E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramiz Alia, kundër pluralizmit



Kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur polemikave të fundit në media në lidhje me lëvizjen e studentëve në dhjetorin 1990, si dhe idesë se ish-diktatori Ramiz Alia kontribuoi në pluralizmin e vendit. Duke zgjedhur përvjetorin e krijimit të 19-të të Partisë Demokratike, Berisha hodhi poshtë pretendimet se Alia ka ndihmuar në pluralizmin e vendit, duke deklaruar si ai sundoi me dhunë dhe i diktuar nga e veja e diktatorit Hoxha. Kreu dhe themeluesi i PD-së, duke folur para drejtuesve aktualë të partisë, tha se javët e fundit, drejtuesit e PS-së dhe ish-bijtë e drejtuesve të diktaturës, po tentojnë të rehabilitojnë baballarët e tyre. “Dy javët e fundit bllokmenët e rinj, dua ta them haptas, në praninë më të shëmtuar të etërve të tyre janë përpjekur të falsifikojnë historinë. Një nga përpjekjet e tyre të mëdha ka qenë që t’i atakojnë bllokut dhe kapo-bllokut, diktatorit, pluralizmin dhe Partinë Demokratike. Dëgjoja një natë njërin prej tyre që thoshte se këtu në Shqipëri ndodhi si në Bashkimin Sovjetik, por harroi i gjori se Gorbaçovi ia dha pushtetin siç do ia jepte Enver Hoxha gjyshit të tij, ia dha Jelcinit, anëtarit të Byrosë Politike. E vërteta është se Ramiz Alia në mënyrë të qartë dhe katërcipërisht të faktuar ka qenë kundër pluralizmit politik. Ramiz Alia sundohej fund e krye, këmbë e kokë nga zonja e zezë, Nexhmie Hoxha”, - deklaroi Berisha dje në mbledhjen në selinë e Partisë Demokratike. Kreu i PD-së akuzoi Alinë se ka vrarë të rinjtë shqiptarë në kufi dhe ka shpërblyer ekzekutorët e tyre. “Ramiz Alia në vitet ‘90 ekzekutonte të rinj shqiptarë në kufijtë e vendit dhe këta bllokmenë të rinj që dua ta paraqesin bllokun e tyre dhe etërit e tyre si mbështetës të pluralizmit, janë cinikë dhe harrojnë se Ramiz Alia dhe etërit e tyre zvarrisnin në rrugën e Shkodrës dhe të Sarandës kufomat e bijve dhe bijave të këtij vendi. Firmosnin shpërblimet për ekzekutorët e tyre. Po është e vërtetë që Ramiz Alia të përkulet dhe të mposhtet nga studentët, sepse ishte i tmerruar, ai dhe Ledi Makbeth nga hija e Çauçeskut. Ia mbanë një pjesë e tyre në Dajt. Këto janë të vërteta”, - tha më tej Berisha.

Lëvizja e dhjetorit

Duke folur më tej për lëvizjen e dhjetorit, Berisha tha se në lëvizjen e studentëve kishte dy tendenca. Sipas tij, një nga këto tendenca ishte e gatshme të bllokonte pluralizmin dhe të sillte përsëri Ramiz Alinë. “Në lëvizjen e studentëve kishte dy tendenca. Njëra tendencë me të cilën ishin pjesa dërmuese e studentëve dhe pedagogëve të asaj periudhe ishte që të themelohej pluralizmi. Ishte një tendencë tjetër, e cila ishte e pranishme dhe për të bllokuar pluralizmin ishin të gatshëm për të sjellë Ramizin në stadium. I gjithë debati ato dy ditë është bërë që studentët të fitojnë qëllimin kryesor”, - tha Berisha. Ai tha më tej se Azem Hajdarin e ka njohur ditën e protestës tek liceu artistik, ku studentët u dhunuan nga forcat e diktaturës. “Pas dhunës të jashtëzakonshme që u ushtrua te Liceu Artistik në grupin e studentëve ku ishte Azem Hajdari në atë moment bashkë me Besnik Mustafajn dhe një ish-mik tjetër, ne kemi denoncuar atë dhunë barbare ndaj studentëve. Pas shpërndarjes kam ndjekur studentët. Ata që u vërsulën kundër studentëve si bisha ishin të armatosur me lopata, shkopinj, sopata, një grup pothuaj terroristësh shtetërorë. Studentët më kërkuan: a do bëhesh përfaqësuesi ynë, jo i thashë. Përfaqësoj veten time, por unë ju mbështes ju totalisht”, - shtoi Berisha.

Themelimi i PD-së

Kreu i PD-së iu përgjigj edhe pyetjes nëse ka qenë në grupin nismëtar të themelimit të partisë. Duke e cilësuar si një akuzë qesharake, Berisha tha se PD u themelua në sajë të guximit të studentëve. “Aty janë dokumente që faktojnë se kush kanë qenë ata që në orën 11 të darkës në dhjetor themeluan PD. Janë dokumente, të cilat ishin ata që firmosën pas themelimit për legalizimin e saj dhe se kush u zgjodh në komisionin e saj nismëtar u quajt kështu sepse duhet të shtrihej në të gjitha rrethet dhe të merrte karakter kombëtar. Nuk besoj se ka nevojë për komente ideja për themelimin e PD. Ideja për pluralizmin politik në Shqipëri është një ide e mbrojtur dhe e shprehur para lëvizjes së dhjetorit në shkrime dhe publikime që janë sot në të gjitha bibliotekat e vendit, janë të botuara në gazetat më prestigjioze të vitit ‘90 dhe të mediave të tjera”, - deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha.

Greva e studentëve, Gjinushi përgjonte Ramizin në tualet

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se me disa figura të Partisë Demokratike në datën 17 ose 18 shkurt, shkoi në zyrën e Ramiz Alisë për t’i kërkuar atij plotësimin e kërkesave të studentëve që ndodheshin në grevë urie. Berisha tha se pas disa orësh debat me Ramiz Alinë, ky i fundit kërkoi që të vinte edhe ish-ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, në këtë bisedë. Kreu i PD-së tha se pasi Ramizi thirri emrin e tij, menjëherë u hap një derë ku hyri brenda Gjinushi. “Në datën 17 ose 18 shkurt filloi greva e urisë me 1200 studentë pjesëmarrës. Unë, Azem Hajdari, Preç Zogaj Eduard Selami edhe Leka Meksi, ishim në zyrë, duke i bërë presion Ramiz Alisë, që të heqë emrin e universitetit dhe të grumbullojë kërkesat e studentëve dhe pas 2 orë debatesh se si bie problemi për ministrin e Arsimit dhe i themi ne se duhet të bëhen këto ndryshime. Ramiz Alia na thotë ta thërrasim, kur hapet një derë dhe futet Skënder Gjinushi. Ditën që u bëra President dhe hyra në atë zyrë, pashë që ishte banjë. Specialistët amerikanë thonë tani kërkoj kohë për mendim dhe kthehen se në këtë rast nuk ka zgjidhje tjetër veçse zhdukje nga politika. Nuk mund të jesh më në politikë po ke pranuar një gjë të tillë”, - tha Berisha.

Edi Rama ftohet në kongres, Berisha: Vetëm 18 minuta ka qenë në PD

Kryeministri Sali Berisha tha dje para strukturave të PD-së se kreu i opozitës është i ftuar në Kongresin e Partisë Demokratike. I pyetur nga media nëse ka ftuar edhe Ramën si një nga kontribuuesit në themelimin e PD-së, Berisha tha se për fat të keq Rama ka qenë në PD vetëm 18 minuta. “Zoti Rama është i ftuar si kryetar i PS-së në Kuvend. Ne kemi ftuar të gjithë spektrin politik të vendit. Për fat të keq kanë qenë gjithsej 18 minuta... erdhi dhe deklaroi se hyj në mbledhjen e komisionit nismëtar. Duhet të ketë ardhur nga datat 17 ose 19. Ishte zgjedhur komisioni, u ul aty pastaj pas një debati një nga eksponentët kryesorë të partisë i kërkoi të dilte jashtë. Nesër zotëria i tij është i ftuar”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›