Memorandumi i skafeve, Strazimiri: Rama po mbron mafien
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, kundërshtoi deklaratat e ardhura nga Partia Socialiste për heqjen e memorandumit të skafeve. Sipas Strazimirit, ky kundërshtim i PS-së ka si qëllim të mbrojë mafien. “Pas kundërshtimit të ligjit anti-mafia, një ligj përcaktues për heqjen e vizave për shqiptarët, “ekipi Shpresa” i Partisë së Punës, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Hamdi Beqja i ri, Hamit Shamku i ri, me në krye lakuriqin Edvin Kristaq Ramën, dolën sot haptazi kundër moratoriumit të skafeve, bllokimit të industrisë së mafies që ka mbjellë krim dhe vdekje për vite të tëra në ujërat e Adriatikut dhe Jonit”, - tha Strazimiri. Sipas deputetit të PD-së, deputetët e PS-së “kërcënuan se do bllokojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke faktuar se jo lëvizja e lirë e shqiptarëve, por mbrojtja e mafies dhe interesave të saj është detyrimi kryesor i pinjollëve të bllokut dhe punistëve të rinj në krye të Partisë Socialiste”. “Partia Demokratike i deklaron “ekipit Shpresa” të Partisë së Punës, se ka ikur njëherë e përgjithmonë koha kur nën moton e punistëve të ’90: “Jetojmë dhe punojmë si në rrethim”, ata e shndërruan Shqipërinë në skafo–republikë dhe se nuk do të ketë forcë në botë që të mbrojë industrinë e krimit të mafies që ata kryesojnë, duke penguar bashkëpunimin e Shqipërisë me agjentitë partnere”, - tha në deklaratën e tij deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.