Berisha: Raporti i Komisionit të Jashtëm të PE konfirmon denoncimet e opozitës

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në Kuvend se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, “konfirmon denoncimet e opozitës” për situatën politike në Shqipëri.
Berisha tha se raporti, i cili është përgatitur nga një mision faktmbledhës i përbërë nga eurodeputetë të spektrit të ndryshëm politik, pasqyron problematika që opozita i ka ngritur prej vitesh. Ai tha se raporti ka kritika për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe rolin e institucioneve shtetërore.
“Lexojeni se fillon dhe mbaron absolutisht sikur ta kishte shkruajtur opozita në kuptimin e denoncimeve të saj, të vërtetave të saj për vite të tëra. Po kjo s’ka ndodhur. Nuk është produkt i opozitës. Ai është produkt i atij misioni faktmbledhës që erdhi këtu, i përbërë nga socialistë, siç e dini vetë, popullorë, konservatorë, liberalë, komunistë, fare të majtë. Të gjithë kanë votuar një më një, rresht për rresht e germë për germë atë raport që këtë parlament e bën të paqenë”, u shpreh Berisha, në seancën plenare të Kuvendit.
Kreu i PD-së tha se raporti vëren se institucionet e shtetit u shkrinë në një me strukturat e partisë. “Pra, bëtë zgjedhje në kushte moniste”, tha Berisha.
Berisha tha se mazhoranca dëmtoi procesin e integrimit evropian me votimin kundër heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres, deputetes Belinda Balluku.
Kreu i PD-së shtoi se sipas raportit të PE-së, institucionet dhe parlamenti në Shqipëri janë paraqitur me funksionim të dobësuar dhe se kjo, sipas tij, ndikon drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian.
“A e patë raportin se si thotë? Parlamenti është inekzistent pothuaj, në funksionet e tij. A e patë çfarë thuhet për Ballukun? Që e keni mbrojtur politikisht imunitetin e saj”, tha Berisha.
Berisha tha se mazhoranca po shmang debatet parlamentare mbi çështje që, sipas tij, lidhen me korrupsionin dhe menaxhimin e fondeve publike.
“Ju po çoni drejt bllokimit të procesit të integrimit me këto qëndrime. Pra, mos pranoni të shkelmoni procesin e integrimit”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/