lindjes së profetit Muhamed. Së bashku, me durim dhe përkushtim, erdhëm në këtë 100-vjetor. Kryeqyteti pret me padurim xhaminë. Shumë shpejt, së bashku me kryetarin e Bashkisë, do ta inaugurojmë fillimin e saj. Liria e të gjithë lirive është liria e besimit, sepse besimi te Zoti është burimi më i pashtershëm i forcës shpirtërore të njeriut. Asnjë komb, asnjë vend nuk e ka më të përsosur se ne shqiptarët lirinë e besimit, sepse liria në të vërtet është aftësia e njeriu për ta disiplinuar veten. Liria te shqiptarët është liria e respektit të palëkundur të besimeve të tjera. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit, më i madh, më ndriçues, më i rëndësishëm do të bëhet në rajon dhe në botë shembulli i shqiptarëve, toleranca e tyre e shkëlqyer fetare, burim frymëzimi për njerëzit e lirë, u shpreh Kryeministri.

Kujdesi ndaj mjedisit
Ndotja e ambientit është një nga faktorët që shkakton mbi 40% të vdekjeve. Kjo statistikë u prezantua dje nga Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së KKT-së, ku miratoi disa projekte për pastrimin e ujërave të ndotur të Shqipërisë. Një nga universitetet më serioze të SHBA-ve fakton se mbi 40% e vdekjeve të njeriut janë rezultat direkt i ndotjeve të ambientit. Ndaj dhe gjej një rast për të falënderuar edhe njëherë të gjitha NGO dhe shoqërinë civile, që është aq vibrante në çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe ka dhënë një ndihmesë të veçante në rritjen, në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, deklaroi dje kreu i qeverisë.

Tabela e vendimeve të miratuara në mbledhjen e KKT-së
1.     Studim urbanistik pjesor, leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Hidrocentrali HEC, Valbonë, komuna Margegaj Kukës.

2.     Rehabilitimi dhe zgjerimi i fushës së grumbullimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës, në Sharrë, komuna Vaqarr, qarku Tiranë.

3.     Leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin impianti i trajtimit të ujërave të ndotura me sipërfaqe 530 798 m2, komuna Kashar, qarku Tiranë.

4.     Leje sheshi dhe leje ndërtimi për hidrocentralin e Martaneshit Likonë-Thekër-Lenë-Bulqizë, me sipërfaqe sheshi 12 800 m2, komuna Martanesh, qarku Dibër.

5.     Leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin depozitat bregdetare hidrokarbure (benzinë, gazoil dhe solar), me sipërfaqe 7000 m2 dhe kapacitet 12200 m3, në fshatin Rinia, Porto Romano, komuna Katund i Ri, qarku Durrës.

6.     Studim urbanistik pjesor i Parkut Industrial Vlorë, me sipërfaqe 12 434 ha, fusha e Jallisë, Nartë, Vlorë.

7.     Zgjatja e afatit të lejes ekzistuese të ndërtimit për terminalin bregdetar dhe infrastrukturën përkatëse portuale për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Gjirin e Vlorës për shoqërinë La Petrolifera Italo-Albaneze për 60 muaj të tjerë.

8.     Leje ndërtimi për depozitat bregdetare import-eksport të nënprodukteve të naftës në zonën energjetike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës.

Batuta
Për faktin se kryetari i opozitës vuan nga fobia e HEC-eve, ndaj dhe ju lutem shumë, sidomos atij të HEC-it të Martaneshit, të ma nxjerrë njëherë në Kaptinë të Martaneshit për ta inauguruar që ti dalë pak nga pak frika nga koncesionet dhe HEC-et

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›