E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Raporti i KE-së tregon rritjen ekonomike

Kreu i qeverisë përmendi raportin e Departamentit të Financave të Komisionit Evropian, ku Shqipëria në vitin 2009, renditet e 25-ta, nga 80-ta që renditej në vitin 2006.

“Një turravrap i shkëlqyer. Shqipëria lë mbrapa 116 vende në raport me treguesin e performacës së investimeve të huaja. Po në rast se ju referohemi shifrave, në qoftë se në vitin 2006, investimet e huaja ishin 258 milion euro, në vitin 2009 këto investime arritën në mbi 700 milion euro. Në shkallën e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare, Shqipëria renditet lart, dëshmi kjo e një ekonomie tërësisht të hapur”, ka theksuar kryeministri.

Sipas tij, “renditja e Shqipërisë në pozicione më të larta, duke pasur para vetes Çekinë, Sllovakinë, dëshmon për progresin që vendi ka bërë në krijimin e klimës së favorshme për investimet e huaja. “Qeveria ka vendosur me këtë një nga mekanizmat kryesor të zhvillimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar. 20 vite më parë Shqipëria ishte vendi i vetëm që kishte të ndaluar me Kushtetutë investimet dhe hyrjen e kapitalit të huaj në vend. Sipas këtij raporti, në këtë nxitje të madhe në këtë progres, ndikim rrënjësor kanë pasur reformat që ka ndërmarrë qeveria, ku më tërësor ka qenë sistemi ynë fiskal më i favorshëm që mund të ketë pasur ndonjë vend. Politika e taksave të ulëta ka qenë faktor thelbësor”, shtoi ai.

Duke folur për papunësinë, kryeministri u shpreh se në Shqipëri jo vetëm që nuk ka patur rritje, por papunësia ka shënuar rënie. “Në këtë raport theksohet se në Shqipëri tre mujorin e tretë të vitit 2010 rritja ekonomike ishte rreth 4%. Shqipëria vlerësohet si vendi që ndjeu më pak krizën botërore. Deficitet buxhetore pritet të ulen në Shqipëria dhe e vërteta është që janë ulur. Shqipëria mbylli vitin 2010 me deficitin buxhetor më të ulët në Evropë dhe botë.  Raporti thekson se në Shqipëri u rritën në mënyrë të djeshme eksportet, por për ata të cilët hamendësojnë pa fakte dhe shifra, dua t’iu them se remitencat u rritën me 12%, kurse fluksi i investimeve të huaja për tre mujorin e tretë të vitit 2010 u rrit me 30%. Po kështu edhe bilanci i pagesave pati shtesë, interesi i depozitave pati tendencë uljeje”, vijoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, deficiti buxhetor u ul me 1/3 krahasuar me një vit më parë. Berisha ka përmendur edhe një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku shprehen vlerësime për ekonominë shqiptare. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-02-09 11:19
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›