Kuvendi i PD-së, 400 kandidatë për 120 vendet e Këshillit Kombëtar
Kryeministri, njëherësh kreu i PD-së, Sali Berisha, mblodhi dje në një takim një grup anëtarësh të Partisë Demokratike një ditë para kongresit, duke bërë me dije se rreth 400 figura do të konkurrojnë për Këshillin Kombëtar të PD-së. Sipas kreut të partisë, për forumin më të lartë vendimmarrës së PD-së do të konkurrojnë figura të njohur dhe me kontribut në politikë. Ndonëse nuk dha emra, kjo edhe për shkak të numrit të madh të tyre, Berisha u shpreh se do të respektojë votën e anëtarëve të Kongresit. “Në forumin kryesor të PD-së, këshillin kombëtar të saj, grupet e punës përpunuan rreth 400 personalitete djem, vajza, burra, gra me një karrierë të shkëlqyer politike dhe profesionale me kontribute thelbësore në demokracinë e këtij vendi dhe në jetën e PD. Unë e kuptoj se përzgjedhja është e vështirë por nga ana tjetër unë kam besimin më të madh se delegatët e Kuvendit do të votojnë për kandidatët më të mirë për kryetarin e tyre, Sali Berishën”, - tha Berisha. Sipas kreut të PD-së, kuvendi i sotëm do të rinovojë strukturat drejtuese. “Kuvendi kombëtar i PD-see që mblidhet nesër, mblidhet në fazën e dytë të tij për të zgjedhur organet dhe forumet e reja drejtuese të PD-së, kryetarin e Këshillin Kombëtar të tij, komisionin disiplinor të statusit. Pra mblidhet për të ripërtërirë mandatin e organeve drejtuese. Ky do të jetë një proces fund e krye transparent. Grupet e punës kanë bërë një punë shumë serioze në seleksionimin e kandidaturave që paraqiten nesër para delegatëve të kuvendit”, - shtoi Berisha.
Ndarja e posteve
Duke folur mbi ndarjen e posteve të partisë nga ekzekutivi, Berisha tha se Partia Demokratike ka një traditë në mënyrën se si janë ndarë postet. Gjithsesi, ai tha se do të respektojë votën e delegatëve. “I jemi përmbajtur këtij rregulli edhe me funksionin nënkryetar-kryetar Parlamenti. Nesër delegatët do të kenë mundësinë të përzgjedhin midis këtyre dy tendencave dhe unë të garantoj se vullneti i tyre do të respektohet plotësisht”, - deklaroi Berisha. Ai tha se debati për ndarjen e posteve është legjitim, por shtoi se partitë fituese të zgjedhjeve kanë për detyrë të angazhojnë forcat e tyre kryesorë në qeverisjen e vendit. “Jo vetëm në PD-në, por në të gjitha forcat politike në pushtet në mënyrë të ligjshme lind debati për ndarjen e posteve partiake me ato të pushtetit. Dhe kjo absolutisht nuk ka asgjë të paligjshme në këtë kërkesë, por një parti që fiton zgjedhjet është e detyruar, që forcat më të kualifikuara më aktive t’i angazhojë për t’i dhënë vendit qeverisjen më kompetente, më të mirë. Unë nuk dua të them me këtë se ata që mbeten në parti janë dytësorë”, - tha ai. Berisha foli edhe për traditën në PD-së, që sipas tij, do të vijojë më tej. “Partia ka traditën e vet dhe që një traditë mendoj unë që ka funksionuar në interesin e saj. Kryetari i grupit parlamentar që nga themelimi i partisë ka qenë nënkryetari i saj edhe në opozitë, edhe në pushtet. Ka parti të tjera që në opozitë kanë kryetarin e partisë kryetar grupi. Ne i jemi përmbajtur këtij rregulli që nga shndërrimi ynë në parti parlamentare në zgjedhjet e para”, - shtoi Berisha. Gjatë fjalës së tij para strukturave të PD-së, Berisha shprehu nderim për figurat themeluese të kësaj partie. “Të përkujtojmë edhe njëherë me nderimin më të madh Azem Hajdarin, Arben Brocin dhe të gjithë atyre që këto 19 vite u flijuan për vlerat dhe parimet për të cilat u themelua kjo parti”, - deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha.