E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Rezervat me hidrokarbure sipas ligjit, forcohet menaxhimi shtetëror i rezervës së sigurisë

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Shqipëria nuk rrezikohet nga mungesa e furnizimit me hidrokarbure, deklaroi sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, gjatë interpelancës në Kuvend, duke garantuar stabilitetin e tregut energjetik në vend.

Ai theksoi se qeveria po punon për një kuadër të ri ligjor që synon kalimin e menaxhimit të rezervës së sigurisë nga operatorët tregtarë, tek institucionet shtetërore.

“Për qeverinë shqiptare, siguria energjetike është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e sigurisë kombëtare. Masat e marra janë shumëplanëshe dhe është ngritur Bordi i Transparencës që mbron konsumatorin final”, u shpreh Karakaçi.

Ai shtoi se është ngritur një grup pune për verifikime në terren mbi rezervat e sigurisë në shoqëritë e tregtimit të hidrokarbureve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Është ngritur grupi i punës që ka për detyrë të kryejë verifikimin në terren për të gjitha kompanitë. Rezerva e hidrokarbureve nuk bëhet më nga shoqëritë tregtare, por nga agjencitë shtetërore. Rezervat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sa i përket planit afatgjatë, tashmë është publikuar plani për rezervën hidrokarbure. Është një draft i konsultuar dhe i dakordësuar me BE që vendos një standard të ri për Shqipërinë, sepse rezerva menaxhohet nga agjencitë shtetërore. Rezervat përdoren kur ka mungesa në treg. Qeveria siguron se nuk ka pasur pengesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut. Sa i përket akuzës për mungesë transparence, është politike dhe s’i përgjigjet realitetit, sepse jemi ulur me të gjitha grupet e interesit dhe kemi diskutuar për situatën”, tha Karakaçi.

Karakaçi njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të hyjë në fuqi plani i masave për transportin publik urban dhe interurban, pas konsultimeve me grupet e interesit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›