E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, qeveria rishpërndan bonot e privatizimit



Ministria e Financave do të lëshojë një udhëzim brenda muajit dhjetor, i cili do të përcaktojë procedurën e shpërndarjes së bonove të privatizimit individëve. Udhëzimi pritet të miratohet pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, informoi në Kuvend se ligji detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend.

Bëhet fjalë për të gjitha bonot e privatizimit, të cilat janë investuar nga qytetarët në kompani që dështuan si “Anglo-Adriatika”. Të gjitha bonot do të kthehen me një procedurë që Ministria e Financave do e përcaktojë. Çdo qytetar që disponon dokumentin që ka dorëzuar letrat e tij me vlerë tek “Anglo-Adriatika”, mund ta dorëzojë dhe të përfitojë sasinë e bonove që ai ka investuar. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ato kapin shifrën e 64 miliardë lekëve, të cilat janë shpërndarë para vitit 1997. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Tashmë me miratimin e këtij projektligji nga Kuvendi i ri, bonot e privatizimit që nuk patën fatin e duhur edhe në kompani të tilla se “Anglo-Adriatika”, do të rivlerësohen.

Fondet e investimeve

Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoren.

Tregu i letrave me vlerë

Ligji i ri parashikon rigjallërimin e tregut të letrave me vlerë si ato të ish-të përndjekurve, bonot e privatizimit, lëshimin e obligacioneve nga kompanitë private, si dhe shitblerja e aksioneve në bursë. Parlamenti miratoi një vit më parë një ligj të ri “Për titujt”, që ka si objekt të bëjë aktivë titujt tregtarë që qarkullojnë në tregun aktual. Sipas specialistëve, ai do të përfshijë të gjitha stoqet dhe fondet e firmave në bursë. Sipas tyre, në këtë rast bëhet fjalë për letra me vlerë, të cilat, përmes këtij ligji të ri, do t’i nënshtrohen një skeme të re procedimi. Në atë ligj nuk u përfshinë letrat me vlerë të privatizimit, pikërisht ato që janë shpërndarë rreth 12 vjet më parë. Projektligji që kaloi një javë më parë në qeveri dhe udhëzimi i Financave, do të hapë këtë rrugë.

750 mijë shqiptarë me bono privatizimi

Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Nga socialistët më pas u bënë premtime, por asgjë konkrete. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë kanë arritur të bëjnë llogari të përafërta mbi vlerën e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë që kanë përfituar ish-të përndjekurit. Sipas të dhënave, mendohet se vlera e papërdorur e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë përllogaritet deri në 64 miliardë lekë bono privatizimi dhe 12.5 miliardë lekë letra me vlerë privatizimi, që kanë përfituar ish-të përndjekurit politikë.

Bie vlera e bonove në treg, vetëm 8%

Mungesa e udhëzimit në treg për shpërndarjen e bonove të privatizimit, por edhe një mungesë interesi të qytetarëve ka shkaktuar një ulje të vlerës në treg të bonove të privatizimit. Ndërsa në muajin gusht, pas deklaratave të Kryeministrit Berisha, vlera e bonove arriti deri në 20 për qind, aktualisht në tregun valutor ato blihen vetëm me 8 për qind. Në javën e fundit vlera e bonove ka rënë me disa për qind, kjo për shkak se pas hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e tyre në procesin e legalizimeve, interesi i qytetarëve ka qenë minimal. Ligji i qeverisë parashikon se qytetarët mund të paguajnë vlerën e ndërtimit të tyre informal me letra me vlerë, jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji tashmë ka hyrë në fuqi. Personat, të cilët i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. Edhe ata që kanë paguar me lekë në dorë, nëse disponojnë bono privatizimi, qeveria u kthen deri në 50 për qind të vlerës së parave që kanë paguar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›